|
Vendimi nr.1, datë 31.01.1996
(V - 1/96)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët
Veli Budo, Zija Vuci, Franc Jakova, Alfred Karamuço, Metush
Saraçi, Hilmi Dakli - relator i çështjes,
në datat 30.10.1995, 10.11.1995, 17.01.1996 dhe 31.01.1996, mori
në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen
me kërkuesa: GRUPI PARLAMENTAR I PARTISE SOCIALDEMOKRATE dhe GRUPI
PARLAMENTAR I PARTISE SOCIALISTE, me objekt: "Deklarimi antikushtetues
i nenit 3 të Ligjit Nr.8001, datë 22.09.1995 "Për
genocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri
gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe
fetare"; dhe deklarimi antikushtetues i Ligjit Nr.8001, datë
22.09.1995 "Për genocidin dhe krimet kundër njerëzimit
kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive
politike, ideologjike dhe fetare" dhe Ligjit Nr.8043, datë
30.11.1995 "Për kontrollin e figurës së zyrtarëve
dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit
demokratik"".
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
me shumicë votash, vendosi:
"I. Rrëzimin e kërkesave të grupeve parlamentare
të Partisë Socialdemokrate dhe Partisë Socialiste për
shfuqizimin e Ligjit Nr.8001, datë 22.09.1995 si të pabazuara.
II. Të shfuqizojë dispozitat e Ligjit Nr.8043, datë 30.11.1995
"Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe
personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik",
që vijojnë:
1. Shkronjën "j" të nenit 1;
2. Paragrafin e dytë të nenit 6;
3. Fjalët "nga ministri i Drejtësisë ose" të
nenit 12;
4. Fjalët "14 dhe" të nenit 18.
III. Në nenin 15 të këtij ligji fjalët "5 vjet
burgim" zëvëndësohen me fjalët "burgim
gjer në pesë vjet".
IV. Kuvendi Popullor të bëjë plotësimin e nenit
8 të Ligjit për sigurimin e garancive kushtetuese në
rast të mosrespektimit të afatit 15 ditor të parashikuar
në këtë dispozitë.
V. Rrëzimin e kërkesës së Grupit Parlamentar të
Partisë Socialiste për pjesët e tjera të Ligjit
Nr.8043, datë 30.11.1995 si të pabazuar.
Urdhërohet pezullimi i zbatimit të shkronjës "j"
të nenit 1, të paragrafit të dytë të nenit
6 dhe të fjalëve "nga ministri i Drejtësisë
ose" të nenit 12 të Ligjit Nr.8043, datë 30.11.1995
deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi".
duke arsyetuar:
Grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate dhe
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, kanë parashtruar se
është antikushtetues kufizimi i parashikuar në nenin
3 të Ligjit Nr.8001, datë 22.09.1995 "Për genocidin
dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë
sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare",
për të drejtën për t'u zgjedhur në organet
qëndrore dhe lokale të pushtetit dhe për t'u emëruar
në administratën e lartë të shtetit, në sistemin
gjyqësor dhe në masmedia, deri më 31 dhjetor 2001 personave
që deri më 31 mars 1991 kanë qenë anëtarë
të Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror të PPSH
- së (dhe PKSH - së), ministra, deputetë të Kuvendit
Popullor, anëtarë të Këshillit Presidencial, kryetarë
të Gjykatës së Lartë, Prokurorë të Përgjithshëm,
sekretarë të parë të rretheve, punonjës të
Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtorë të Sigurimit
të Shtetit dhe denoncuesit dëshmitarë në dëm
të të pandehurve në proceset politike.
Për të mbështetur këtë kërkesë, ata
i referohen neneve 2, 4, 8 të Ligjit Nr.7491, datë 29.04.1991
"Për dispozitat kryesore kushtetuese" dhe neneve 19,
25 dhe 41 të ligjit Nr.7692, datë 31.03.1993 "Për
të drejtat dhe liritë themelore të njeriut". Në
këto dispozita përcaktohet barazia para ligjit, garantimi
i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të pranuara
në dokumentet ndërkombëtare dhe respektimi nga legjislacioni
i Republikës së Shqipërisë i parimeve dhe normave
përgjithësisht të pranuara të së drejtës
ndërkombëtare, e drejta e zgjedhjes dhe kufizimi i përkohshëm
i të drejtave të veçanta.
Duke i patur parasysh normat kushtetuese të mësipërme
në kontekstin e përgjithshëm të legjislacionit kushtetues
të Republikës së Shqipërisë, aktet dhe normat
ndërkombëtare përgjithësisht të pranuara, shkeljen
e mohimin e pashembullt të të drejtave dhe lirive themelore
të njeriut gjatë sundimit komunist dhe kushtet e tranzicionit,
Gjykata e çmon të pabazuar kërkesën e grupeve
parlamentare të Partisë Socialdemokrate dhe Partisë Socialiste,
lidhur me kufizimin për një kohë të caktuar të
së drejtës për t'u zgjedhur si dhe të ushtrimit
të disa nëpunësive për një kategori personash.
Në pjesën hyrëse Ligji Kushtetues "Për të
drejtat dhe liritë themelore të njeriut", duke shprehur
qëllimin e tij thekson: "... gjatë diktaturës së
egër e tejet çnjerëzore 46-vjeçare të partisë-shtet
në Shqipëri janë shkelur e mohuar, nëpërmjet
terrorit shtetëror, të drejtat civile e politike, ekonomike,
sociale e kulturore si dhe liritë më themelore të njeriut",
dhe se "... respektimi dhe gëzimi i gjithanshëm i këtyre
të drejtave e lirive përbën një nga aspiratat më
të larta të popullit shqiptar dhe një nga parakushtet
e domosdoshme për garantimin e lirisë, drejtësisë
sociale dhe përparimit demokratik të shoqërisë sonë".
Janë pikërisht subjektet e parashikuara në nenin 3 të
Ligjit Nr.8001, datë 22.09.1995 dhe nenin 2 të Ligjit Nr.8043,
datë 30.11.1995 autorët, ideatorët dhe zbatuesit e asaj
diktature të egër e çnjerëzore të cilën
denoncon ligji kushtetues në hyrje të tij. Rrjedhimisht kufizimi
përkohësisht i të drejtave të këtyre subjekteve
për t'u zgjedhur dhe emëruar në detyra shtetërore
të caktuara përbën një garanci për zbatimin
e të gjitha dispozitave kushtetuese dhe të akteve ndërkombëtare
që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë
themelore të njeriut.
Eshtë e vërtetë sa parashtron Grupi Parlamentar i Partisë
Socialiste, se në nenin 25 të "Paktit Ndërkombëtar
lidhur me të drejtat civile dhe politike" të Asamblesë
së Përgjithshme të OKB-së datë 16 dhjetor 1966,
parashikohet që çdo qytetar ka të drejtë të
votojë dhe të zgjidhet si dhe të marrë pjesë
në drejtimin e punëve publike. Por, siç përcaktohet
në paragrafin e parë të po këtij neni, këtyre
të drejtave nuk mund t'i bëhen vetëm "kufizime të
paarsyeshme".
Veç sa sipër, Gjykata ka parasysh se, në paragrafin
e dytë të nenit 29 të "Deklaratës Universale
të të Drejtave të Njeriut", datë 10 dhjetor
1948 përcaktohet se: "në ushtrimin e të drejtave
të tij, çdo njeri u nënshtrohet vetëm kufizimeve
të përcaktuara me ligj dhe vetëm me qëllimin...
për t'iu përgjigjur kërkesave të moralit... dhe
të mirëqënies së përgjithshme në një
shoqëri demokratike".
Duke u bazuar edhe në këto dispozita ndërkombëtare,
Gjykata arrin në konkluzion se ligjet objekt shqyrtimi, përcaktojnë
kufizimet e arsyeshme që i përgjigjen edhe kërkesave
të drejta morale të shoqërisë sonë demokratike.
Pretendimi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate
se: "asnjë vend i Lindjes nuk ka nxjerrë pas diktaturës
ligje të ngjashme që do të kufizonin të drejtën
e zgjedhjes për persona të veçantë", nuk
është argument për të vërtetuar antikushtetutshmërinë
e dispozitave objekt shqyrtimi. Megjithatë Gjykata ve në dukje
se ligje që kanë vendosur kufizime, përfshirë edhe
të drejtën e zgjedhjes, janë miratuar në Hungari,
Itali, Austri, etj..
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, ka kërkuar shfuqizimin
edhe të neneve 1 e 2 të Ligjit Nr.8001, datë 22.09.1995.
Me nenin 1 ngarkohen organet e prokurorisë për të zhvilluar
me përparësi hetimin e veprimtarisë që lidhet me
krimet kundër njerëzimit kryer gjatë sundimit komunist.
Kuvendi Popullor, me këtë dispozitë nuk del jashtë
kuadrit të kompetencave të veta. Sipas pikës 10 të
nenit 16 të Ligjit "Për dispozitat kryesore kushtetuese",
Kuvendi Popullor kontrollon veprimtarinë e Prokurorisë së
Përgjithshme.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, duke mbështetur kërkesën
e tij për antikushtetutshmërinë e nenit 1, i referohet
përmbajtjes së fjalisë së parë të pikës
1 të nenit 15 të Paktit Ndërkombëtar lidhur me të
drejtat civile dhe politike të 16 dhjetorit 1966 : "Askush
nuk do të dënohet për veprime ose mosveprime të
cilat nuk përbëjnë shkelje sipas së drejtës
kombëtare ose ndërkombëtare në kohën kur janë
kryer". Por, ky referim është i cunguar, sepse në
pikën 2 të të njëjtit nen thuhet: "Asgjë
në këtë nen nuk duhet interpretuar sikur është
kundër gjykimit ose ndëshkimit të çdo njeriu për
veprime ose mosveprime të cilat, në kohën që janë
kryer, janë cilësuar si kriminale sipas parimeve të përgjithshme
të së drejtës të njohura nga të gjitha kombet".
Përsa i përket nenit 2, me të cilin përcaktohet
se hetimi e gjykimi i krimeve të parashikuara në nenin 1 do
të bëhet sipas Kodit të sotëm të Procedurës
Penale, edhe pse e përsërit dispozitën e nenit 525 të
Kodit të Procedurës Penale, kjo nuk e bën atë antikushtetues.
Lidhur me Ligjin Nr.8043, datë 30.11.1995, Gjykata e gjen të
bazuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë
Socialiste për shfuqizimin e shkronjës "j" të
nenit 1.
