Albania Online WebStudio Internet Service Provider
 :: Miresevini ne WebSitin zyrtar te Gjykates Kushtetuese te Republikes se Shqiperise.

Vendimet e vitit 1998

Vendimi nr. 2, datë 30.01.1998
Vendimi nr. 3, datë 02.02.1998
Vendimi nr. 4, datë 02.02.1998
Vendimi nr. 7, datë 10.04.1998
Vendimi nr. 9, datë 18.05.1998
Vendimi nr.16,datë 03.06.1998
Vendimi nr.17,datë 08.06.1998
Vendimi nr.18, datë 08.06.1998
Vendimi nr.20, datë 10.06.1998
Vendimi nr.22, datë 19.06.1998
Vendimi nr.23, datë 22.06.1998
Vendimi nr.30, datë 14.07.1998
Vendimi nr.31, datë 14.07.1998
Vendimi nr. 34, datë 29.07.1998
Vendimi nr.39, datë 30.09.1998
Vendimi nr. 40,datë 30.09.1998
Vendimi nr.42, datë 07.10.1998
Vendimi nr.47, datë 14.10.1998
Vendimi nr.48, datë 14.10.1998
Vendimi nr.56, datë 04.11.1998
Vendimi nr.57, datë 04.11.1998
Vendimi nr.58, datë 04.11.1998
Vendimi nr.59, datë 29.10.1998
Vendimi nr.71, datë 02.12.1998
Vendimi nr.72, datë 14.12.1998
Vendimi nr 73, datë, 17.12.1998
Vendimi nr.74, datë 29.12.1998
Vendimi nr.75, datë 29.12.1998
Vendimi nr.76, datë 29.12.1998
Vendimi nr.77, datë 31.12.1998
Vendimi nr 79, datë 31.12.1998

Vendimi nr.2, datë 30.01.1998
(V - 2/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët Hilmi Dakli,Veli Budo, Alfred Karamuço, Kristofor Peçi, Franc Jakova - relator i çështjes,

më datë 21.01.1998, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen me kërkuese: SHOQERIA "LOXHALL" LIMITED, me objekt: "Shfuqizimin si antikushtetues të Vendimit nr.2728, datë 09.04.1996 të Gjykatës së Rrethit Tiranë; Vendimit nr.3642, datë 11.06.1996 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe Vendimit nr.1740, datë 07.11.1996 të Gjykatës së Kasacionit".

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, konstaton pamundësinë e marrjes së vendimit përfundimtar.

duke arsyetuar:
Shqyrtimi i kësaj çështje është bërë nga Gjykata Kushtetuese me trup gjykues të përbërë prej gjashtë anëtarësh nga nëntë anëtarë që ajo ka gjithsej, sipas ligjit, sepse një anëtar ka dhënë dorëheqjen para një muaji dhe akoma nuk është zëvëndësuar nga organi kompetent, ndërsa dy të tjerët nuk kanë marrë pjesë në këtë gjykim, sepse më parë kanë qënë gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kanë marrë pjesë në trupat gjykuese që kanë shqyrtuar mosmarrëveshjet civile që kanë pasur palët për zgjidhjen e po këtij konflikti.
Gjatë bisedimeve në këshill për dhënien e vendimit nuk u arrit shumica e kërkuar nga ligji kushtetues për t'i dhënë zgjidhje përfundimtare çështjes objekt shqyrtimi.

(V - GjK - 2/98 - FZ. ___

fillim i faqes



Vendimi nr.3, datë 02.02.1998
(V-3/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët Hilmi Dakli,Veli Budo, Zija Vuci, Alfred Karamuço, Halil Kopani, Kristofor Peçi, Franc Jakova,- relator i çështjes,

më datë 21.01.1998, shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen me kërkuese: SHOQATA E KRYETAREVE TE BASHKIVE, me objekt: "Shfuqizimin si antikushtetues të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.161, datë 11.03.1996 "Për organizimin e strukturave të gjendjes civile".


Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, me shumicë votash, vendosi shfuqizimin e pikave 1, 4 e 5 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.161, datë 11.03.1996.

duke arsyetuar:

Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.161, datë 11.03.1996 "Për organizimin e strukturave të gjendjes civile", në pikat 1, 4 e 5 vjen në kundërshtim me Ligjin nr.7608, datë 22.02.1992 "Për Prefekturat" me ndryshimet që i janë bërë me Ligjin nr.8209, datë 22.04.1997, pasi në asnjë nen të këtyre ligjeve mbi të cilat bazohet Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk parashikohet që Prefekti ka kompetenca të emërojë dhe shkarkojë nëpunësat e gjendjes civile. Përkundrazi, në nenin 5 të Ligjit nr.8209, datë 22.04.1997 "Për disa ndryshime në Ligjin nr.7608, datë 22.02.1992 "Për Prefekturat", përcaktohet se prefekti ka të drejtën e emërimit dhe të shkarkimit vetëm për personelin e administratës së prefekturës, dhe të drejtën e propozimit për emërimin dhe shkarkimin e sekretarëve të këshillave lokale dhe drejtuesve të shërbimeve të administratës shtetërore në nivel lokal.
Eshtë e vërtetë se në Ligjin "Për Prefekturat" është parashikuar se prefekti ushtron edhe kompetenca të tjera që i delegohen nga Këshilli i Ministrave, por atij mund t'i delegohen vetëm ato kompetenca që nuk vijnë në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji.
Në këto kushte, Gjykata arrin në përfundimin se pikat 1, 4 e 5 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.161, datë 11.03.1996 "Për organizimin e strukturave të gjendjes civile", duhet të shfuqizohen.

Votuan kundër këtij vendimi Hilmi Dakli, Zija Vuci e Franc Jakova.
(V-GjK-3/98-FZ___)

fillim i faqes


Vendimi nr.4, datë 02.02.1998
(V - 4/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Rustem Gjata, Kryetar dhe gjyqtarët Hilmi Dakli, Veli Budo, Zija Vuci, Franc Jakova, Alfred Karamuço, Halil Kopani, Kristofor Peçi - relator i çështjes,

më datë 28.01.1998, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen me kërkuesa: GRUPI PARLAMENTAR I PARTISE DEMOKRATIKE dhe QAMIL TUSHA, ISH-GUVERNATOR I BANKES SE SHQIPERISE, me Objekt: "Papajtueshmëria me Kushtetutën e gërmës "ç" të nenit 2 të Ligjit nr.8230, datë 06.08.1997 "Për disa ndryshime në Ligjin nr.8076, datë 22.02.1996 "Për Bankën e Shqipërisë"".

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, njëzëri, vendosi pushimin e gjykimit të çështjes.

duke arsyetuar:

Gjatë kohës që çështja ishte në shqyrtim për marrjen e vendimit, Kuvendi Popullor me Ligjin nr.8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", ka shfuqizuar Ligjin nr.8076, datë 22.02.1996 "Për Bankën e Shqipërisë", me të gjitha ndryshimet e mëvonshme të tij, objekt kërkese. Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese çmon se me daljen e ligjit të ri, çështja mbetet pa objekt, prandaj duhet të vendoset pushimi i gjykimit.

(V-GjK-4/98-FZ __)


fillim i faqes


Vendimi nr.7, datë 10.04.1998
(V-7/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga gjyqtarët Hilmi Dakli, Veli Budo, Franc Jakova, Zija Vuci, Alfred Karamuço, Kristofor Peçi, Halil Kopani - relator i çështjes,

më datë 12.01.1998, shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen me kërkues: HASAN LAÇAJ, me objekt: "Shfuqizimin si antikushtetues të Vendimit nr.83, datë 21.01.1997 të kolegjit civil të Gjykatës së Kasacionit".

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, njëzëri, vendosi të shfuqizojë si antikushtetues Vendimin nr.83, datë 21.01.1997 të kolegjit civil të Gjykatës së Kasacionit, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në atë Gjykatë.

duke arsyetuar:

Në kuadrin e privatizimit të pronës shtetërore, Agjencia Kombëtare e Privatizimit, duke u mbështetur në Ligjin nr.7512, datë 10.08.1991 "Për sanksionimin dhe mbrojtjen e prinës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit, me shkresën nr.3634, datë 13.11.1995, ka autorizuar kalimin e Hotel Turizmit "Rozafa" Shkodër në pronësi private në favor të 40 ish të përndjekurve politikë, të cilët kanë formuar shoqërinë tregtare "Rozafat" Shkodër dhe, mbi këtë bazë, më datë 28.06.1996 Filiali i Albturizmit Hotel "Rozafa" Shkodër ka bërë shitjen e këtij hoteli këtyre ish të përndjekurve politikë.
Kërkuesi, duke qenë ish-pronar i një pjese të truallit nën objekt, ka kërkuar në gjykatë deklarimin e pavlefshëm të veprimit juridik të kësaj kontrate shitjeje me pretendimin se si ish-pronar trualli, në bazë të nenit 21 të Ligjit nr.7698, datë 15.04.1993 "Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve", gëzon të drejtën e parablerjes të këtij objekti.
Gjykata e rrethit Tiranë, me vendimin nr.2869, datë 12.04.1996, ka vendosur rrëzimin e padisë për mungesë objekti, vendim të cilin Gjykata e Apelit me vendimin e saj nr.3942, datë 10.07.1996 e ka prishur dhe, duke e gjykuar çështjen në fakt, ka vendosur pranimin e padisë, deklarimin të pavlefshëm të veprimit juridik dhe kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme.
Kolegji civil i Gjykatës së Kasacionit, me vendimin nr.83, datë 21.01.1997, ka vendosur prishjen e këtij vendimi dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së rrethit me plotësimin se padia rrëzohet për mungesë të legjitimimit aktiv të palës paditëse.
Në vendimin e kolegjit civil, arsyetohet se kërkuesi nuk legjitimohet në ngritjen e padisë, pasi në pronësi ka 30.7 % të sipërfaqes së truallit nën objektin e Hotelit "Rozafa", sepse sipas pikës 8, paragrafi 4 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.203, datë 03.05.1995, ish-pronari duhet të ketë në pronësi mbi 80 % të sipërfaqes së truallit nën objekt për të gëzuar të drejtën e parablerjes së të gjithë objektit dhe se akti i shitblerjes së hotelit nga 40 ish të përndjekurit është i ligjshëm, pasi e drejta e parablerjes atyre u lind në bazë të nenit 12 të Ligjit nr.7748, datë 29.07.1993 "Për statusin e ish të përndjekurve e persekutuarve politikë".
Një zgjidhje e tillë e çështjes nga Gjykata e Kasacionit është e gabuar, sepse në radhë të parë vjen në kundërshtim me pikën 8, paragrafi 4 të Vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili nuk i mohon ish-pronarit të drejtën e parablerjes qoftë edhe në pjesë të objektit kur i nënshtrohet privatizimit, si dhe me nenet 27 dhe 38 të Kreut "Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut", të Ligjit nr.7692, datë 31.03.1993 "Për një shtojcë në Ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", sepse sipas këtyre dispozitave fitimi i pronësisë rregullohet me ligj dhe se prona ose të drejtat e pranuara me ligj nuk mund të cënohen pa një proces të rregullt ligjor.
Në rastin konkret e drejta e kërkuesit për të fituar pronësinë e objektit mbi truallin ish-pronë e tij është sanksionuar në nenin 21 të Ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve", sipas të cilit: "Në trojet e zëna me ndërtime shtetërore, si dyqane, magazina, punishte etj., ish-pronarët kanë të drejtën e parablerjes së këtyre objekteve, kur privatizohen me çmimet e përcaktuara sipas dispozitave në fuqi".
Sipas kësaj dispozite, e drejta e parablerjes është një e drejtë parimore e ish-pronarëve të truallit mbi të cilin ndodhet objekti që i nënshtrohet privatizimit dhe, si mënyrë fitimi e pronës së rregulluar me ligj, përbën një të drejtë kushtetuese të pacënueshme, e cila nuk mund të mohohet jashtë vullnetit të ish-pronarit, pavarësisht nga pjesa që i takon në privatizim.
Gjithashtu, Gjykata e Kasacionit ka pranuar se akti i shitjes së Hotelit "Rozafa", 40 ish të përndjekurve politikë është i ligjshëm nga që e drejta e parablerjes atyre u lind në bazë të nenit 12 të Ligjit nr.7748, datë 29.07.1993 "Për statusin e ish të përndjekurve dhe të persekutuarve politikë nga sistemi komunist".
Ky konkluzion i Gjykatës nuk është i drejtë mbasi vjen në kundërshtim me Vendimin nr.10, datë 31.07.1995 të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit ligji i sipërm "I njeh të drejtën Këshillit të Ministrave të marrë masa favorizimi ndaj të përndjekurve politikë, por jo t'u njohë të drejtën e parablerjes së objekteve të ndërtuara mbi truallin e ish-pronarëve".
Gjykata e Kasacionit po kështu, ndërsa e ka gjykuar çështjen në themel, duke arsyetuar se veprimi juridik (kontrata e shitjes) është i ligjshëm, vendos rrëzimin e padisë për shkak se mungon legjitimimi aktiv i palës paditëse. Ky qëndrim i Gjykatës vjen në kundërshtim me nenin 86 të Kodit të Procedurës Civile (të vjetër), sipas të cilit nga kushdo mund të ngrihet padi "për të kërkuar rivendosjen e një të drejte të mohuar".
Në rastin në shqyrtim, kërkuesi si palë e interesuar, legjitimohet për të kërkuar me anën e Gjykatës, njohjen e të drejtës së mohuar ose të shkelur nga një veprim juridik i kryer nga një i tretë, i cili, sipas tij i ka cënuar interesin pasuror të tij, që është e drejta e parablerjes së objektit që i nënshtrohet privatizimit, të ndërtuar në truallin e tij. Ligjërisht çdo person justifikohet në kërkimin për njohjen ose rivendosjen e një të drejte të shkelur ose të mohuar nga një i tretë (legjitimimi aktiv) dhe vetëm kundër atij që me faktin ose me veprimin e tij mohon ose shkel të drejtën e kërkuesit (legjitimimi pasiv).
Gjykata duke rrëzuar padinë për mungesë legjitimimi aktiv i ka mohuar kërkuesit të drejtën të mbrojë interesat e tij, të cilat pretendon se nga një veprim juridik i paligjshëm i janë cënuar. Kjo vetëvetiu përbën një shkelje të rëndë procedurale civile, e cila e bën procesin gjyqësor të parregullt, që passjell cënimin e të drejtës së kërkuesit të pranuar me ligj për parablerjen e objektit të ndërtuar mbi pronën e tij.
Në këto kushte, Vendimi nr.83, datë 21.01.1997 i kolegjit civil të Gjykatës së Kasacionit është antikushtetues, sepse nga sa u parashtrua janë shkelur nenet 27 dhe 38 të Ligjit Kushtetues nr.7692, datë 31.03.1993 për "Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut", konkretisht e drejta e fitimit të pronës të rregulluar me ligj dhe e drejta për një proces të rregullt ligjor.

(V-GjK-7/99-FZ____)

fillim i faqes

Vendimi nr.9, datë 18.05.1998
(V - 9/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga Fehmi Abdiu, Kryetar dhe gjyqtarët Hilmi Dakli, Zija Vuci, Hajredin Fuga, Kristofor Peçi, Kujtim Puto, Sokol Sadushi, Alfred Karamuço - relator i çështjes,

më datë 06.05.1998, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me kërkues: SHEFQET BRUKA, me objekt: "Shfuqizimin e Vendimit nr.19, datë 05.01.1998 të Këshillit të Ministrave "Për caktimin e të deleguarit të Këshillit të Ministrave në funksionin e Kryetarit të Komunës Bushtricë të rrethit të Kukësit".

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e kërkesës,

duke arsyetuar:
Në datën 23.11.1997 ka vdekur kryetari i komunës së Bushtricës në rrethin e Kukësit, Maksut Palushi.
Me propozim të ish-Sekretarit të Shtetit për Pushtetin Lokal, Këshilli i Ministrave, me Vendimin nr.19, datë 05.01.1998 ka caktuar si të deleguar me detyrën e kryetarit të komunës, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja për këtë funksion zotin Ramadan Gjici.
Zoti Shefqet Bruka, me detyrën e Kryetarit të Këshillit të Rrethit të Kukësit, në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese ka pretenduar se Vendimi nr.19, datë 05.01.1998 i Këshillit të Ministrave, është i pabazuar në ligj e si i tillë duhet të shfuqizohet. Për këtë kërkesë Z.Shefqet Bruka sjell si argument faktin se Këshilli i Ministrave në bazë të Ligjit nr.8068, datë 05.02.1996 mund të caktojë të deleguar në rastet e shkarkimit të kryetarëve të komunave e bashkive e jo në raste të tjera (siç është edhe vdekja) dhe se detyrat e kryetarit përkohësisht mund t'i kryejë zëvëndëskryetari i komunës. Sipas tij, në këtë mënyrë janë shkelur pavarësia e vetëadministrimi i pushtetit lokal.
Gjykata Kushtetuese, pa i hyrë shqyrtimit të pretendimeve të kërkuesit, konstaton para së gjithash se ai nuk legjitimohet t'i drejtohet me kërkesë kësaj Gjykate. Sipas nenit 25 të Ligjit Kushtetues nr.7561, datë 29.04.1992, krahas subjekteve të tjerë, Gjykatën Kushtetuese e venë në lëvizje me kërkesën e tyre edhe organet lokale të pushtetit. Por, kryetari i këshillit të rrethit (siç është në këtë rast kërkuesi) nuk është organ përfaqësues pushteti. Në bazë të nenit 7 të Ligjit Kushtetues nr.7570, datë 03.06.1992 si kryetari ashtu dhe kryesia e këshillit të rrethit, janë organe ekzekutive. Si të tilla funksionet e tyre janë të përcaktuara në Ligjin nr.7572, datë 10.06.1992 "Për Organizimin e Funksionimin e Pushtetit Lokal" nga neni 52 i të cilit del se ata nuk mund të përfaqësojnë në raport me organet e tjera këshillin e rrethit pa u ngarkuar shprehimisht nga ai. Ndryshe ndodh me subjektet e tjera që janë të zgjedhur direkt nga populli e që ligji kushtetues i konsideron organe përfaqësuese pushteti, siç janë kryetari i komunës apo i bashkisë. Për këto organe, Ligji nr.7572, datë 10.06.1992 (neni 33) parashikon shprehimisht të drejtën e tyre të përfaqësimit.
Gjithashtu, kërkuesi nuk mund t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese edhe në emër të Këshillit të Rrethit të Kukësit, pasi, ashtu siç doli nga shqyrtimi i çështjes, këshilli i rrethit jo vetëm nuk e ka autorizuar atë për një veprim të tillë, por as që e ka diskutuar këtë problem.