Me nenin 2 të Ligjit "Për të drejtat dhe liritë
themelore të njeriut" dhe nenin 1 të Ligjit Nr.7755,
datë 06.10.1993 "Për shtypin", garantohet e drejta
e shtypit. Profesioni i gazetarit është profesion i lirë,
i bazuar në nismën e veprimtarinë vetiake dhe nuk ka
të bëjë me detyra shtetërore.
Sipas paragrafit të dytë të nenit 6, refuzimi për
të dëshmuar ose dëshmia a ekspertimi i rremë para
komisionit sjell përgjegjësi penale sipas Kodit Penal. Gjykata
konstaton se dëshmia e rreme, refuzimi për të dëshmuar
dhe ekspertimi i rremë përbëjnë vepra penale të
parashikuara nga nenet 306, 307 dhe 309 vetëm kur ato janë
bërë para organit të ndjekjes penale ose gjykatës.
Si rrjedhojë këto vepra penale të parashikuara në
Kodin Penal, nuk mund të shtrihen edhe për organet e tjera.
Prandaj, kjo dispozitë duhet të shfuqizohet, se vjen në
kundërshtim me nenin 6 të Ligjit "Për të drejtat
dhe liritë themelore të njeriut", pasi nuk është
parashikuar si vepër penale më vehte. Legjislatori, po ta
shohë të nevojshme, mund të miratojë dispozitë
të veçantë ku të parashikojë veprën
penale me sanksionet përkatëse.
Në nenin 12 është parashikuar edhe e drejta e ministrit
të Drejtësisë për të bërë kërkesë
për verifikimin e kryesive të partive dhe shoqatave politike.
Njohja e kësaj të drejte ministrit të Drejtësisë
vjen në kundërshtim me paragrafin e dytë të nenit
6 të Ligjit "Për dispozitat kryesore kushtetuese".
Sipas kësaj dispozite partitë politike dhe organizatat e tjera
janë krejtësisht të ndara nga shteti. Për këtë
shkak, fjalët "nga ministri i Drejtësisë ose "
të nenit 12 duhet të shfuqizohen.
Meqënëse sipas nenit 18, ky ligj shfuqizohet më 31 dhjetor
2001, përjashtimi i bërë për mosshfuqizimin e nenit
14 vjen në kundërshtim me qëllimin dhe afatin e veprimit
të ligjit në kohë. Rrjedhimisht, nga neni 18 duhet të
hiqen fjalët "14 dhe".
Në nenin 15 është parashikuar dënimi i prerë
(fiks) me 5 vjet burgim për përdorim publik, fshehje, zhdukje,
falsifikim të dokumentave e veprime të tjera të kundërligjshme
që përbëjnë vepër penale.
Gjykata çmon se kjo mënyrë e caktimit të dënimit
fiks bie në kundërshtim me parimin e sanksionuar në paragrafin
e dytë të nenit 47 të Pjesës së Përgjithshme
të Kodit Penal për individualizimin e dënimit ndaj personit
dhe pengon zbatimin e neneve 48, 49 e 50 që bëjnë fjalë
për rrethanat lehtësuese dhe rënduese. Prandaj, në
nenin 15 të Ligjit, fjalët "5 vjet burgim", duhet
të zëvëndësohen me fjalët "burgim gjer
në pesë vjet".
Gjatë shqyrtimit të ligjit në tërësi, Gjykata
konstaton se në paragrafin e parë të nenit 8, është
parashikuar vetëm afati 15 ditor për marrjen e vendimit nga
ana e komisionit, duke mos u siguruar garancitë kushtetuese në
rast të mosrespektimit të këtij afati.
Prandaj, Kuvendi Popullor duhet të bëjë plotësimet
e nevojshme për garantimin e respektimit të afatit të
mësipërm.
Lidhur me pretendimin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste
se me nenin 3 të Ligjit Nr.8043, datë 30.11.1995, i njihet
pa të drejtë dikastereve të caktuara në këtë
dispozitë kompetenca që të mos e zbatojnë në
raste të veçanta këtë ligj, Gjykata çmon
se nuk ka bazë kushtetuese. Përjashtimet e lejuara për
rastet e parashikuara në shkronjat "c", "ç"
dhe "e" të nenit 2 për shkak të veçorive
të detyrës, janë kushtëzuar vetëm në rastet
kur zbatimi i këtij neni prek interesa të rëndësishme
të shtetit dhe kurdoherë pa cënuar qëllimin e vetë
ligjit.
Përsa i përket kërkimit për përmbajtjen e nenit
4 që rregullon përbërjen e komisionit, Gjykata nuk shprehet
në themel, për shkak se nuk u formua shumica e kërkuar
sipas nenit 26, paragrafi i parë, të Ligjit Kushtetues "Për
organizimin e drejtësisë dhe Gjykatën Kushtetuese".
Duke shqyrtuar përmbajtjen e nenit 3 të Ligjit Nr.8001, datë
22.09.1995 si dhe të nenit 2 të Ligjit Nr.8043, datë
30.11.1995, Gjykata arrin në përfundimin se përjashtimi
i parashikuar në nenin 3 me frazën "me përjashtim
të rasteve kur kanë vepruar kundër vijës zyrtare
dhe janë larguar vetë në mënyrë publike",
zbatohet për të gjitha shkronjat e nenit 2, përveç
shkronjës "f".
Gjithashtu, Gjykata e çmon të nevojshme të sqarojë
se me fjalën "person" të gërmës "a"
të nenit 7 të Ligjit Nr.8043, datë 30.11.1995, duhet
kuptuar si personi fizik, ashtu edhe subjekti elektoral.
Votoi kundër këtij vendimi Veli Budo
(V - GjK - 1/96 - FZ.1/96, fq.20-27)
Vendimi nr.2, datë 14.02.1996
(V - 2/96)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët
Hilmi Dakli, Manol Konomi, Veli Budo, Franc Jakova, Alfred Karamuço,
Metush Saraçi, Zija Vuci - relator i çështjes,
në datat 07.12.1995, 08.12.1995, 18.12.1995 dhe 14.02.1996, mori
në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen
me kërkues: GRUPI PARLAMENTAR I PARTISE SOCIALISTE, me objekt:
"Deklarimi antikushtetues dhe antiligjor të Vendimit të
Kuvendit Popullor Nr. 269, datë 21.09.1995 "Për shkarkimin
e Kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi".
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
njëzëri, vendosi: "Rrëzimin e kërkesës
së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, për
shpalljen antikushtetus e antiligjor të vendimit të Kuvendit
Popullor Nr.269, datë 21.09.1995 "Për shkarkimin e kryetarit
të Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi"".
duke arsyetuar:
Sipas paragrafit të fundit të nenit 6 të
ligjit 7561, datë 29.04.1992 "Gjyqtari i Gjykatës së
Kasacionit mund të lëvizet nga detyra vetëm mbi bazën
e një vendimi të arsyetuar të Kuvendit Popullor kur vërtetohet
se ka kryer një nga veprat e rënda penale të parashikuara
posaçërisht me ligj ose kur është i paaftë
mendërisht".
Nga përmbajtja e kësaj dispozite, duke pasur parasysh parimin
e njohur të prezumimit të pafajësisë të konsakruar
edhe në nenin 7 të Ligjit "Për të drejtat dhe
liritë themelore të njeriut", del se dy janë kushtet
e nevojshme dhe të mjaftueshme për lëvizjen e detyrueshme
të një gjyqtari të Gjykatës së Kasacionit,
pa përjashtuar kryetarin dhe zëvëndëskryetarët
e kësaj Gjykate: kryerja e një vepre penale të rëndë
të parashikuar në ligj e vërtetuar kjo me vendim të
formës së prerë dhe paaftësia mendore.
Gjykata Kushtetuese kësaj teze i është përmbajtur
edhe në vendimin e saj Nr.1, datë 19.01.1995, ku, midis të
tjerash, thuhet: "Kuvendi Popullor me vendim të arsyetuar
mund të lëvizë nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së
Kasacionit kur ai është dënuar me heqje të lirisë
për kryerjen e një vepre penale me vendim të formës
së prerë".
Të dy kushtet e sipërme lidhen me parimin e patundshmërisë
së gjyqtarit dhe përbëjnë një garanci për
kryerjen e detyrës së tij në mënyrë të
pavarur, por nuk e përjashtojnë atë nga disa detyrime
të rëndësishme dhe të caktuara, të respektojë
ligjin kushtetues dhe ligjin në përgjithësi. Gjyqtari
nuk mund t'i shmanget këtij detyrimi duke u mbrojtur me parimin
e pavarësisë së tij objektive dhe personale.
Prandaj, Gjykata çmon se është objektivisht e nevojshme
shqyrtimi i legjitimitetit të vendimit të Kuvendit Popullor
Nr.269, datë 21.09.1995 për shkarkimin e kryetarit të
Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi, nën prizmën e
detyrës dhe të përgjegjësisë që ka gjyqtari
i Gjykatës së Kasacionit të respektojë ligjin kushtetues,
gjë që nuk vjen aspak ndesh dhe nuk është në
kundërvënie me përmbajtjen e nenit 6 paragrafi i katërt
të Ligjit Nr.7561, datë 29.04.1992.
Respektimi i Kushtetutës qëndron në bazë të
veprimtarisë së të gjitha organeve shtetërore. Gjykata
Kushtetuese, ka parasysh këtu nenin 2 paragrafi i dytë të
Ligjit "Për dispozitat kryesore kushtetuese". Në
bazë të këtij neni, i cili përcakton karakteristikat
esenciale të shtetit demokratik, të gjitha pushtetet publike
(shteti) kanë për detyrë të respektojnë dhe
të mbrojnë kushtetutën (rendin kushtetues). S'ka asnjë
dyshim se shkelja e kësaj detyre sjell pasoja (largimin nga detyra),
sepse përmbajtja e kësaj dispozite ka karakter konstitutiv
dhe jo deklarativ; ajo është precize dhe imperative. Këtu
është e udhës të shtohet se marrja e masës
për largimin nga detyra, kushtëzohet - në ndryshim me
nenin 6 paragrafi i katërt i Ligjit Nr.7561, datë 29.04.1992
- nga një seri faktorësh : rëndësia e shkeljes së
ligjit, kryerja me paramendim ose në mënyrë të përsëritur
etj.
Organi që i ka zgjedhur, nuk mund të qëndrojë indiferent
dhe nuk mund të mos reagojë në rastet kur veprimtaria
e këtyre përfaqësuesve më të lartë të
pushtetit gjyqësor, shpallet antikushtetuese dhe antiligjore nga
një organ i ngarkuar me kontrollin konstitucional.