Votuan kundër këtij vendimi Hilmi Dakli dhe Zija Vuci.

(V - GjK - 9/98 - FZ.13/98)

fillim i faqes

Vendimi nr.16, datë 03.06.1998
(V - 16/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga Fehmi Abdiu kryetar dhe gjyqtarët Hajredin Fuga, Zija Vuci, Franc Jakova, Kristofor Peçi, Kujtim Puto, Sokol Sadushi, Alfred Karamuço, Hilmi Dakli - relator i çështjes,

më datë 01.05.1998, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen me kërkues: GRUPI PARLAMENTAR I PARTISE SOCIALDEMOKRATE, me objekt: "Interpretimi i nenit 24 pika 4 të Ligjit nr.7561, datë 29.04.1992 "Për disa ndryshime e plotësime në Ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese".

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, njëzëri, vendosi: "1. Gjykata Kushtetuese është kompetente të shqyrtojë pajtueshmërinë (përputhjen) me Kushtetutën vetëm për marrëveshjet ndërkombëtare që lidhen në emër të Republikës së Shqipërisë dhe gjithmonë para ratifikimit të tyre;
2. Kontrolli Kushtetues nga Gjykata Kushtetuese për këto marrëveshje, për çdo rast konkret inicohet nga subjektet e parashikuara nga neni 25 i Ligjit "Për disa ndryshime e plotësime në Ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", vetëm kur ato e çmojnë si të domosdoshëm një kontroll të tillë dhe kur me kërkesë të argumentuar i drejtohen kësaj Gjykate".

duke arsyetuar:

Grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate me kërkesën datë 25.05.1998 ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të bëjë interpretimin e pjesëshëm të pikës 4 të nenit 24 të Ligjit nr.7561, datë 29.04.1992, duke parashtruar: "nëse zbatimi i saj duhet të bëhet në çdo rast dhe për çdo marrëveshje ndërkombëtare në veçanti para ratifikimit të tyre nga ana e organeve përkatëse apo vetëm në ato raste kur për to lindin dyshime për papajtueshmërinë e tyre me Kushtetutën ose me ligjet kushtetuese".
Sipas pikës 4 të nenit 24 të Ligjit "Për disa ndryshime e plotësime në Ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", Gjykata Kushtetuese "vendos për papajtueshmërinë me Kushtetutën të marrëveshjeve ndërkombëtare, që lidhen në emër të Republikës së Shqipërisë para ratifikimit të tyre si dhe për përputhjen e ligjeve me normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare si dhe me marrëveshjet në të cilat Republika e Shqipërisë është palë".
Gjykata konstaton se sipas pikës 5 të nenit 16 të Ligjit "Për dispozitat kryesore kushtetuese" nr.7491, datë 29.04.1991, Kuvendi Popullor ratifikon dhe denoncon traktatet me karakter politik; traktatet ose marrëveshjet me karakter ushtarak; traktatet dhe marrëveshjet që kanë të bëjnë me kufijtë e Republikës së Shqipërisë; traktatet ose marrëveshjet që kanë të bëjnë me të drejtat dhe detyrat themelore të shtetasve; traktatet që kanë si rrjedhim detyrime financiare për shtetin; traktatet ose marrëveshjet e tjera me të cilat parashikohet që ratifikimi ose denoncimi i tyre të bëhet nga Kuvendi Popullor.
Po ashtu sipas pikës 10 të nenit 28 të këtij ligji, Presidenti i Republikës lidh traktate ose marrëveshje ndërkombëtare; ratifikon dhe denoncon ato që nuk i shqyrton vetë Kuvendi Popullor.
Gjithashtu, sipas pikës 6 të nenit 36 të këtij ligji dhe Këshilli i Ministrave lidh marrëveshje ndërkombëtare, miraton dhe denoncon ato që nuk i nënshtrohen ratifikimit.
Nga të gjitha këto traktate e marrëveshje objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese bëhen vetëm ato që lidhen në emër të Republikës së Shqipërisë para ratifikimit të tyre, kusht ky që është përcaktuar shprehimisht në pikën 4 të nenit 24 të ligjit kushtetues.
Marrëveshjet e lartpërmendura mund të bëhen objekt për shqyrtim në këtë Gjykatë në kushte të caktuara, kur për shqyrtimin e pajtueshmërisë së tyre me Kushtetutën bëhet kërkesë e argumentuar nga subjektet që e venë në lëvizje sipas nenit 25.
Pra, për të arritur në këto përfundime duhen parë në harmoni që të dyja këto dispozita të ligjit kushtetues.

(V - GjK - 16/98 - FZ. ____)

fillim i faqes


Vendimi nr.17, datë 08.06.1998
(V - 17/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga Fehmi Abdiu, Kryetar dhe gjyqtarët Hilmi Dakli, Hajredin Fuga, Zija Vuci, Franc Jakova, Kristofor Peçi, Kujtim Puto, Sokol Sadushi dhe Alfred Karamuço - relator i çështjes,

më datë 30.04.1998, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen me kërkuese: FIGALI BEJ, me objekt: "Deklarimin antikushtetues i vendimit nr.1387, datë 18.11.1997 të kolegjit civil të Gjykatës së Kasacionit".

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e kërkesës,

duke arsyetuar:

Në vitin 1952 është shtetëzuar në Tiranë një banesë, pronë e Milto Dushit, të cilën më pas shteti ua ka dhënë në pronësi, në formë kompensimi, vëllezërve Lalo. Deri në vitin 1994 kjo banesë ka qenë e ndarë në dy pjesë, njëra në pronësi të Thanas Lalos e tjetra të Frosina Zeqos dhuruar nga babai i saj në vitin 1972.
Me vendimin nr.326, datë 14.04.1994 Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të pronave, ka kthyer shtëpinë në tërësi në pronësi të trashëgimtarëve të Milto Dushit. Duke vlerësuar shtesat e bëra mbi këtë pronë të cilat zinin 14.4 % të vlerës së objektit në tërësi, komisioni vendosi që edhe shtesat të kalonin në pronësi të të lartëpërmendurve.
Frosina Zeqo, ka kundërshtuar në gjykatë vendimin e komisionit përsa i përket pronësisë mbi njërën pjesë duke pretenduar se shtesat e bëra nga ajo zenë mbi 50 % të vlerës së objektit që ka pasur në pronësi.
Gjykata e Rrethit të Tiranës me vendimin nr.8867, datë 01.11.1996 ka vendosur që Frosina Zeqo të njihet si bashkëpronare me 53 % të vlerës së pjesës së banesës që e kishte pasur në pronësi para vitit 1994. Këtë vendim e ka lënë në fuqi Gjykata e Apelit me vendimin nr.175, datë 15.01.1997 si dhe kolegji civil i Gjykatës së Kasacionit me vendimin nr.1387, datë 18.11.1997. Ankimi në këto gjykata është bërë nga Figali Bej, trashëgimtare e Milto Dushit, e cila ka marrë pjesë në procesin gjyqësor si person i tretë.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Figali Bej pretendon se i janë cënuar të drejtat e saj si pronare nëpërmjet një procesi jo të rregullt ligjor, duke u shkelur kështu nenit 38 i Ligjit Kushtetues nr.7692, datë 31.03.1993 "Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut". Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Figali Bej pretendon se i janë cënuar të drejtat e saj si pronare nëpërmjet një procesi jo të rregullt ligjor, duke u shkelur kështu nenit 38 i Ligjit Kushtetues nr.7692, datë 31.03.1993 "Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut". Për të mbështetur këtë pretendim, kërkuesia parashtron se përllogaritja e vlerës së shtesës është bërë e gabuar si përsa i përket çmimeve të aplikuara ashtu dhe ndarjes në pjesë të pronës; se shtesat janë bërë në vitin 1992 pa leje ndërtimi.
Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata Kushtetuese konstaton se këto pretendime kanë të bëjnë me vlerësimin e konkluzioneve të ekspertëve të cilat sipas dispozitave procedurale civile përbëjnë provë e për pasojë vlerësohen si gjithë provat e tjera nga gjykata. Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese konstaton se kërkuesia në të gjitha shkallët e gjykimit nuk ka argumentuar ndonjë shkelje të parimeve esenciale për zhvillimin e rregullt të një procesi gjyqësor e për pasojë cënimin e të drejtës themelore të kërkueses të parashikuar në nenin 38 të Ligjit Kushtetues nr.7692, datë 31.03.1993, gjë që mund t'i bënte këto vendime të cënueshme nga pikëpamja konstitucionale. Gjykata Kushtetuese, si organi më i lartë i kontrollit kushtetues nuk vlerëson provat në një proces gjyqësor e as i hyn shqyrtimit në themel të çështjeve konkrete, kompetenca këto ekskluzive të hallkave të sistemit gjyqësor.

Votuan kundër vendimit Hilmi Dakli dhe Zija Vuci.

(V - GjK - 17/98 - FZ.15/98)

fillim i faqes

Vendimi nr.18, datë 08.061998
(V - 18/98)


Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Fehmi Abdiu, Kryetar dhe gjyqtarët Hilmi Dakli, Hajredin Fuga, Zija Vuci, Franc Jakova, Alfred Karamuço, Kujtim Puto, Sokol Sadushi dhe Kristofor Peçi - relator i çështjes,

më datë 27.05.1998 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen me kërkuese: XHYHERE BELSHAKU, me objekt: "Shpalljen antikushtetues të Vendimit nr.1471, datë 24.09.1996 të kolegjit civil të Gjykatës së Kasacionit dhe vendimit nr.1240, datë 27.10.1997 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit, sipas nenit 24, 25, 26 të Ligjit nr.7561, datë 29.04.1992 dhe nenit 16 të Ligjit nr.7692, datë 31.03.1993 "Për dispozitat kryesore kushtetuese"".

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, me shumicë votash vendosi rrëzimin e kërkesës,

duke arsyetuar:

Me vendimin nr.1872, datë 05.07.1995 Gjykata e Rrethit Durrës ka rrëzuar padinë e Xhyhere Belshakut me objekt deklarimin e pavlefshëm të kontratës së shitjes së bërë në favor të personit të tretë Xhuljeta Vrahorit për një apartament dhomë e kuzhinë. Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.458, datë 31.01.1996 ka prishur vendimin e gjykatës së rrethit dhe ka pranuar padinë. Kolegji civil i Gjykatës së Kasacionit, me vendimin nr.1471, datë 24.09.1996 ka prishur vendimin e Gjykatës së Apelit dhe ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së rrethit Durrës. Kundër këtij vendimi ka paraqitur rekurs Prokurori i Përgjithshëm, por Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit kanë vendosur mospranimin e tij.
Kërkuesia Xhyhere Belshaku i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se vendimet e kolegjit civil dhe Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit janë antikushtetuese, sepse i kanë mohuar asaj të drejtën kushtetuese për të patur një banesë. Në kundërshtim me sa parashtron kërkuesia, Gjykata konstaton se asaj nuk i është shkelur ndonjë e drejtë kushtetuese. Të drejtën që ia njeh ligji ajo e ka kërkuar në gjykatë dhe çështja është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjykimit, prandaj pretendimi se është shkelur neni 39 i Ligjit nr.7692, datë 31.03.1993 "Për një shtojcë në Ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese" nuk qëndron.
Në këto kushte Gjykata çmon se kërkesa është e pabazuar dhe duhet të rrëzohet.

Votoi kundër këtij vendimi Hilmi Dakli.

(V - GjK - 18/98 - FZ.18/98)

fillim i faqes

Vendimi nr.20, datë 10.06.1998
(V - 20/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Fehmi Abdiu, Kryetar dhe gjyqtarët Hilmi Dakli, Kristofor Peçi, Kujtim Puto, Sokol Sadushi, Alfred Karamuço, Franc Jakova - relator i çështjes,

më datë 10.06.1998 shqyrtoi në seancë gjyqësore ështjen me kërkuese: SHOQATA KOMBETARE PER KTHIMIN E PARAVE TE LENE ME FAJDE, me objekt: "Deklarimi antikushtetues i Vendimit nr.501, datë 24.11.1997 të Këshillit të Ministrave".

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, unanimisht, vendosi rrëzimin e kërkesës.

duke arsyetuar:

Nga materialet e dosjes rezulton se Gjykata e Rrethit Tiranë me vendimin nr.681, datë 24.02.1998 ka vendosur shpërndarjen e Shoqatës Kombëtare për Kthimin e Parave t Lëna me Fajde. Ky vendim, sipas shënimit të bërë në thembër të tij, ka marrë formë të prerë më datë 10.03.1998 për paditësin (Grupin Mbikëqyrës pranë Këshillit të Ministrave) dhe më datë 06.04.1998 për të paditurin (Shoqatën Kombëtare për Kthimin e Parave të Lëna me Fajde).
Në këto rrethana, Gjykata çmon se ish-Shoqata Kombëtare për Kthimin e Parave të Lëna me Fajde, me shpërndarjen e saj e ka humbur cilësinë e personit juridik për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 25 të Ligjit nr.7561, datë 29.04.1992 "Për disa ndryshime e plotësime në Ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese".

(V - GjK - 20/1998 - FZ ____)

fillim i faqes

Vendimi nr.22, datë 19.06.1998
(V - 22/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Fehmi Abdiu, Kryetar dhe gjyqtarët Hajredin Fuga, Zija Vuci, Franc Jakova, Kristofor Peçi, Kujtim Puto, Sokol Sadushi, Alfred Karamuço, Hilmi Dakli - relator i çështjes,

më datë 28.05.1998 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen me kërkuesa: SHERIF e NATASHA BELISHTA, me objekt: "Shfuqizimi si antikushtetues i Vendimit nr.4095, datë 02.08.1994 i gjyqtarit të vetëm të Gjykatës së Rrethit Tiranë".

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, me shumicë votash, vendosi shfuqizimin e vendimit nr.4095, datë 02.08.1994 të Gjykatës së Rrethit Tiranë dhe kthimin e çështjes asaj gjykate për rishqyrtim,

duke arsyetuar:

Mbi padinë e Hane Hasanit para Gjykatës së Rrethit Tiranë kundër Ndërmarrjes Komunale Banesa Tiranë dhe Sherif Belishtës me objekt: "Deklarimin e pavlefshëm të kontratës së qirasë dhe privatizimit të një banese në bazë të neneve 17 paragrafi 6, 281 e 287
të ish-Kodit Civil atëhere në fuqi dhe Ligjit nr.7672, datë 11.02.1993 "Për një shtesë në Ligjin nr.7652, datë 23.12.1993", gjyqtari i vetëm me vendimin nr.4095, datë 02.08.1994 ka vendosur pranimin e padisë me deklarimin të pavlefshëm të kontratës së shitjes (privatizimit) të lidhur midis të paditurit Sherif Belishta dhe Ndërmarrjes Komunale Banesa nr.1 Tiranë për apartamentin e ndodhur në Rr. "Sh.Peza", Pall.2, Shk.2, Ap.16 dhe njëkohësisht detyrimin e Ndërmarrjes Komunale Banesa nr.1 për të privatizuar këtë apartament në favor të paditëses Hane Hasani.
Vendimi ka marrë formë të prerë i paankimuar.
Kërkuesit Sherif e Natasha Belishta i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se vendimi i Gjykatës së Rrethit i sipërpërmendur është rrjedhojë e një procesi jo të rregullt ligjor që parashikon neni 38 i Ligjit Kushtetues nr.7692, datë 31.03.1993 "Për një shtojcë në Ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", Kreu "Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut", për këto arsye :
1. Eshtë gjykuar nga një gjyqtar i vetëm në kundërshtim të hapur me nenin 62 të Kodit të Procedurës Civile të vitit 1982, pasi duhej gjykuar me trup gjykues të përbërë nga një gjyqtar dhe dy ndihmësgjyqtarë;
2. Gjyqtari i vetëm ka konstatuar disa pavlefshmëri veprimesh pa i thirrur fare palët;
3. Në gjykim nuk është thirrur e nuk ka marrë pjesë fare bashkëshortja Natasha Belishta e cila është bashkëpronare në kontratën e privatizimit të banesës.
Gjykata Kushtetuese pa i hyrë fare zgjidhjes së çështjes në themel konstaton :
1. Gjykimi i çështjes nga një gjyqtar i vetëm vjen në kundërshtim me Ligjin nr.7337, datë 17.12.1991 "Për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë", neni 7 paragrafi 2.
2. Mosthirrja e Natasha Belishtës që është bashkëpronare në shtëpinë objekt gjykimi pas privatizimit të banesës objekt i vendimit nr.4095, datë 02.08.1994 është mosformim i rregullt i ndërgjyqësisë. Të dyja këto shkaqe përbëjnë proces të parregullt ligjor që është një e drejtë kushtetuese e parashikuar nga neni 38 i Ligjit Kushtetues për "Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut" me këtë përmbajtje: "Liria, prona ose të drejtat e pranuara me ligj nuk mund të cënohen pa një proces të rregullt ligjor".
Votuan kundër këtij vendimi Zija Vuci, Alfred Karamuço, Kristofor Peçi dhe Franc Jakova.