Gjykata e gjen të nevojshme të përmendë një
dispozitë të veçantë të Ligjit "Për
dispozitat kryesore kushtetuese" dhe konkretisht nenin 27 pika
"a". Përmbajtja e kësaj dispozite - shkarkimi i
Kryetarit të Shtetit kur ka shkelur ligjin kushtetues - nuk mund
të shërbejë, siç mund të duket në pamje
të parë, si një argument "a contrario", nuk
provon të kundërtën e pikëpamjes së shprehur
më sipër dhe të konkluzioneve që ka nxjerrë
kjo Gjykatë, por i përforcon ato.
Parashikimi me normë të posaçme i kësaj përgjegjësie
për Kryetarin e Shtetit dhe e diktuar për arsye të veçanta,
tregon rëndësinë e madhe që ka detyra e respektimit
të kushtetutës dhe vendin që ze në një shtet
demokratik ruajtja dhe mbrojtja e saj. Kjo përgjegjësi vepron
ndaj të gjithëve dhe, sidomos, ndaj atyre që janë
të ngarkuar me funksione të rëndësishme shtetërore.
Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj Nr.12, datë 21.09.1995, ka
shpallur veprimtarinë e kryetarit të Gjykatës së
Kasacionit, Zef Brozi, antikushtetues dhe antiligjore. Ky vendim shërbu
si bazë për Kuvendin Popullor për shkarkimin e tij nga
të gjitha funksionet në Gjykatën e Kasacionit.
Pretendimi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, se
ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të zëvëndësojë
vendimin penal të formës së prerë dhe nuk mund të
shërbejë për vërtetimin e kryerjes së një
vepre penale nga kryetari i Gjykatës së Kasacionit është
pa baza për arsye se mbahet parasysh vetëm kuptimi i nenit
6 dhe jo edhe përmbajtja substanciale e nenit 2 paragrafi i dytë
i Ligjit "Për dispozitat kryesore kushtetuese".
Nga shqyrtimi i dokumentave, i të dhënave kompjuterike dhe
i procesverbaleve, që përmbajnë këto të dhëna,
rezulton se në kohën e hapjes të mbledhjes së Kuvendit
Popullor, para se të vihej në rendin e ditës çështja
Brozi, kanë qenë të pranishëm 73 deputetë.
Sipas pretendimeve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste,
deputetët Gramoz Pashko, Arben Imami dhe Shkëlqim Cani, në
kundërshtim me përmbajtjen e dokumentave dhe të dhënave
kompjuterike, nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen
plenare, në zhvillimin e punimeve dhe në votimin e vendimit.
Gjithashtu, nga shqyrtimi i këtyre dokumentave, rezulton se si
në votimin për vënien e çështjes në
rendin e ditës ashtu dhe në votimin për miratimin ose
jo të propozimit për shkarkimin e kryetarit të Gjykatës
së Kasacionit, kanë marrë pjesë 73 deputetë,
duke përfshirë edhe dy nga tre deputetët që përmenden
më sipër. Kjo provon se, në kohën e votimit, në
mbledhje kanë qenë të pranishëm jo më pak se
71 deputetë, dmth., më shumë se gjysma e numrit të
përgjithshëm, duke përjashtuar deputetët Gramoz
Pashko e Arben Imami. Dihet se gjatë mbledhjes përbërja
e saj numerike ndryshohet vazhdimisht dhe është për këtë
arsye që ligji kërkon që në kohën e votimit
të jetë patjetër e pranishme shumica e deputetëve
(nenet 43 e 44 të Rregullores së Kuvendit Popullor).
Pra edhe duke e pranuar të mirëqenë pretendimin e palës
kërkuese se në kohën e hapjes së mbledhjes nuk ka
qenë e pranishme shumica e deputetëve, nga rezultatet e votimit
del se kanë votuar në favor të shkarkimit të kryetarit
të Gjykatës së Kasacionit, Z. Zef Brozi 71 deputetë,
pa përfshirë këtu deputetët Gramoz Pashko dhe Arben
Imami dmth., se në kohën e votimit ka qenë prezent shumica
e kërkuar prej ligjit.
Gjykata Kushtetuese, e mbështetur në rrethanat e sipërme,
arrin në konkluzionin se nuk ndodhemi përpara shkeljesh të
kërkesave substanciale të procedurës legjislative, të
cilat e bëjnë të nevojshme shpalljen e nulitetit të
kësaj procedure.
(V - GjK - 2/96 - FZ.17/96, fq.652-654)
Vendimi nr.3, datë 09.02.1996
(V - 3/96)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët
Hilmi Dakli, Manol Konomi, Zija Vuci, Franc Jakova, Alfred Karamuço,
Metush Saraçi, Veli Budo - relator i çështjes,
në datat 13.12.1995, 21.12.1995 dhe 09.02.1996, mori në shqyrtim
në seancë gjyqësore çështjen me kërkuese:
GJYKATA E RRETHIT VLORE, me objekt: "Shfuqizimin si të papajtueshëm
me Kushtetutën të Ligjit Nr.7873, datë 16.11.1994 "Për
sekuestrimin e mjeteve tokësore, detare e ajrore me të cilat
kryhen vepra penale", për arsye se ky ligj vjen në kundërshtim
me Kodin e Ri të Procedurës Penale".
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
me shumicë votash, vendosi: "Kthimin e materialeve të
çështjes Gjykatës së Rrethit Vlorë".
duke arsyetuar:
Gjykata e rrethit Vlorë ka pezulluar gjykimin e
kërkesës së paraqitur nga qytetari M. I., i cili është
ankuar për sekuestrimin e një motogomone, pronë e tij,
vendosur nga Komisariati i Policisë Vlorë në bazë
të Ligjit Nr.7873, datë 16.11.1994. Ajo i është
drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe ka kërkuar shpalljen e ligjit
të mësipërm si antikushtetues sepse vjen në kundërshtim
me Kodin e Ri të Procedurës Penale.
Gjykata e rrethit Vlorë është mbështetur në
kërkesën e saj dhe ka interpretuar gabim përmbajtjen
e nenit 8 paragrafi i dytë të Ligjit "Për organizimin
e drejtësisë dhe Gjykatën Kushtetuese" për
arsye se këtu nuk kemi të bëjmë me një akt
normativ (akt nënligjor) që vjen në kundërshtim
me një ligj ose me ligjin kushtetues, por ndodhemi përpara
ligjeve, të cilët, siç pretendon ajo gjykatë,
vijnë në kundërshtim me njëri tjetrin.
Kundërshtimet eventuale, që mund të ekzistojnë ndërmjet
dy ligjeve të shpallura dhe të hyra në fuqi në kohëra
të ndryshme, nuk mund të shërbejnë si bazë
dhe nuk mund të formojnë një shkak për të kërkuar
dhe shpallur një ligj të papajtueshëm me Kushtetutën.
Kodi i Ri i Procedurës Penale ka hyrë në fuqi më
vonë se Ligji Nr.7873, datë 16.11.1994. Ai ka karakterin e
një ligji të përgjithshëm dhe rregullon në
tërësi lëndën. Ky Kod (neni 524) abrogon shprehimisht
vetëm kodin e mëparshëm, ndërsa ndaj dispozitave
të tjera ligjore të mëparshme, përdor shprehjen
e përgjithshme: "Çdo dispozitë tjetër që
vjen në kundërshtim me këtë kod". Pra nuk ndodhemi
përpara një shfuqizimi të shprehur dhe të përcaktuar
mirë, i cili ndalon lindjen e çdo dyshimi dhe çdo
pasigurie.
Në këto rrethana në rastin konkret, shtrohet problemi
juridik: Cilat dispozita të Kodit të Ri të Procedurës
Penale janë të papajtueshme me ligjin e mëparshëm
Nr.7873, datë 16.11.1994 dhe në çfarë mase.
Ky problem juridik duhet të zgjidhet nga vetë gjykata që
gjykon çështjen duke i vënë ballë për
ballë dispozitat e Kodit të Ri të Procedurës Penale
me ato të ligjit në fjalë dhe me një vendim të
arsyetuar (abrogimi nuk prezumohet) të shprehet nëse Ligji
Nr.7873, datë 16.11.1994 është shfuqizuar tërësisht
ose vetëm disa nene të këtij ligji.
Votoi kundër këtij vendimi Alfred Karamuço
(V - GjK - 3/96 - FZ.4/96, fq.170-171)
Vendimi nr.4, datë 02.04.1996
(V - 4/96)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët
Hilmi Dakli, Manol Konomi, Veli Budo, Zija Vuci, Franc Jakova, Alfred
Karamuço, Metush Saraçi - relator i çështjes,
në datat 11.03.1996 dhe 15.03.1996, mori në shqyrtim në
seancë gjyqësore çështjen me kërkues: GRUPI
PARLAMENTAR I PARTISE SOCIALISTE, me objekt: "Shpalljen antikushtetues
në tërësi të Ligjit Nr.8055, datë 01.02.1996
"Për ndryshimet në ligjin Nr.7556, datë 04.02.1992",
" Për zgjedhjet e Kuvendit Popullor të Republikës
së Shqipërisë",si dhe të neneve 16, paragrafi
i dytë e 42 shkronja "ç" të këtij ligji".
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
njëzëri, vendosi: "Rrëzimin e kërkesës
së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, për
shfuqizimin e Ligjit Nr.8055, datë 01.02.1996 "Për ndryshimet
në Ligjin Nr.7556, datë 04.02.1992, "Për zgjedhjet
e Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë"
dhe nenit 16 paragrafi i parë e nenit 42 shkronja "ç"
të këtij ligji, si të pabazuar".
duke arsyetuar:
1. Pretendimi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste se
Ligji Nr.8055, datë 01.02.1996 është në tërësi
antikushtetues për arsye se është shkelur përmbajtja
e nenit 23 (paragrafi i parë) i Ligjit "Për dispozitat
kryesore kushtetuese", është pa vend.
Neni 23 i Ligjit kushtetues, cakton se kush ka të drejtën
e iniciativës legjislative dhe në bazë të këtij
neni, këtë të drejtë e ka, përveç Presidentit
të Republikës e Këshillit të Ministrave dhe çdo
deputet ose grup deputetësh.
Vënia në programin e punës të Kuvendit Popullor
e një projekti ose propozim ligji, afati për përfshirjen
e tij në këtë program, dhënia ose jo prioritet atij
projekti që është paraqitur më parë, nuk kanë
asnjë lidhje me nenin 23 të Ligjit "Për dispozitat
kryesore kushtetuese", me iniciativën legjislative.
Iniciativa legjislative dhe neni 23 që e parashikon atë, do
të cënoheshin në rast se një projekt ose propozim
ligji nuk do të merrej fare në shqyrtim në kohën
e përcaktimit të programit të punimeve për një
periudhë të caktuar, të Kuvendit Popullor. Iniciativa
legjislative do të cënohej gjithashtu në qoftë se,
në përcaktimin e këtij programi nuk do të respektohej
procedura e parashtruar nga rregullorja e Kuvendit Popullor dhe konkretisht
nga normat e neneve 9 e 10.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste në kërkesën
që i ka drejtuar kësaj Gjykate nuk pretendon se është
shkelur procedura e rregullores, por mbron pikëpamjen se iniciativa
e ndërmarrë nga një grup deputetësh të grupeve
të ndryshme parlamentare që në muajin dhjetor të
vitit të kaluar, duhej të përfshihej me kohë në
programin e punimeve të Kuvendit Popullor dhe, me kohë ai
duhej të ishte marrë në shqyrtim prej tij.
Gjykata Kushtetuese çmon se nuk është në kompetencën
e saj të shqyrtojë përse Kryesia e Kuvendit Popullor
nuk e vuri me kohë projektin në fjalë në programin
e punimeve, sikundër nuk është në kompetencën
e saj të shqyrtojë përse në mbledhjen e Kryesisë
me kryetarët e grupeve parlamentare dhe në mbledhjet e tjera,
është vendosur me shumicë votash, përfshirja në
programin e punës e projektit të paraqitur nga Grupi Parlamentar
i Partisë Demokratike dhe jo ai i grupit të deputetëve.
Nga shqyrtimi i dokumentave vërtetohet se programi i punës
të Kuvendit Popullor në të gjitha fazat është
bërë në respektim të plotë të Rregullores
së Kuvendit Popullor (nenet 9 e 10), duke patur parasysh edhe propozimin
e pakicës. Përveç kësaj, mospërfshirja e
projektit të grupit të deputetëve në programin përfundimtar
nuk e privonte këtë grup nga e drejta për të paraqitur
propozimet e veta në formë amendamentesh kur do të kalohej
në miratimin nen për nen të projektit të paraqitur
nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.
2. Në kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë
Socialiste, thuhet tekstualisht : "Humbja e së drejtës
për t'u zgjedhur deputet për në Kuvendin Popullor, sipas
shkronjës "ç" të nenit 42 ka të bëjë
me zgjedhjet që do të bëhen pas kësaj, pra në
të ardhmen. Ajo nuk ka fuqi prapavepruese".
Nga shqyrtimi i përmbajtjes së sipërme të kërkesës
dhe i pretendimit për të shpallur antikushtetuese, shkronjën
"ç" të nenit 42, del e qartë se këtu
kërkuesi mban dy qëndrime diametralisht të kundërta;
nga njëra anë duke u mbështetur në kuptimin e shkronjës
"ç" të nenit 42 mbrohet teza se ajo zbatohet në
të ardhmen dhe nga ana tjetër, pretendon se ajo prek një
të drejtë të fituar me ligj kushtetues dhe si e tillë
është e papajtueshme me të.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të legjitimohej
të ngrinte përpara Gjykatës Kushtetuese, antikushtetutshmërinë
e shkronjës "ç" të nenit 42 të Ligjit
Nr.8055, datë 01.02.1996 vetëm po të ishte se ligji,
do të shprehej mbi veprimin e saj ose ajo do të interpretohej
e zbatohej në kundërshtim me pikëpamjen e tij dhe jo
duke u mbështetur në hipoteza të mundshme, të cilat
nuk mund të formojnë objekt shqyrtimi nga kjo Gjykatë.
3. Në lidhje me përmbajtjen e nenit 28 të Ligjit "Për
dispozitat kryesore kushtetuese", Gjykata e çmon të
nevojshme të verë në dukje se ajo nuk ka siç pretendon
pala kërkuese, karakter absolutisht kufizues.
Në krye të këtij neni, i cili cakton kompetencat e Presidentit
të Republikës, thuhet : "Presidenti i Republikës
ka këto kompetenca kryesore", gjë që do të
thotë se kjo dispozitë kushtetuese e le të lirë
ligjvënësin t'i japë të drejtën Presidentit
të Republikës të nxjerrë akte për çështje
që nuk parashikohen nga kjo dispozitë (neni 28), që nuk
përbëjnë një largim dhe nuk vijnë në kundërshtim
me kompetencat që ky nen përmend. Këtë tagër
ligjvënësi e ka përdorur edhe në disa ligje të
miratuara përpara Ligjit Nr.8055, datë 01.02.1996.
Paragrafi i parë i nenit 16 të Ligjit Nr.8055, datë 01.02.1996
parashikon në pajtim me ligjin kushtetues (neni 17 paragrafi i
parë i Ligjit "Për dispozitat kryesore kushtetuese) krijimin
e 115 zonave të zgjedhjeve dhe njëkohësisht cakton kriteret
precize për ndërtimin e këtyre zonave, të kenë
një numër afërsisht të barabartë zgjedhësish,
të jenë kompaktë, të kenë vazhdimësi gjeografike,
të mos bëhet coptimi i komunave. Këto janë kriteret
bazë që ligjvënësi i ka rregulluar vetë, me
ligjin e sipërm, kurse caktimi i zonave kufijtë dhe renditja
e tyre do të bëhet, duke respektuar rigorozisht këto
kritere. Edhe në Ligjin Nr.7556, datë 04.02.1992, neni 29
paragrafi i dytë, parashikohej se kufijtë e zonave të
zgjedhjeve dhe renditja e tyre bëhej me akt të Presidentit
të Republikës.
(V - GjK - 4/96 - FZ.18/96, fq.696-698)
Vendimi nr.7, datë 26.04.1996
(V - 7/96)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët
Hilmi Dakli, Manol Konomi, Franc Jakova, Zija Vuci, Alfred Karamuço,
Veli Budo - relator i çështjes,
në datat 28.02.1996 dhe 06.03.1996, mori në shqyrtim në
seancë gjyqësore çështjen me kërkuesa: KOMITETI
KOMBETAR I ORGANIZATES SE VETERANEVE TE LUFTES ANTIFASHISTE NACIONALÇLIRIMTARE
dhe KESHILLI I PERGJITHSHEM I ORGANIZATES SE BASHKUAR TE VETERANEVE
TE LUFTES, me objekt: "Rishikimin e Vendimeve të Këshillit
të Ministrave nr.245, datë 22.05.1995 dhe nr.581, datë
25.10.1995, pasi vinë në kundërshtim me nenin 8 të
Ligjit nr.7874, datë 17.11.1994 "Për Statusin e Veteranit
të Luftës kundër Pushtuesve Nazifashistë të
Popullit Shqiptar"".
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
njëzëri, vendosi: "Detyrimin e Këshillit të
Ministrave të zbatojë kërkesat e nenit 8 paragrafi i
fundit të Ligjit Nr.7874, datë 17.11.1994 "Për Statusin
e Veteranit të Luftës kundër Pushtuesve Nazifashistë
të Popullit Shqiptar", lidhur me indeksimin e shpërblimit
siç është zbatuar për pagat dhe pensionet".
duke arsyetuar:
Në paragrafin e fundit të nenit 8 të Ligjit nr.7874,
datë 17.11.1994 "Për Statusin e Veteranit të Luftës
kundër Pushtuesve Nazifashistë të Popullit Shqiptar",
është parashikuar se masa e shpërblimit të veteranëve
do të ndryshohet në varësi nga indeksi i çmimeve
dhe inflacionit. Kërkuesit kanë parashtruar që të
detyrohet Këshilli i Ministrave të zbatojë dispozitën
e mësipërme.
Gjatë shqyrtimit të çështjes Gjykata ka konstatuar
se pas daljes së Vendimit nr.190, datë 03.05.1995 që
ka caktuar masën e shpërblimit të veteranëve, janë
bërë rritje të pagave të personave që janë
në marrëdhënie pune me shtetin si dhe të pensioneve,
përkatësisht me Vendimet nr.581, 582 e 587; datë 25.10.1995
të Këshillit të Ministrave.
Nga sqarimi i dhënë nga Këshilli i Ministrave me shkresën
nr.1961, datë 09.04.1996 si dhe nga shpjegimet e specialistëve
të Ministrisë së Financave dhe të Ministrisë
së Punës, Emigracionit, Përkrahjes Sociale dhe ish-të
Përndjekurve Politikë, ka dalë se në rritjen e pagave
dhe pensioneve, midis të tjerave është marrë parasysh
në një masë të caktuar edhe indeksi i çmimeve
dhe inflacionit.
Gjykata konstaton se deri më sot nuk ka dalë ndonjë Vendim
i Këshillit të Ministrave për të vënë
në zbatim paragrafin e fundit të nenit 8 të Ligjit "Mbi
Statusin e Veteranit të Luftës", lidhur me indeksimin
e shpërblimit, edhe pse dispozita ligjore ka hyrë në
fuqi që në 1 Dhjetor 1994.
Në këto kushte është detyrë ligjore e Këshillit
të Ministrave që sa herë indekson pagat e pensionet për
efekt rritje çmimesh e inflacioni, të indeksojë, shpërblimin
e veteranëve, në zbatim të nenit 8, paragrafi i fundit
të Ligjit nr.7874, datë 17.11.1994.
(V - GjK - 7/96 - FZ.20/96, fq.740-741)
Vendimi nr.8, datë 26.04.1996
(V - 8/96)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët
Hilmi Dakli, Manol Konomi, Veli Budo, Franc Jakova, Zija Vuci, Alfred
Karamuço - relator i çështjes,
në datat 07.03.1996 dhe 15.03.1996, mori në shqyrtim në
seancë gjyqësore çështjen me kërkuese: BEDRIJE
VELI DARDHA, me objekt: "Deklarimin antikushtetues të Urdhërit
Nr.1216, datë 26.01.1996 të kryetarit të Bashkisë
së Tiranës".