Votuan kundër këtij vendimi Zija Vuci, Alfred Karamuço, Franc Jakova e Kristofor Peçi

(V - GjK - 22/98 - FZ. ____)

fillim i faqes

Vendimi nr.23, datë 22.06.1998
(V - 23/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Fehmi Abdiu, Kryetar dhe gjyqtarët Hilmi Dakli, Hajredin Fuga, Zija Vuci, Franc Jakova, Kristofor Peçi, Alfred Karamuço, Sokol Sadushi dhe Kujtim Puto - relator i çështjes,

më datat 27.05.1998 dhe 01.06.1998 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen me kërkues: FRANC PAVACI, me objekt: "Deklarimi antikushtetues i Vendimit nr.1880, datë 13.11.1996 të kolegjit civil të Gjykatës së Kasacionit".

Kërkuesi Franc Pavaci paraqet këto shkaqe për deklarimin antikushtetues të vendimit nr.1880, datë 13.11.1996 të Gjykatës së Kasacionit: Gjykata e Kasacionit nuk ka zbatuar Ligjin "Për kthimin e banesave të emigrantëve". Ajo i ka hyrë vlerësimit të çështjes në fakt e ka vendosur rrëzimin e padisë.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e kërkesës,

duke arsyetuar:

Kërkuesi Franc Pavaci ka lidhur kontratë qiraje me Ndërmarrjen Komunale Banesa Shkodër në datën 08.12.1989 për një apartament prej dy dhoma e një kuzhinë, por nuk ka banuar në këtë apartament. Pas datës 2 korrik 1990 ai është larguar familjarisht si emigrant në Gjermani. Këshilli pluralist i lagjes duke konstatuar se kjo hyrje nuk përdorej nga kërkuesi, i lëshon autorizim për strehim subjektit të interesuar Fetah Ademi, i cili lidhi kontratë qiraje e më pas kontratë shitblerje.
Kërkuesi ka kërkuar fillimisht në gjykatë konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së qirasë së lidhur midis Fetah Ademit e Ndërmarrjes Komunale Banesa, por kjo padi i është rrëzuar. Pas daljes së Ligjit nr.7672, datë 11.02.1993 ai ka kërkuar në gjykatë edhe konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitblerjes, padi që i është rrëzuar me vendimin nr.1880, datë 13.11.1996 të Gjykatës së Kasacionit (kolegjit civil).
Gjykata Kushtetuese konstaton se në gjykimin e çështjes së parë, pra për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së qirasë, nuk kemi cënim të të drejtave themelore, sepse siç dihet qiramarrja e banesave dhe vetë e drejta e banimit nuk parashikohet si e drejtë themelore nga Ligji nr.7692, datë 31.03.1993.
Përsa i përket çështjes për konstatimin e pavlefshmërisë së shitblerjes së banesës, kolegji civil i Gjykatës së Kasacionit është bazuar te vendimi i mëparshëm i gjykatës që ka marrë formë të prerë dhe gjykata duke i rrëzuar padinë nuk i ka cënuar ndonjë të drejtë, gjë që mund ta bënte vendimin e saj të papajtueshme me ligjin themelor. Në kuptim të nenit 38 të Ligjit nr.7692, datë 31.03.1993 që të deklarohet vendimi i Gjykatës së Kasacionit i papajtueshëm me ligjin themelor duhet të konstatohet që gjatë gjykimit të çështjes të jetë shkelur një nga parimet esenciale për zhvillimin e rregullt të një procesi gjyqësor dhe kjo e lidhur drejtpërsëdrejti me cënimin e së drejtës së pronës.

Votuan kundër vendimit Zija Vuci, Hajredin Fuga e Franc Jakova.

(V - GjK 23/98 - FZ.16/98)

fillim i faqes

Vendimi nr.30, datë 14.07.1998
(V - 30/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Fehmi Abdiu, kryetar dhe gjyqtarët Hilmi Dakli, Hajredin Fuga, Franc Jakova, Kristofor Peçi, Alfred Karamuço, Kujtim Puto, Sokol Sadushi, Zija Vuci - relator i çështjes,

më datë 28.05.1998 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen me kërkues: GJERGJ MOLE, me objekt: "1. Deklarimin antikushtetues të Vendimit nr.1583, datë 27.11.1997 të Gjykatës së Kasacionit; Vendimit nr.1380, datë 07.05.1997 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe të Vendimit nr.9583, datë 02.12.1996 të gjykatës së rrethit Tiranë.
2. Deklarimin e papajtueshmërisë me ligjin të vendimit nr.33, datë 12.01.1994 të gjykatës së rrethit Tiranë".

Kërkuesi ka parashtruar si shkaqe për shfuqizimin e këtyre vendimeve shkeljen nga ana e tri gjykatave të kërkesave të neneve 38 e 40 të Ligjit për "Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut", të cilat bëjnë fjalë për një proces të rregullt ligjor dhe një gjykim të drejtë.
Përsa i përket vendimit nr.33, datë 12.01.1994, këto shkelje konsistojnë në këto drejtime:
a) Çështja është gjykuar nga një gjyqtar në vend që të gjykohej me trup gjykues të përbërë prej një gjyqtari e dy ndihmësgjyqtarëve, sepse vlefta e padisë e kalonte disa herë shumën 50.000 lekë;
b) Ky gjykim është zhvilluar në mungesë të trashëgimtarëve të Aleksandra Ilos pa u thirrur këta si të paditur dhe pa iu komunikuar atyre dita e gjyqit me fletë-thirrje ose me shpallje. Pra është cënuar parimi i kontradiktorialitetit.
Përsa i përket vendimeve të tjera objekt kërkese, të tria gjykatat kanë shkelur edhe parimet themelore të Kodit të Procedurës Civile dhe konkretisht atë që ka të bëjë me kuptimin dhe përmbajtjen e gjësë së gjykuar si edhe me fuqinë provuese të vendimit gjyqësor ndaj personave që nuk janë thirrur në gjykim.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, njëzëri, vendosi shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr.33, datë 12.01.1994 të gjyqtarit të vetëm të gjykatës së rrethit Tiranë; vendimit nr.9583, datë 02.12.1996 të gjykatës së rrethit Tiranë; vendimit nr.1380, datë 07.05.1997 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit nr.1583, datë 27.11.1997 të kolegjit civil të Gjykatës së Kasacionit, si dhe dërgimin e akteve për rigjykim pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë.

duke arsyetuar:

Shkaqet e parashtruara nga kërkuesi Gjergj Mole për deklarimin antikushtetues të vendimeve gjyqësore, objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese janë të drejta dhe të bazuara.
Këto vendime i përkasin dy çështjeve civile që janë gjykuar në gjykatën e rrethit Tiranë, njëra në vitin 1994 dhe tjetra në një periudhë të mëvonshme. Për të parën, vendimi ka marrë formën e prerë pa u ankimuar, kurse për çështjen e dytë gjykimi ka kaluar në Gjykatën e Apelit dhe më pas edhe në Gjykatën e Kasacionit.
Ndonëse ndërgjyqësia, shkaku i padisë dhe pozita procedurale e palëve kundërshtare në këto çështje kanë qenë të ndryshme, objekti i kërkimeve të tyre ka qenë i njëjtë. Secila palë ka insistuar të njihet pronare e vetme dhe t'i mohojë palës tjetër të drejtën e bashkëpronësisë mbi një banesë katërkatëshe me 12 dhoma e tre dyqane në katin e parë, e ndodhur kjo në hyrje të Rrugës së Durrësit të qytetit të Tiranës.
Në vitin 1950 me dekret-ligjin nr.801 kjo banesë është shtetëzuar vetëm në emër të Aleksandra Ilos, trashëgimlënëses së kërkuesit Gjergj Mole. Megjithatë Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Rajonit nr.3 Tiranë, nuk ia ka kthyer atë vetëm asaj. Me vendimin e tij nr.46, datë 13.09.1993 ai krahas së lartpërmendurës, i ka kthyer pjesën takuese në këtë pasuri edhe Krisavgji Mborjes, trashëgimlënëses së tre subjekteve të interesuara, Dhimitër Mborja, Efti Manolo dhe Amalia Bendo, por pa përcaktuar madhësitë e këtyre pjesëve. Njohjen e tyre si bashkëpronare në këtë godinë, ai e ka bazuar në faktin se ato figurojnë në regjistrat e ipotekës si ish-pronare në sasi të caktuara, por të pandarë në kufij, të truallit që ndodhet nën godinë ose përreth saj.
Gjykata Kushtetuese pa i hyrë analizës së provave dhe zgjidhjes së çështjes në themel, por duke e përqëndruar kontrollin e saj vetëm në respektimin e normave kushtetuese nga ana e gjykatave të zakonshme që janë marrë me shqyrtimin e këtyre padive, del me konkluzionin se në të gjitha këto gjykime janë lejuar shkelje të rënda të cilat i bëjnë këto procese të parregullta nga pikëpamja kushtetuese.
Shkelje të tilla për vetë karakterin dhe natyren e tyre dëshmojnë se Aleksandra Ilos ose trashëgimtarëve të saj, u është hequr e drejta e pronës mbi këtë pasuri të palujtshme, në kundërshtim me nenin 38 të Ligjit Kushtetues për "Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut".
Kështu, me vendimin nr.33, datë 12.01.1994 të gjyqtarit të vetëm të gjykatës së rrethit Tiranë, që ka marrë formë të prerë pa u ankimuar, janë njohur pronarë të kësaj pasurie vetëm trashëgimtarët e Krisavgji Mborjes duke u përjashtuar nga kjo e drejtë trashëgimtarët e Aleksandra Ilos.
Në radhë të parë në gjykimin e kësaj çështje janë shkelur rregullat mbi kompetencën lëndore. Kjo padi që është vënë në lëvizje nga trashëgimtarët e Krisavgji Mborjes dhe që për shkak të rëndësisë së objektit të saj, kishte një vlerë mbi 50.000 lekë është gjykuar nga një gjyqtar i vetëm. Pra, është vepruar në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit nr.7537, datë 17.12.1991 "Për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë", ku parashikohej se shqyrtimi i këtyre padive duhej të bëhej me trup gjykues të përbërë nga një gjyqtar e dy ndihmësgjyqtarë.
Së dyti, pala paditëse duke kërkuar njohjen e saj si pronare të vetme të shtëpisë katërkatëshe ka kontestuar indirekt, jo vetëm të drejtën e pronësisë në këtë pasuri të Aleksandra Ilos ose të trashëgimtarëve të saj, por edhe bazueshmërinë e vendimit të sipërm të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Bashkisë së Tiranës. Nga kjo del se në rastin konkret kemi të bëjmë me një padi e cila kërkon një gjykim me palë kundërshtare. Këtë padi gjykata formalisht e ka trajtuar si të tillë, sepse ka thirrur si të paditur Bashkinë e Tiranës dhe ka dalë me vendim detyrues, por në realitet ajo e ka shqyrtuar atë thjeshtë si kërkesë për vërtetimin gjyqësor të një fakti juridik. Kjo mënyrë procedimi, duke mos siguruar një gjykim kontradiktor dhe për më tepër duke mos u njoftuar të marrin pjesë si të paditur në gjyq Aleksandra Ilo ose trashëgimtarët e saj dhe Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, përbën një shkelje tjetër të normave të ligjit kushtetues, të cilat garantojnë realizimin e së drejtës së mbrojtjes në gjyq.
Mosrespektimi i kërkesave të këtij ligji vërehet edhe në gjykimin e çështjes tjetër civile të përfunduar me vendimin nr.9583, datë 02.12.1996 të kësaj gjykate, i cili është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë dhe kolegji civil i Gjykatës së Kasacionit.
Në këtë çështje që është vënë në lëvizje nga kërkuesi Gjergj Mole, prania e këtyre shkeljeve vërehet në konkluzionet e pranuar në vendimet përfundimtare të dhëna nga gjykatat e të tria shkallëve.
Kështu, në vendimin nr.9583, datë 02.12.1996 të gjykatës së rrethit dhe në atë me nr.1380, datë 07.05.1997 të Gjykatës së Apelit Tiranë, çështja në shqyrtim është trajtuar si gjë e gjykuar. Për këtë të dyja këto gjykata i janë referuar vendimit nr.33, datë 12.01.1994 të gjykatës së rrethit Tiranë me të cilin është gjykuar çështja pa u thirrur si të paditur as trashëgimtarët e Aleksandra Ilos, as Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Në rastin konkret kjo çështje nuk përbën gjë të gjykuar, sepse palët ndërgjyqëse, shkaku dhe objekti i padisë nuk janë po ato që kanë qenë në çështjen e parë të gjykuar në vitin 1994 nga gjyqtari i vetëm i gjykatës së rrethit Tiranë.
Nga ana tjetër, vendimi që ka dhënë ky i fundit nuk ka fuqi provuese ndaj kërkuesit ose Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të cilët nuk kanë marrë pjesë në këtë gjykim. Për herë të parë këta kanë marrë pjesë me kërkime të pavaruara në gjykimin e dytë duke vepruar njëri në cilësinë e paditësit dhe tjetri me cilësinë e të paditurit.
Shkelje të procesit të rregullt ligjor vërehen edhe në vendimin nr.1583, datë 02.12.1997 të kolegjit civil të Gjykatës së Kasacionit, i cili për më tepër është edhe alogjik. Ndërsa në pjesën arsyetuese të tij pranohet se kërkuesi është bashkëpronar në banesën objekt padie, (ndryshe nga ç'ka pranuar Gjykata e Apelit) në dispozitiv është vendosur lënia në fuqi e vendimit të Apelit, kur ky në mënyrë të shprehur nuk ia ka njohur atij këtë të drejtë.
Në këto rrethana, të gjitha vendimet gjyqësore të dhëna për të dyja këto padi janë antikushtetuese, sepse janë në kundërshtim me nenin 38 të Ligjit Kushtetues nr.7692, datë 31.03.1993 për "Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut", sipas të cilit: "Liria, prona ose të drejtat e pranuara me ligj nuk mund të cënohen pa një proces të rregullt ligjor".
Prandaj, çështja duhet të shqyrtohet edhe një herë nga e para duke iu dërguar për rigjykim gjykatës së rrethit Tiranë, e cila në mbështetje të nenit 170 të Kodit të Procedurës Civile të shikojë mundësinë e bashkimit të dy palëve në një çështje të vetme.

(V - GjK - 30/98 - FZ. ____)

fillim i faqes

Vendimi nr.31, datë 14.07.1998
(V - 31/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Fehmi Abdiu, Kryetar dhe gjyqtarët Hilmi Dakli, Hajredin Fuga, Zija Vuci, Kristofor Peçi, Alfred Karamuço, Kujtim Puto, Sokol Sadushi, Franc Jakova - relator i çështjes,

më datë 10.06.1998, shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen me kërkuese: GJYKATA E RRETHIT VLORE, me objekt: "Papajtueshmeria e neneve 141 dhe 327/2 të Kodit të Procedurës Penale me nenin 8 të Ligjit nr.7692, datë 31.03.1993 për "Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut".

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, unanimisht, vendosi rrëzimin e kërkesës.

duke arsyetuar:

Gjykata e Rrethit Vlorë ka pezulluar gjykimin në mungesë të dy të pandehurve për vrasje me paramendim dhe ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të deklarojë papajtueshmërinë e neneve 141 dhe 327/2 të Kodit të Procedurës Penale me nenin 8 të Ligjit për "Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut".
Ndonëse gjykata në kërkesë është shprehur për papajtueshmërinë e neneve 141 dhe 327/2 të Kodit të Procedurës Penale me nenin 8 të Ligjit Kushtetues, me përmbajtjen e kërkesës, ajo në tërësi procesin e hetimit dhe gjykimit në mungesë të të pandehurve e konsideron antikushtetues.
Pas një shqyrtimi të hollësishëm të të gjitha normave procedurale të hetimit dhe gjykimit të personave të akuzuar për vepra penale (qofshin ata edhe në mungesë), Gjykata Kushtetuese nuk konstaton norma procedurale penale që vijnë ndesh me nenin 8 të Ligjit Kushtetues. Në të kundërt, ndryshe nga Kodi i mëparshëm i Procedurës Penale, në Kodin e Ri të Procedurës Penale, i cili ka hyrë në fuqi më 1 gusht 1995, janë bërë një sërë ndryshimesh në drejtim të demokratizimit të procesit të hetimit dhe gjykimit të çështjeve penale dhe zgjerimit e garantimit të të drejtave të të pandehurve në procesin penal në përputhje me aktet që mbrojnë e garantojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si në Ligjin tonë Kushtetues, ashtu edhe në aktet e konventat ndërkombëtare.
Sipas procedurës së re i pandehuri pyetet vetëm pasi të japë pëlqimin (neni 166). Po ashtu, parashikohet e drejta e të pandehurit të mos marrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor, e deri e drejta e tij të largohet në çdo kohë nga salla e gjyqit (neni 352).
Gjithashtu, ndryshe nga Kodi i vjetër i Procedurës Penale, sipas të cilit me mosgjetjen e të pandehurit vendosej pezullimi i çështjes penale, sipas rregullave të reja procedurale lejohet hetimi dhe gjykimi i të pandehurit në mungesë të tij.
Garancitë procedurale penale që parashikon neni 8 i Ligjit Kushtetues - vënia në dijeni për akuzën, e drejta për t'i bërë pyetje dëshmitarëve dhe për të kërkuar paraqitjen e dëshmitarëve, të ekspertëve dhe personave të tjerë - mund të realizohen si nga i pandehuri, ashtu edhe nga mbrojtësi i tij. Ky i fundit ka të drejtat që ligji i njeh të pandehurit (neni 50). Caktimi i mbrojtësit për të pandehurin e pagjetur bëhet nga autoriteti procedues jo në mënyrë të pakushtëzuar, por vetëm pasi ky organ t'i ketë konsumuar të gjitha obligimet që i ngarkon ligji për gjetjen e të pandehurit, siç janë njoftimi në banesë, në vendin e punës, në vendbanimin e përkohshëm, afishimi i njoftimit në portën e shtëpisë ose të vendit ku punon (neni 140) dhe kërkimi i të pandehurit dhe nxjerrja e vendimit të mosgjetjes (neni 141).
Në mbrojtje të të drejtave të të pandehurit si në prani, ashtu edhe në mungesë të tij, prokurori, gjyqtari dhe mbrojtësi kanë një seri detyrimesh ligjore. Kështu, prokurori ka për detyrë të hetojë personalitetin e të pandehurit (neni 42), përgjegjshmërinë e tij (neni 43), të njoftojë mbrojtësin për caktimin e ekspertit dhe t'i japë të drejtën të parashtrojë pyetje e të marrë pjesë në ekspertim (neni 179), t'i caktojë të pandehurit mbrojtës kryesisht (neni 309), t'i kryejë kontrollimet dhe sekuestrimet në prani të mbrojtësit (neni 310). Detyrën e caktimit të mbrojtësit kryesisht e ka edhe gjykata (neni 348/2), si dhe pyetjen e dëshmitarëve në shtëpi ta zhvillojë në prani të mbrojtësit (neni 364). Ndërsa mbrojtësit e caktuar kryesisht nga lista e avokatëve të vënë në dispozicion nga Këshilli Drejtues i Dhomës së Avokatëve (neni 49/3), përveç të drejtave që kanë për përjashtimin e ekspertëve (neni 180), kërkimin e provave të tjera (neni 336), pyetjen e ekspertëve (neni 337) etj., kanë edhe detyrën e besnikërisë dhe ndershmërisë (neni 56).
Gjykata e gjen të pabazuar dyshimin që shpreh pala kërkuese për mbrojtësin e caktuar nga organi procedues ("shteti si palë kundërshtare në procesin penal", siç shprehet ajo). Avokati qoftë si detyrim ligjor, qoftë për shkak të etikës profesionale e ka për detyrë të përdorë me ndërgjegje të plotë të gjitha kompetencat që i njeh ligji dhe aftësitë e tij profesionale për mbrojtjen e të pandehurit, njëlloj si në rastin kur zgjidhet prej vetë të pandehurit, ashtu edhe kur caktohet nga organi procedues.
Hetimi dhe gjykimi në mungesë i personave që kanë kryer vepra penale, bëhet vetëm pasi t'u jetë caktuar mbrojtës dhe ka për qëllim realizimin e detyrës madhore që kanë organet e drejtësisë në fushën penale - ndëshkimin e krimit dhe të autorit të tij.
Së fundi, për të siguruar e realizuar dhënien e drejtësisë, ligji procedural parashikon edhe institutin e rishikimeve të vendimeve që kanë marrë formë të prerë (neni 450), garanci tjetër kjo edhe për personat e gjykuar në mungesë.

(V - GjK - 31/98 - FZ _____)

fillim i faqes

Vendim nr 34, datë 29.07.1998
(V-34/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Fehmi Abdiu, Kryetar dhe gjyqtarët, Hilmi Dakli, Zija Vuci, Franc Jakova, Hajredin Fuga, Kristofor Peçi, Kujtim Puto, Sokol Sadushi - relator i çështjes,

më datë 06.07.1998, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen me kërkuese: GJELINA LLESHI (DOMGJONI), me objekt: "Shfuqizimi si antikushtetues i Vendimit nr.188, datë 29.01.1997 të kolegjit civil të Gjykatës së Kasacionit".

Kërkuesia ka parashtruar si shkaqe ligjore për shfuqizimin e vendimit të kolegjit civil të Gjykatës së Kasacionit shkeljen nga kjo gjykatë të kërkesave të nenit 27 dhe 38 të Ligjit për "Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut", që parashikojnë moscënimin e të drejtës së pronës, të trashëgimisë dhe kryerjen e procesit të rregullt ligjor, e konkretisht:
1. Gjykata e Kasacionit i ka hyrë shqyrtimit të çështjes në themel dhe ka rrëzuar kërkesë-padinë, duke kapërcyer të drejtat që ligji procedural i njeh asaj.
2. Eshtë mohuar e drejta e trashëgimisë, sipas nenit 27 të Ligjit Kushtetues.
3. Janë zbatuar gabimisht dispozitat ligjore për ekonominë bujqësore, duke e trajtuar këtë truall si tokë bujqësore.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, me shumicë votash, vendosi shpalljen si antikushtetues të Vendimit nr.188, datë 29.01.1997 të kolegjit civil të Gjykatës së Kasacionit,

duke arsyetuar:

Shkaqet e parashtruara nga kërkuesia për shfuqizimin si antikushtetues të vendimit të kolegjit civil të Gjykatës së Kasacionit, janë të bazuara në ligj, sepse kanë të bëjnë me cënimin e të drejtave themelore të sanksionuara nga dispozitat kryesore kushtetuese.
Kolegji civil i Gjykatës së Kasacionit, duke prishur të dy vendimet e Gjykatës së Rrethit dhe të Apelit dhe rrëzuar padinë, ka tejkaluar kompetencat e tij, të parashikuara me ligj. Ai, me këtë vendim ka shqyrtuar çështjen në themel, duke analizuar provat dhe gjykuar në fakt këtë konflikt gjyqësor.
Kodi i Procedurës Civile, në nenin 485, nuk i ka dhënë të drejtën Gjykatës së Kasacionit të vendosë për rrëzimin e kërkesë-padisë, pasi një të drejtë të tillë mund ta ketë vetëm gjykata që shqyrton çështjen në fakt dhe jo Gjykata e Kasacionit, që shqyrton bazën ligjore të vendimeve gjyqësore. Arsyetimi që i ka bërë vendimit kolegji civil i Gjykatës së Kasacionit, është i padrejtë, sepse duke bërë analizë të provave të administruara në dosje, jo vetëm ka gabuar, por njëkohësisht i ka shtrembëruar këto prova. Kjo e bën procesin gjyqësor të parregullt. Derisa kolegji civil i Gjykatës së Kasacionit ka arritur në përfundimin se të dy vendimet nuk janë të bazuara, ai duhej të vendoste prishjen e tyre dhe dërgimin e çështjes për rigjykim, siç parashikojnë pikat "c" dhe "ç" të nenit 485 të Kodit të Procedurës Civile. Kjo do të bënte që në rigjykim, të bëhej objekt shqyrtimi edhe Vendimi i Komisionit të Kthimit të Pronave, i dalë mbi bazën e vendimeve të atakuara me rekurs, vendim ky që njeh edhe kërkuesen, si bashkëpronare dhe është aktualisht në fuqi.
Kjo pronë, me sipërfaqe 77 dynym, sipas notës së transkiptimit është blerë në vitin 1934 nga trashëgimlënësi Zef Gjek Noka. Me vdekjen e tij, në vitin 1936, është çelur trashëgimia ligjore dhe sipas dispozitave të kohës, trashëgimtarë të kësaj prone janë bërë fëmijët e tij, Gjelina dhe Fran Noka. Me martesën e kërkueses në vitin 1942, ajo nuk e ka humbur pronësinë. Trashëgimtarët ligjore, pronësinë mbi këtë pasuri e kanë humbur pas vitit 1944, me ligjet që nxori pushteti i asaj kohe nëpërmjet shpronësimit.
Gjithashtu, këtë sipërfaqe toke prej 77 dynym që kërkuesia e ka fituar nga trashëgimlënësi Zef Noka, Gjykata e Kasacionit gabimisht e ka trajtuar si tokë bujqësore, kur nga të gjitha dokumentat që janë administruar në dosje, del se kjo sipërfaqe, është tokë truall, e cila me të drejtë është bërë objekt shqyrtimi nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të rrethit Kurbin.
Arsyetimi i Gjykatës së Kasacionit që e trajton këtë sipërfaqe truall si tokë bujqësore dhe pronë e familjes bujqësore dhe kalimi i pronës në favor të anëtarit të fundit të familjes bujqësore, duke iu referuar dispozitave të Dekretit "Mbi trashëgiminë" të vitit 1954, është interpretim plotësisht i gabuar i ligjit të kohës.
Në kohën që vdes Fran Noka, në vitin 1994, i cili trajtohet nga Gjykata e Kasacionit si anëtar i fundit i familjes bujqësore, trashëgimtarëve të të cilit i mbetet pasuria, nuk vepronin dispozitat ligjore mbi familjen bujqësore.
Gjykimi në themel i kësaj çështjeje si dhe tej kufijve të kompetencave që ligji i ka njohur Gjykatës së Kasacionit, e bëjnë procesin gjyqësor të parregullt.
Në këto rrethana, vendimi i kolegjit civil të Gjykatës së Kasacionit, duhet të shpallet antikushtetues, sepse nga cënimi që i është bërë procesit gjyqësor, ka ardhur si pasojë mohimi i të drejtës së trashëgimisë për kërkuesen, në kundërshtim me nenet 27 dhe 38 të Ligjit nr.7692, datë 31.03.1993 për "Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut".