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
me shumicë votash, vendosi: "Shfuqizimin e Urdhërit Administrativ
Nr.1216, datë 26.01.1996 të Kryetarit të Bashkisë
së Tiranës, si antikushtetues".
duke arsyetuar:
Kryetari i Bashkisë së qytetit të Tiranës, ka
nxjerrë urdhërin administrativ nr.170, datë 08.01.1996,
me anën e të cilit urdhërohej lirimi i një bodrumi
në Rrugën "Mine Peza", marrë me qira dhe adoptuar
në lokal tregtie (kafe) nga Bedrije Veli Dardha qysh në vitin
1992. Në datën 09.01.1996, në zbatim të këtij
urdhëri, përfaqësues të Bashkisë, të njësisë
administrative Nr.3, të ndërmarrjes komunale banesa e të
komisariatit të policisë nr.3, kanë mbyllur lokalin.
Kundër urdhërit administrativ, kërkuesja Bedrije Dardha
ka ngritur padi në gjykatën e rrethit të Tiranës,
duke kërkuar anullimin e tij.
Gjatë kryerjes së veprimeve përgatitore për shqyrtimin
e padisë, gjyqtari i çështjes, në zbatim të
nenit 128 të Kodit të Procedurës Civile, ka vendosur
si masë provizore, me vendimin nr.1511, datë 23.01.1996, çbllokimin
e lokalit "Kafe Dardha", pezullimin e ekzekutimit të
urdhërit administrativ deri në marrjen e një vendimi
tjetër të ndërmjetëm ose përfundimtar nga gjykata.
Ky vendim i është komunikuar Bashkisë së Tiranës
nga Zyra e Përmbarimit me shkresën nr.366, datë 23.01.1996,
ku urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të urdhërit administrativ
nr.170, datë 08.01.1996, duke u paralajmëruar se në rast
të kundërt do të veprohej sipas ligjit.
Bashkia e Tiranës, edhe pse në bazë të nenit 177
të Kodit të Procedurës Civile ka si rrugë ligjore
ankimin ndaj vendimeve të gjykatës në gjykatën më
të lartë, nxjerr urdhër të ri administrativ me nr.1216,
datë 26.01.1996, i cili ka të njëjtën përmbajtje
me urdhërin e parë.
Gjykata Kushtetuese e gjen antikushtetues urdhërin nr.1216, datë
26.01.1996 të lëshuar në emër të Bashkisë
së Tiranës, nga kryetari i saj. Ai vjen në kundërshtim
me nenet 3 e 5 të Ligjit nr.7491, datë 29.04.1991 "Për
dispozitat kryesore kushtetuese", ku sanksionohen parimet e ndarjes
së pushteteve dhe të pavarësisë së pushtetit
gjyqësor. Sipas këtyre parimeve asnjë organ, duke përfshirë
edhe organet e administratës shtetërore, nuk mund të
ndërhyjnë në çështjet që janë në
kompetencë të gjykatave. Për më tepër me aktin
e nxjerrë, Bashkia e Tiranës ka cënuar detyrën kushtetuese
që buron nga neni 9 paragrafi i dytë i Ligjit nr.7561, datë
29.04.1992 "Për disa ndryshime e plotësime në Ligjin
nr.7491, datë 29.04.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese",
sipas të cilit : "Të gjitha organet shtetërore dhe
autoritetet e tjera publike janë të detyruara të sigurojnë
zbatimin e vendimeve dhe të akteve gjyqësore".
Shkelja e këtyre dispozitave kushtetuese ka penguar njëkohësisht
zhvillimin e një proces të rregullt ligjor, parashikuar si
e drejtë themelore nga neni 38 i Ligjit nr.7692, datë 31.03.1993
"Për një shtojcë në Ligjin "Për dispozitat
kryesore kushtetuese", duke shkaktuar zvarritje në përfundimin
e çështjes në shqyrtim.
Votuan kundër këtij vendimi Hilmi Dakli, Zija Vuci
(V - GjK - 8/96 - FZ.20/96, fq.742-744)
Vendimi nr.9, datë 08.05.1996
(V - 9/96)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët
Hilmi Dakli, Manol Konomi, Feti Gjilani, Veli Budo, Zija Vuci, Alfred
Karamuço, Franc Jakova - relator i çështjes,
në datën 30.04.1996, mori në shqyrtim në seancë
gjyqësore çështjen me kërkues: GRUPI PARLAMENTAR
I PARTISE SOCIALISTE, me objekt: "Shpalljen e pikës 2 të
Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.161, datë
11.03.1996 "Për Organizimin e Strukturave të Gjendjes
Civile", në kundërshtim me Ligjin nr.7608, datë
22.09.1992 "Për Prefekturat"".
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
me shumicë votash, vendosi: "Rrëzimin e kërkesës".
duke arsyetuar:
Në pikën 1 të Vendimit të Këshillit të
Ministrave nr.161, datë 11.03.1996 "Për Organizimin e
Strukturave të Gjendjes Civile", është përcaktuar
se punonjësit e gjendjes civile që punojnë pranë
rretheve, bashkive e komunave, emërohen dhe shkarkohen nga prefektët,
nën juridiksionin e të cilëve ndodhen organet e pushtetit
lokal.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste duke mos patur vërejtje
për përmbajtjen e pikës 1, quan antiligjore vetëm
pikën 2 të këtij vendimi, sipas së cilës :
"kryetarët e bashkive, të komunave e këshillave
të rretheve drejtojnë punën e përditshme të
gjendjes civile dhe janë përgjegjës për funksionimin
normal të gjendjeve civile. Në çdo rast administrata
e gjendjes civile dhe organet e pushtetit lokal janë të detyruara
të zbatojnë aktet e urdhërat e prefektit që lidhen
me gjendjen civile". Sipas palës kërkuese kjo pikë
vjen në kundërshtim me nenet 1 dhe 4 të Ligjit nr.7608,
datë 22.09.1992 "Për Prefekturat", pasi prefektët
nuk kanë kompetencë të urdhërojnë organet lokale
të pushtetit dhe ndërmjet prefektit dhe organeve të pushtetit
lokal nuk ka marrëdhënie vartësie.
Gjykata në radhë të parë e gjen të arsyeshme
të vejë në dukje se organizimi e funksionimi i zyrave
të gjendjes civile dhe veprimtaria e tyre për mbajtjen e regjistrave
dhe gjithë dokumentacionit ku pasqyrohet gjendja civile e popullatës
kanë karakter unik, të njëllojtë e të centralizuar
për të gjithë Republikën e Shqipërisë;
për rrjedhojë gjendja civile nuk është e nuk mund
të vihet në varësi të organeve të pushtetit
lokal.
Kjo gjen mbështetje të plotë edhe në faktin se në
asnjë nga dispozitat e Ligjit nr.7572, datë 10.06.1992 "Për
organizimin dhe funksionimin e pushtetit lokal" (nenet 14,34,45
e 52) nuk parashikohet që gjendja civile vihet në vartësi
të pushtetit lokal.
Funksionimi i rregullt dhe i saktë i zyrave të gjendjes civile
është i domosdoshëm edhe për vetë organet e
pushtetit lokal, veprimtaria e të cilëve shtrihet në
fushat e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, punësimit,
mbrojtjes etj. Eshtë pikërisht kjo arsyeja që në
pikën 2 (fjalia e parë) të vendimit që atakohet,
kryetarëve të bashkive, të komunave dhe të këshillave
të rretheve ju është ngarkuar detyra të drejtojnë
punën e përditshme të gjendjes civile. Ndërsa në
fjalinë e dytë e të fundit të kësaj pike bëhet
fjalë për akte dhe urdhëra të prefektit që
lidhen me gjendjen civile e për gjendjen civile dhe jo për
urdhëra të prefektit ndaj organeve të pushtetit lokal,
siç gabimisht interpreton pala kërkuese.
Në këto kushte, Gjykata çmon se përgjegjësia
e kryetarëve të komunave, të bashkive e të këshillave
të rretheve për funksionimin normal e ligjor, të gjendjes
civile si dhe detyrimi i tyre të zbatojnë aktet dhe urdhërat
e prefektit që lidhen me gjendjen civile, nuk vijnë në
kundërshtim me përmbajtjen e normës së nenit 4 (paragrafi
i dytë) të Ligjit nr.7608, datë 22.09.1992 "Për
Prefekturat" dhe nuk prekin parimin e pavarësisë, të
vetëqeverisjes dhe të decentralizimit të organizimit
dhe funksionimit të organeve të pushtetit lokal, të konsakruar
me Ligjin nr.7570, datë 03.06.1992 "Për disa shtesa e
ndryshime në Ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 "Për
dispozitat kryesore kushtetuese" (neni 3) dhe në Ligjin nr.7572,
datë 10.06.1992 "Për organizimin dhe funksionimin e organeve
të pushtetit lokal" (neni 1). Urdhërat dhe aktet e prefektit
për gjendjen civile, siç u theksua edhe më lart, nuk
kanë asnjë lidhje me organizimin dhe funksionimin e pushtetit
lokal dhe as me veprimtarinë e pavarur të organeve të
këtij pushteti në njësitë e tyre territoriale. Ato
nuk u heqin organeve të pushtetit lokal asnjë kompetencë
që atyre u është njohur me ligj dhe nuk përbëjnë
cënim të parimit, sipas të cilit ndërmjet prefektit
dhe organeve të pushtetit lokal nuk ka marrëdhënie vartësie.
Votuan kundër këtij vendimi Feti Gjilani, Veli Budo, Zija
Vuci
(V - GjK - 9/96 - FZ.20/96, fq.745-749)
Vendimi nr.10, datë 09.05.1996
(V - 10/96)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët
Hilmi Dakli, Manol Konomi, Feti Gjilani, Veli Budo, Zija Vuci, Franc
Jakova, Alfred Karamuço - relator i çështjes,
në datën 08.05.1996 mori në shqyrtim kërkesën
e KOMISIONI I ZONES ELEKTORALE NR.26, me objekt: "Shfuqizimin e
Vendimit nr.351, datë 04.05.1996 të Komisionit Qendror të
Zgjedhjeve".
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
njëzëri, vendosi: "Rrëzimin e kërkesës
për mungesë legjitimimi".
duke arsyetuar:
Komisioni i zonës elektorale Nr.26, në datën 29.04.1996
ka marrë vendimin që të refuzojë regjistrimin si
kandidat për deputet në Kuvendin Popullor të z. Luan
Mersin Rama, të paraqitur nga Partia Socialiste si subjekt elektoral.
Në datën 04.05.1996, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar
ankimin e z. Luan M.Rama dhe me vendimin 351 ka vendosur pranimin e
ankesës dhe prishjen e vendimit të Komisionit të zonës
Nr.26.
Kundër këtij vendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,
në datën 07.05.1996 ka paraqitur ankesë në Gjykatën
Kushtetuese, në emër të Komisionit të zonës,
kryetari i saj Jonuz Muça.
Gjykata Kushtetuese, pa i hyrë shqyrtimit në themel të
çështjes, konstaton se në bazë të Ligjit
Nr.7556, datë 04.02.1992 "Për zgjedhjet në Kuvendin
Popullor" ndryshuar me Ligjin Nr.8055, datë 01.02.1996, Komisionet
e zonave nuk legjitimohen të paraqesin ankime në këtë
Gjykatë ndaj vendimeve të Komisionit Qendror. Në bazë
të dispozitave të mësipërme, e konkretisht të
neneve 36,38 e 50 të Ligjit, instituti i ankimit është
mjet ekskluziv i subjekteve elektorale dhe i të kandiduarve prej
tyre për të garantuar respektimin e të drejtave që
burojnë nga ligjet kushtetuese e ato elektorale e për pasojë
vetëm ato mund të venë në lëvizje me ankim
qoftë komisionet e zonave apo atë qendror, ashtu edhe Gjykatën
Kushtetuese.
(V - GjK - 10/96 - FZ.21/96, fq.791)
Vendimi nr.11, datë 10.05.1996
(V - 11/96)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët
Hilmi Dakli, Manol Konomi, Feti Gjilani, Zija Vuci, Franc Jakova, Alfred
Karamuço, Veli Budo - relator i çështjes,
në datën 08.05.1996, mori në shqyrtim në seancë
gjyqësore çështjen me kërkuese: PARTIA DEMOKRISTIANE
E SHQIPERISE, me objekt: "Prishjen e Vendimeve nr.342 dhe nr.353,
datë 02.05.1996 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për
mospranimin për regjistrim të kandidatëve për deputetë
të Z.Z. Mati Pal Pepa në zonën e zgjedhjeve nr.2 dhe
Hasan Abdurrahim Kuta në zonën e zgjedhjeve nr.28".
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
me shumicë votash, vendosi: "Shfuqizimin e vendimeve nr.353
dhe nr.342, datë 02.05.1996 të Komisionit Qendror të
Zgjedhjeve të Kuvendit Popullor.
Urdhërohet regjistrimi i ZZ. Hasan Abdurrahman Kuta si kandidat
për deputet në zonën nr.28 dhe Mati Pal Pepa në
zonën nr.2 të paraqitur nga Partia Demokristiane e Shqipërisë
si subjekt elektoral".
duke arsyetuar:
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vendimin e tij nr.353, datë
02.05.1996, ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Partisë
Demokristiane të Shqipërisë për prishjen e vendimit
të komisionit të zonës së zgjedhjeve nr.28, me të
cilin është vendosur refuzimi i regjistrimit të Z. Hasan
Kuta, si kandidat për deputet në Kuvendin Popullor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka quajtur të drejtë vendimin
e komisionit të zonës me arsyetimin se kërkesa është
paraqitur nga subjekti elektoral jashtë afatit ligjor.
Gjatë shqyrtimit të çështjes ka rezultuar se kërkesa
për regjistrim së bashku me dokumentet e nevojshme të
parashikuara në ligjin për zgjedhjet, është dorëzuar
pranë zyrës së PTT-së më datë 27.04.1996.
Ky fakt u vërtetua me dëftesën e zyrës postare me
datën e sipërme.
Gjykata çmon se dorëzimi i kërkesës në zyrën
postare përsa i përket afatit ligjor është i barazvlershëm
me dorëzimin e saj në komisionin e zgjedhjeve të zonës.
Në këto kushte vendimi nr.353, datë 02.05.1996 i Komisionit
Qendror të Zgjedhjeve, duhet të shfuqizohet si i pabazuar
në ligj.
I pabazuar është vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
edhe përsa i përket mospranimit të ankimit që ka
ushtruar ky subjekt elektoral kundër qëndrimit që ka
mbajtur komisioni i zonës elektorale nr.2, i cili ka refuzuar ta
regjistrojë si kandidat për deputet Z. Mati Pal Pepa.
Në vendimin e tij ky komision ka pranuar se shkaku i vetëm
që e ka çuar atë në këtë përfundim
ka qenë mosparaqitja për regjistrim e të lartpërmendurit
në komisionin e zonës elektorale, brenda afatit ligjor.
Një konkluzion i tillë nuk është i bazuar. Përfaqësuesi
i Partisë Demokristiane ngriti përpara kësaj Gjykate
disa pretendime dhe i shoqëroi këto edhe me prova shkresore.
Nga këto prova rezulton se ndryshe nga ç'ka pranuar në
vendimin e tij Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shkaqet e vërteta
të mosregjistrimit si kandidat për deputet të Z. Mati
Pal Pepa, kanë qenë disa pengesa të tjera që i janë
krijuar atij padrejtësisht nga vetë ky komision deri në
datën 26.04.1996.
Veç kësaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pa bërë
asnjë hetim ka rrëzuar pretendimin kryesor se Z. Mati Pal
Pepa më datën 27.04.1996 është paraqitur në
zonën elektorale nr.2 dhe për orë të tëra nuk
ka mundur të kontaktojë me komisionin jo për faj të
tij.
Votuan kundër këtij vendimi Rustem Gjata, Veli Budo, Franc
Jakova
(V - GjK - 11/96 - FZ.21/96, fq.792-793)
Vendimi nr.12, datë 13.05.1996
(V - 12/96)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët
Hilmi Dakli, Feti Gjilani, Franc Jakova, Alfred Karamuço, Veli
Budo, Zija Vuci - relator i çështjes,
në datën 11.05.1996, mori në shqyrtim në seancë
gjyqësore çështjen me kërkuese: PARTIA BASHKIMI
SOCIAL DEMOKRAT I SHQIPERISE, me objekt: "Shfuqizimi i Vendimeve
nr.342, datë 04.05.1996 dhe nr.353, datë 06.05.1996 të
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që i përkasin zonave
të zgjedhjeve nr.17 Lezhë dhe nr.19 Pogradec".
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
me shumicë votash, vendosi: "Shfuqizimin e Vendimit nr.343,
datë 04.05.1996 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe
detyrimin e komisionit të zonës elektorale nr.17 Lezhë,
të marrë në shqyrtim kërkesën e Partisë
së Bashkimit Socialdemokrat për regjistrimin si kandidat të
tij për deputet në Kuvendin Popullor të Z. Pjerin Pal
Ivanaj.
Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e Vendimit nr.373,
datë 06.05.1996 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve".
duke arsyetuar:
Partia e Bashkimit Socialdemokrat të Shqipërisë,
si subjekt elektoral në zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996
ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e dy vendimeve të
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke parashtruar se kandidaturat
e saj për deputetë në Kuvendin Popullor, të paraqitura,
njëra në zonën elektorale nr.17 Lezhë për Z.
Pjerin Pal Ivanaj dhe tjetra në zonën elektorale nr.99 Pogradec
për znj. Valentina Zylfi Bregu, padrejtësisht janë quajtur
të parregullta për t'u regjistruar në listat njëemërore.
Kërkesa e këtij subjekti elektoral është e drejtë
vetëm përsa i përket kandidaturës për deputet
të z. Pjerin Ivanaj.
U vërtetua se kërkesa për regjistrimin e kësaj kandidature
së bashku me dokumentacionin përkatës është
depozituar në Komisionin e zonës elektorale nr.17 në
datën 26.04.1996. Ky fakt rezultoi nga vetë përmbajtja
e Vendimit nr.343, datë 04.05.1996 të Komisionit Qendror të
Zgjedhjeve si edhe nga procesverbali datë 30.04.1996 i mbajtur
në Komisionin e Zonës.
Në të dy këto akte është pasqyruar në
mënyrë të përgjithshme dhe të papërcaktuar
se si shkak i vetëm i mosregjistrimit të z. Pjerin Ivanaj
si kandidat për deputet, ka qenë "parregullsia e dokumentacionit
të paraqitur në komisionin e zonës. Megjithatë,
as ky as Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk kanë treguar se ku
konsistojnë konkretisht këto parregullsi.
Eshtë kërkesë ligjore që Komisioni Qendror të
verifikojë pretendimet e subjekteve kundër vendimeve ose veprimeve
të komisioneve të zonave dhe të japë vendim të
motivuar.
Meqënëse këto kërkesa nuk janë zbatuar, vendimi
i tij nr.343, datë 04.05.1996, duhet të shfuqizohet , dhe
kërkesa për regjistrimin e këtij kandidati t'i dërgohet
komisionit të zonës nr.17 Lezhë.
Përsa i përket kërkesës për shfuqizimin e Vendimit
nr.373, datë 06.05.1996 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
që i përket zonës nr.99 Pogradec, shkaqet e parashtruara
nga Partia e Bashkimit Socialdemokrat, janë të pabazuara.
Në zbatim të shkronjës "d" të nenit 20
të Ligjit nr.8055, datë 01.02.1996, i cili ka ndryshuar nenin
36 të Ligjit nr.7556, datë 04.02.1992 "Për zgjedhjet
e Kuvendit Popullor", Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ushtruar
kontroll për regjistrimet e kandidatëve të bëra
në zonën nr.17 Pogradec. Gjatë këtij kontrolli ai
ka konstatuar se Znj.Valentina Bregu është regjistruar si
kandidate për deputete, më datë 03.05.1996, pra tej afatit
të parashikuar nga neni 13 i Ligjit "Për zgjedhjet e
Kuvendit Popullor".
Në këto rrethana, ai duke e shqyrtuar çështjen
kryesisht me të drejtë ka vendosur shfuqizimin e vendimit
të komisionit të kësaj zone.
Znj. Valentina Bregu është propozuar nga ky subjekt elektoral
si zëvëndësuese e një personi tjetër që
kishte hequr dorë nga kandidatura për deputet, por ashtu siç
ka pranuar me të drejtë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, komisioni
i zonës elektorale nr.99, nuk ka pasur parasysh faktin se kandidati
që hoqi dorë, nuk ishte regjistruar deri në datën
26.04.1996, dmth., 30 ditë përpara zgjedhjeve. Për rrjedhojë
mosrespektimi i këtij kushti, kur janë rastet e parashikuara
nga neni 18 i ligjit të sipërpërmendur, i heq të
drejtën subjektit elektoral për të regjistruar si zëvëndësues
kandidatë të tjerë.
Votoi kundër këtij vendimi Franc Jakova
(V - GjK - 12/96 - FZ.21/96, fq.794-795)
Vendimi nr.13, datë 14.05.1996
(V - 13/96)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët
Hilmi Dakli, Manol Konomi, Feti Gjilani, Alfred Karamuço, Veli
Budo, Zija Vuci, Franc Jakova - relator i çështjes,
në datën 13.05.1996, mori në shqyrtim në seancë
gjyqësore çështjen me kërkuese: PARTIA ALEANCA
DEMOKRATIKE E SHQIPERISE, me objekt: "Shfuqizimi i Vendimit nr.341
Prot., datë 05.05.1996 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
për mosregjistrimin e Z. Idriz Basha si kandidat për deputet
i Partisë Aleanca Demokratike në zonën elektorale nr.9
dhe shfuqizimi i Vendimit nr.348 Prot., datë 02.05.1996 të
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mosregjistrimin e Z.
Arben Saraçi si kandidat për deputet i Partisë Aleanca
Demokratike në zonën elektorale nr.87".
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
me shumicë votash, vendosi:
"1. Rrëzimin e kërkesës së Partisë Aleanca
Demokratike për shfuqizimin e Vendimit nr.341 Prot., datë
05.05.1996 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mosregjistrimin
e Z. Idriz Basha si kandidat për deputet i Partisë Aleanca
Demokratike në zonën elektorale nr.9;
2. Shfuqizimin e Vendimit datë 30.04.1996 të komisionit të
zgjedhjeve të zonës nr.87 dhe Vendimit nr.348 Prot., datë
02.05.1996 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mosregjistrimin
e Z. Arben Saraçi si kandidat për deputet i Partisë
Aleanca Demokratike në zonën elektorale nr.87.
Detyrimin e komisionit të zgjedhjeve të zonës nr.87 t'i
japë subjektit elektoral Partia Aleanca Demokratike 2(dy) ditë
afat për ndreqjen e parregullsive të konstatuara në dokumentet
për regjistrimin e kandidatit për deputet Z. Arben Saraçi
dhe në përfundim të marrë vendimin përkatës".
duke arsyetuar:
1. Më datë 26.04.1996 Partia Aleanca demokratike si subjekt
elektoral i ka dorëzuar komisionit të zonës elektorale
nr.9 dokumentet për regjistrimin e Z. Idriz Basha si kandidat për
deputet të saj në këtë zonë. Sipas parashtrimeve
të palës kërkuese në kërkesën e paraqitur
pranë kësaj Gjykate dhe gjatë shqyrtimit të çështjes,
Z. Idriz Basha, shtetas shqiptar, qysh para disa dekadash është
larguar nga Shqipëria dhe është vendosur në Belgjikë;
në Republikën e Shqipërisë ka qëndruar vetëm
në muajt tetor-nëntor 1995 dhe ka vajtur përsëri
në Belgjikë, ku më 19 dhjetor 1995 ka pësuar një
aksident të rëndë dhe ka qëndruar atje në spital
e nën kontrollin e mjekut
deri në 30.04.1996.
Në komisionin e zonës, në Komisionin Qendror të
Zgjedhjeve dhe, së fundi, gjatë shqyrtimit të çështjes
në këtë Gjykatë pala kërkuese nuk paraqiti
prova që Z. Idriz Basha gjatë 6 muajve të ketë pasur
vendbanim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë.
Në këto rrethana, Gjykata Kushtetuese vendimin datë 30.04.1996
të komisionit të zonës nr.9 dhe vendimin nr.Prot.341,
datë 05.05.1996 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për
mosregjistrimin e Z. Idriz Basha si kandidat për deputet i gjen
të mbështetura në nenin 2 të Ligjit nr.7556, datë
04.02.1992 "Për zgjedhjet e Kuvendit Popullor të Republikës
së Shqipërisë", ndryshuar me Ligjin nr.8055, datë
01.02.1996, i cili përcakton, ndër të tjera, edhe kushtin
e domosdoshëm për të pasur të drejtën për
t'u zgjedhur deputet në Kuvendin Popullor - vandbanimin e përhershëm
në Republikën e Shqipërisë për një periudhë
kohe jo më pak se 6 muaj.
Në kërkesën e saj Partia Aleanca Demokratike ka parashtruar
gjithashtu se kërkesa e nenit 2 të ligjit të sipërcituar
që ve kusht vendbanimin e përhershëm në Republikën
e Shqipërisë jo më pak se 6 muaj për të fituar
të drejtën për t'u zgjedhur si deputet, vjen në
kundërshtim me nenin 19 të Ligjit Kushtetues nr.7692, datë
31.03.1993 "Për të Drejtat dhe Liritë Themelore
të Njeriut". Lidhur me këtë kërkesë Gjykata
konstaton se pala kërkuese si parti politike nuk hyn në subjektet
e parashikuara në nenin 25 të Ligjit nr.7561, datë 29.04.1992
"Për disa ndryshime e plotësime në Ligjin nr.7491,
datë 29.04.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese",
të cilat kanë të drejtë të venë në
lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Edhe sigla e vënë
nga Z. Idriz Basha në kërkesën e Partisë Aleanca
Demokratike, pa u paraqitur vetë dhe parashtruar kërkimet
e tij për shkelje të të drejtave kushtetuese, nuk e investon
Gjykatën për të shqyrtuar kushtetutshmërinë
e nenit 2 të ligjit të sipërcituar.
2. Më datë 26.04.1996 Partia Aleanca Demokratike si subjekt
elektoral i ka dorëzuar komisionit të zonës elektorale
nr.87 dokumentet për regjistrimin e Z. Arben Saraçi si kandidat
për deputet të saj në këtë zonë.
Komisioni i zonës me vendimin datë 30.04.1996 ka refuzuar
regjistrimin e Z. Arben Saraçi si kandidat për deputet me
arsyetimin se 18 nga personat që kanë nënshkruar listën
prej 406 zgjedhësish që përkrahin paraqitjen e kandidatit
nuk janë banorë të fshatit Poshnje, pra nuk është
respektuar kërkesa e shkronjës "ç" të
nenit 13 të Ligjit "Për zgjedhjet e Kuvendit Popullor
të Republikës së Shqipërisë". Po me këtë
arsyetim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me Vendimin nr.348 Prot., datë
02.05.1996 ka rrëzuar kërkesën e Partisë Aleanca
Demokratike për prishjen e vendimit të komisionit të
zonës.
Gjykata konstaton se të dy këto vendime janë marrë
pa u respektuar procedura e parashikuar në paragrafin e tretë
të nenit 14 të Ligjit "Për zgjedhjet e Kuvendit
Popullor të Republikës së Shqipërisë",
në të cilin thuhet: "Kur komisioni i zgjedhjeve i zonës
vëren parregullsi në kërkesën dhe dokumentet për
regjistrimin e kandidatëve, njofton subjektet elektorale për
ndreqjen e tyre brenda dy ditëve nga konstatimi. Në rast të
kundërt, komisioni i zgjedhjeve i zonës merr vendimin përkatës".
Rrjedhimisht, Gjykata çmon se vendimi i komisionit të zonës
nr.87 dhe Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhen shfuqizuar;
komisioni i zonës nr.87 duhet t'i japë dy ditë afat palës
kërkuese për ndreqjen e parregullsive që konstaton në
dokumentet për regjistrimin e kandidatit dhe vetëm pastaj
të marrë vendimin përkatës.
Votoi kundër këtij vendimi Feti Gjilani, përsa i përket
kërkuesit Idriz Basha
(V - GjK - 13/96 - FZ.21/96, fq.796-797)
Vendimi nr.14, datë 15.05.1996
(V - 14/96)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët
Manol Konomi, Feti Gjilani, Alfred Karamuço, Veli Budo, Zija
Vuci, Franc Jakova, Hilmi Dakli - relator i çështjes,
në datat 13.05.1996 dhe 14.05.1996, mori në shqyrtim në
seancë gjyqësore çështjen me kërkuese: PARTIA
SOCIAL PUNETORE SHQIPTARE, me objekt: "Mosregjistrimi i kandidaturës
për deputet të Z. Bashkim Merkaj në zonën elektorale
nr.84 Mallakastër, në bazë të Ligjit nr.7556, datë
04.02.1992 "Për zgjedhjet e Kuvendit Popullor të Republikës
së Shqipërisë", ndryshuar me Ligjin nr.8055, datë
01.02.1996".
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
njëzëri, vendosi: "Detyrimin e komisionit të zgjedhjeve
të zonës nr.84 Mallakastër t'i japë Partisë
Social Punëtore një afat të nevojshëm për përgatitjen
rishtazi dhe paraqitjen e dokumentacionit të kërkuar nga neni
13 i Ligjit "Për zgjedhjet e Kuvendit Popullor" dhe si
të jenë paraqitur në rregull dhe në afatin e caktuar
prej tij, të marrë vendimin përkatës".
duke arsyetuar:
Partia Social Punëtore në zonën 84 Mallakastër
ka paraqitur si kandidat të sajin Z. Bashkim Merkaj. Për këtë
qëllim kandidati në fjalë më datë 25.04.1996
i ka dorëzuar komisionit elektoral të zonës dokumentet
e nevojitura dhe konkretisht: kërkesën e Partisë Social
Punëtore, dy kopje të deklaratës të vetë kandidatit,
vendimin e komisionit shtetëror për kontrollin e figurës
morale dhe listën e zgjedhjeve të nënshkruar nga 470
zgjedhës, sipas formës së kërkuar. Më datë
26.04.1996 në orën 20.30' kandidati është paraqitur
në komision, ku ishin kryetari dhe anëtarët e komisionit
dhe i është kërkuar kryetarit të pajiseshin me dokumentin
e dorëzimit, por nga ana e tij iu tha se nuk ishte i nevojshëm.
Për këtë shkak anëtarët e komisionit që
ishin përfaqësues të subjekteve elektorale, mbajtën
një procesverbal të përbashkët me të cilën
vërtetohet dorëzimi i dokumentave të 6 partive pjesëmarrëse
ndër të cilët edhe ai i Partisë Social Punëtore.
Më datë 29.04.1996, partia ankuese u informua nga përfaqësuesi
i saj se mungonin dokumentet e kandidatit. Për t'u siguruar më
mirë më datë 30.04.1996 u dërgua në zonë
sekretari i përgjithshëm i kësaj partie i cili mori përgjigjen
se dokumentet mungonin. Për këtë partia iu drejtua Komisionit
Qendror të Zgjedhjeve me një notë të shkruar rekomande
datë 30.04.1996 dhe morën prej tij vetëm një përgjigje
gojore, se pranë atij Komisioni nuk ndodheshin të paraqitura
dokumentet.
Rrethanat e sipërme i provon me kopjen e procesverbalit datë
26.04.1996, me kopjen e notës datë 30.04.1996, një dëftesë
postare si edhe me kopjen e shkresës tjetër drejtuar po Komisionit
Qendror nr.18 Prot., datë 26.04.1996 me të cilën i është
dërguar lista me 6 emra, ndër të cilët edhe kandidati
Bashkim Merkaj.
Gjykata nga të dhënat e sipërme konkludon se dokumentet
janë paraqitur dhe mungesa e tyre rrjedh për fajin e komisionit
të zonës, duke iu mohuar kështu e drejta ligjore e kandidimit.
Për rivendosjen e asaj të drejte, palës ankuese i duhet
dhënë mundësia e ribërjes së dokumentave.
(V - GjK - 14/96 - FZ.23/96, fq.849-850)
Vendimi nr.15, datë 15.05.1996
(V - 15/96)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët
Hilmi Dakli, Manol Konomi, Feti Gjilani, Alfred Karamuço, Veli
Budo, Zija Vuci, Franc Jakova - relator i çështjes,
në datën 14.05.1996, mori në shqyrtim në seancë
gjyqësore çështjen me kërkuese: PARTIA "BASHKIMI
PER TE DREJTAT E NJERIUT", me objekt: "Mosregjistrimi i Znj.
Gjyste Dushku si kandidate për deputete nga komisioni i zgjedhjeve
të zonës nr.17"
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
njëzëri, vendosi: "Detyrimin e komisionit të zgjedhjeve
të zonës nr.17 t'i kthejë Partisë "Bashkimi
për të Drejtat e Njeriut" dokumentat e Znj. Gjyste Dushku
dhe t'i japë 2 (dy) ditë afat për ndreqjen e parregullsisë
së konstatuar dhe pas riparaqitjes së tyre të marrë
vendimin përkatës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vërë menjëherë
në dispozicion të komisionit të zgjedhjeve të zonës
nr.17 dokumentet që i përkasin Znj. Gjyste Dushku".
duke arsyetuar:
Partia "Bashkimi për të Drejtat e Njeriut" si
subjekt elektoral ka paraqitur pranë komisionit të zgjedhjeve
të zonës nr.17 dokumentet e Znj.Gjyste Dushku për ta
regjistruar si kandidate për deputete në zgjedhjet për
deputetë të Kuvendit Popullor.
Siç rezulton nga pika 8 e Protokollit nr.3, datë 30.04.1996
të komisionit të zgjedhjeve të zonës nr.17, dokumentet
e znj. Gjyste Dushku ky komision i ka gjetur të rregullta, me përjashtim
të vendimit datë 24.04.1996 të Komisionit Shtetëror
për Kontrollin e Figurës së Zyrtarëve dhe Personave
të tjerë, në të cilin mbiemri i shënuar "Dusha"
nuk përputhet me mbiemrin "Dushku" të dokumenteve
të tjera të paraqitura. Nisur nga ky fakt, komisioni i zgjedhjeve
të zonës nr.17, nuk e ka regjistruar Znj. Gjyste Dushku si
kandidate për deputete dhe pa pasur asnjë bazë ligjore
ka lënë që çështjen ta zgjidhë Komisioni
Qendror i Zgjedhjeve. Megjithë ndërhyrjet e palës kërkuese,
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka zgjidhur këtë problem.
Gjykata çmon se në rastin konkret komisioni i zgjedhjeve
të zonës nr.17 ishte i detyruar të zbatonte kërkesën
e paragrafit të tretë të nenit 14 të Ligjit nr.7556,
datë 04.02.1992 "Për zgjedhjet e Kuvendit Popullor të
Republikës së Shqipërisë", ndryshuar me Ligjin
nr.8055, datë 01.02.1996, sipas të cilit: "Kur komisioni
i zgjedhjeve i zonës vëren parregullsi në kërkesën
dhe dokumentet për regjistrimin e kandidatëve, njofton subjektet
elektorale për ndreqjen e tyre brenda dy ditëve nga konstatimi.
Në rast të kundërt, komisioni i zgjedhjeve i zonës
merr vendimin përkatës".
(V - GjK - 15/96 - FZ.23/96, fq.851)
Vendimi nr.16, datë 16.05.1996
(V - 16/96)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët
Hilmi Dakli, Manol Konomi, Feti Gjilani, Veli Budo, Zija Vuci, Franc
Jakova, Alfred Karamuço - relator i çështjes,
në datën 16.05.1996, mori në shqyrtim në seancë
gjyqësore çështjen me kërkuese: PARTIA KOMBETARE
E LEGALITETIT, me objekt: "Shfuqizimi i Vendimit nr.429, datë
11.05.1996 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mosregjistrimin
e kandidatëve për deputetë në listën për
mandatet shtesë, neni 15 i Ligjit nr.7556, datë 04.02.1992
"Për zgjedhjet në Kuvendin Popullor të Republikës
së Shqipërisë, ndryshuar me Ligjin nr.8055, datë
01.02.1996".
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
njëzëri, vendosi: "Rrëzimin e kërkesës
së Partisë Kombëtare të Legalitetit".
duke arsyetuar:
Partia Kombëtare e Legalitetit, me shkresën nr.82/1, datë
25.04.1996 ka paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve
kandidatët për deputetë në listën për
mandatet shtesë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vendimin nr.429, datë 11.05.1996
ka refuzuar regjistrimin e kandidatëve të Partisë Kombëtare
të Legalitetit në listën për mandatet shtesë,
me arsyetimin se kërkesa është paraqitur në datën
29.04.1996, jashtë afatit ligjor.
Kërkuesi pretendon se i është drejtuar Komisionit Qendror
të Zgjedhjeve brenda afatit ligjor.
Nga materialet e paraqitura nga kërkuesi, vërtetohet se lista
për mandatet shtesë është dërguar pranë
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në datën 29.04.1996
me numër protokolli 166, pra tej afatit të parashikuar në
nenin 15 të Ligjit nr.7556, datë 04.02.1992 "Për
zgjedhjet e Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë",
ndryshuar me Ligjin nr.8055, datë 01.02.1996. Në bazë
të kësaj dispozite lista me mandatet shtesë, subjektet
elektorale i paraqesin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve
jo më vonë se 30 ditë para datës së votimit.
(V - GjK - 16/96 - FZ.23/96, fq.851-852)
Vendimi nr.17, datë 17.05.1996
(V - 17/96)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët
Hilmi Dakli, Manol Konomi, Feti Gjilani, Zija Vuci, Franc Jakova, Alfred
Karamuço, Veli Budo - relator i çështjes,
në datën 16.05.1996, mori në shqyrtim në seancë
gjyqësore çështjen me kërkues: SINAN HYSEN TAFAJ,
me objekt: "Detyrimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të
caktojë anëtar të komisionit të zonës nr.22
përfaqësuesin e propozuar prej Z. Sinan Tafaj si kandidat
i pavarur".
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
njëzëri, vendosi: "Detyrimin e Komisionit Qendror të
Zgjedhjeve të caktojë si anëtar të komisionit të
zgjedhjeve të zonës nr.22 personin e kërkuar si përfaqësues
nga kandidati për deputet të pavarur, Sinan Tafaj".
duke arsyetuar:
Kërkuesi Sinan Hysen Tafaj, është regjistruar si kandidat
i pavarur për zgjedhjet e Kuvendit Popullor të 26 Majit 1996
në zonën e zgjedhjeve nr.22, më datë 26.04.1996.
Po atë ditë ai është paraqitur në Komisionin
Qendror të Zgjedhjeve dhe në zbatim të nenit 37 të
Ligjit nr.7556, datë 04.02.1992 "Për zgjedhjet e Kuvendit
Popullor të Republikës së Shqipërisë",
ka kërkuar caktimin e përfaqësuesit të tij në
komisionin e zonës përkatëse të zgjedhjeve.
Kërkuesi pretendon se ka marrë përgjigje gojore se kërkesa
nuk merret parasysh mbasi është paraqitur jashtë afatit
të caktuar nga ky Komision.
Lidhur me këtë përfaqësuesi i Komisionit Qendror
të Zgjedhjeve pranoi se ky komision ka vendosur që afati brenda
të cilit subjektet elektorale do të propozonin anëtarët
e komisioneve të zgjedhjeve ishte data 22.04.1996.
Gjykata çmon se afati i caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
për paraqitjen e propozimeve të përfaqësuesve të
subjekteve elektorale për komisionet e zonave deri në datën
22.04.1996, është bërë në përputhje të
plotë me përmbajtjen e nenit 37 të Ligjit "Për
zgjedhjet e Kuvendit Popullor". Respektimi i këtij afati është
i detyrueshëm për partitë politike si subjekte elektorale,
kurse për kandidatët e pavarur afati i sipërm nuk mund
të zbatohet për vetë faktin se komisioni i zgjedhjeve
të zonës fillon nga veprimtaria pas datës 22.05.1996
dhe personat që kërkojnë të kandidohen si të
pavarur ende nuk e kanë fituar cilësinë e subjektit elektoral.
(V - GjK - 17/96 - FZ.23/96, fq.853-854)
Vendimi nr.18, datë 17.05.1996
(V - 18/96)
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët
Hilmi Dakli, Manol Konomi, Feti Gjilani, Veli Budo, Zija Vuci, Franc
Jakova, Alfred Karamuço - relator i çështjes,
në datën 16.05.1996, mori në shqyrtim në seancë
gjyqësore çështjen me kërkues: VEIZ RAHMI KARAGJOZI,
me objekt: "Detyrimin e Komisionit të Kontrollit të Figurës
së personave Zyrtarë për t'i dhënë vendim,
në bazë të neneve 7,8,9 të Ligjit nr.8043, datë
30.11.1995 "Për kontrollin e figurës së zyrtarëve
dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit
demokratik"".
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë,
me shumicë votash, vendosi: "Rrëzimin e kërkesës".
duke arsyetuar:
Veiz Rahmi Karagjozi, në kërkesën e paraqitur pranë
kësaj Gjykate pretendon se me qenë se do vendosë kandidaturën
për deputet, si subjekt i pavarur në zgjedhjet e 26 majit
1996, është paraqitur brenda afatit ligjor në Komisionin
Shtetëror të Kontrollit të figurës së zyrtarëve
dhe personave të tjerë, me kërkesën për t'i
dhën&eu |