Votoi kundër këtij vendimi Zija Vuci.

(V-GJK-34/98-FZ-26/98, fq.1010)

fillim i faqes

Vendimi nr.39, datë 30.09.1998
(V - 39/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Fehmi Abdiu, Kryetar dhe gjyqtarët Hilmi Dakli, Zija Vuci, Hajredin Fuga, Alfred Karamuço, Kujtim Puto, Kristofor Peçi, Sokol Sadushi, Franc Jakova - relaor i çështjes,

më datë 10.9.1998, shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen me kërkues: ABDULLA STRUGA, me objekt: "Shfuqizimi si antikushtetues i vendimit nr.106, datë 18.1.1996 i gjykatës së rrethit Tiranë; vendimit nr.2212, datë 17.4.1996 i Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit nr.1625, datë 13.11.1996 i Gjykatës së Kasacionit".

Gjykata Kushtetuese, unanimisht, vendosi rrëzimin e kërkesës.

duke arsyetuar:

Me vendimin nr.1145, datë 29.01.1995 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-Pronarëve pranë Bashkisë së Tiranës, kërkuesi Abdulla Struga, është njohur si pronar dhe i janë kthyer 394 m2 truall në qytetin e Tiranës.
Mbi padinë e subjektit të interesuar, Ibrahim Hallulli, gjykata e rrethit Tiranë, me vendimin nr.106, datë 18.01.1996 ka anulluar Vendimin e Komisionit të Kthimit të Pronave, vetëm për 36.49 m2, të cilat i ka njohur pronë e Ibrahim Hallullit.
Mbi ankimin e subjektit të interesuar, Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2212, datë 17.04.1996, pasi ka konstatuar se mbi truallin objekt konflikti, ai ka bërë ndërtime me lejen e organeve përkatëse, ka anulluar tërësisht vendimin e Komisionit të Kthimit të Pronave, duke i njohur kërkuesit të drejtën e kompensimit për 394 m2 truall.
Kolegji civil i Gjykatës së Kasacionit, me vendimin nr.1625, datë 13.11.1996 ka konkluduar se ankesa e paraqitur nga kërkuesi nuk përmban asnjë prej shkaqeve që sipas nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile investojnë gjykimin në Gjykatën e Kasacionit dhe për rrjedhojë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë.
Parashtrimet e tij për deklarimin antikushtetues të tre vendimeve të mësipërme të gjykatave, kërkuesi i mbështet në paragrafin e dytë të nenit 27 të Ligjit Kushtetues nr.7692, datë 31.03.1993, i cili përcakton se: "Askush nuk mund të shpronësohet, përveçse për një interes publik dhe kundrejt shpërblimit të plotë".
Gjykata çmon se vendimet e gjykatave që kanë shqyrtuar konfliktin ndërmjet kërkuesit dhe subjektit të interesuar, nuk janë vendime shpronësimi. Gjykatat këtë konflikt e kane shqyrtuar duke interpretuar e zbatuar Ligjin nr.7698, datë 15.04.1993 "Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve", çka hyn plotësisht në kompetencat dhe detyrat e tyre ligjore.

(V - GjK - 39/98 - FZ _____)

fillim i faqes

Vendimi nr. 40, datë 30.09.1998
(V - 40/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga Fehmi Abdiu, Kryetar dhe gjyqtarët Hilmi Dakli, Alfred Karamuço, Hajredin Fuga, Kristofor Peçi, Kujtim Puto, Sokol Sadushi, Franc Jakova - relator i çështjes,


më datat 06.07.1998 dhe 24.07.1998, shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen me kërkuese: SHOQERIA "LOXHAL"Limited, me objekt: "Deklarimi antikushtetues i vendimeve nr.2728, datë 09.04.1996 të Gjykatës së Rrethit Tiranë; nr.3642, datë 01.06.1996 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe nr.1740, datë 07.11.1996 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Kasacionit".

Kërkuesi ka parashtruar si shkaqe ligjore për antikushtetutshmërinë e vendimeve të sipërpërmendura cënimin e neneve 27 dhe 38 të Ligjit "Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut" dhe konkretisht:
1. Shërbimi i Kontrollit të Shtetit nuk legjitimohej në ngritjen e padisë, sepse është mbështetur në një Dekret të Presidentit të Republikës që nuk ka fuqi juridike;
2. Gjykata e Apelit ka vazhduar gjykimin e çështjes edhe pas heqjes dorë nga shtesa e objektit të padisë për Shoqërinë "LOXHAL";
3. Padia e Shërbimit të Kontrollit të Shtetit është parashkruar;
4. Vendimi i Gjykatës së Kasacionit ka ndryshuar krejtësisht shkakun dhe objektin e padisë, nga pavlefshmëri kontrate në njohje bashkëpronësie;
5. Shërbimi i Kontrollit të Shtetit nuk ka mbrojtur interesat e shtetit por të personave privatë;
6. Gjykata e Kasacionit ka vendosur që Shoqëria "LOXHAL" të lirojë dhe dorëzojë lokalin të gjithë personave të tretë dhe të paditurve, pa deklaruar pavlefshmërinë e kontratës etj.


Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, me shumicë votash, vendosi shpalljen antikushtetues të vendimit nr.2728, datë 09.04.1996 të Gjykatës së Rrethit Tiranë; të vendimit nr.3642, datë 01.06.1996 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit nr.1740, datë 07.11.1996 të kolegjit civil të Gjykatës së Kasacionit.

duke arsyetuar:

Të tre vendimet gjyqësore duhet të shpallen antikushtetues, sepse janë rrjedhojë e shkeljeve flagrante të nenit 27 dhe 38 të ligjit kushtetues, që e kanë bërë procesin ligjor të parregullt.
Shërbimi i Kontrollit të Shtetit për ngritjen e padisë në gjykatë është mbështetur në Dekretin e Presidentit të Republikës nr.203, datë 05.06.1992 "Mbi deklarimin dhe verifikimin e fitimeve të realizuara".
Në kundërshtim me nenin 28, pika 19 dhe 29 të Ligjit "Për dispozitat kryesore kushtetuese", ky dekret nuk është miratuar në Kuvendin Popullor,(siç rezulton nga shkresa nr.2247/1, datë 31.08.1998 e Kuvendit Popullor) dhe njëkohësisht nuk është kundërfirmosur nga Kryeministri apo Ministri përkatës. Për rrjedhojë Dekreti konsiderohet, si një akt juridik absolutisht i pavlefshëm dhe pa asnjë fuqi juridike.
Ngritja e kërkesë padisë nga Shërbimi i Kontrollit të Shtetit duke u mbështetur në një Dekret të Presidentit që nuk ka fuqi juridike, jo vetëm që e bën atë të pambështetur në ligj, por njëkohësisht cënon haptazi dhe rregullsinë e procesit gjyqësor. Vërtetë padia mban datën 20.06.1995, por Ligji nr.7949, datë 14.06.1995, i cili i jepte të drejtën Shërbimit të Kontrollit të Shtetit të bënte padi në gjykatë, ka hyrë në fuqi më datë 01.08.1995.
Megjithëse, edhe vetëm për këtë shkelje, mjafton që vendimet e mësipërme të shpallen antikushtetuese, Gjykata Kushtetuese vëren se gjykatat kanë kryer edhe shkelje të tjera që e bëjnë procesin gjyqësor të parregullt.
Kështu në kundërshtim me nenin 118/3 të Kodit të Procedurës Civile të mëparshëm, i cili zbatohej për çështjen konkrete, Gjykata e Apelit, pas kërkesës për heqje dorë nga shtesa e objektit të padisë të Shërbimit të Kontrollit të Shtetit, nuk ka rrëzuar padinë, por padrejtësisht ka vazhduar gjykimin.
Kolegji Civil i Gjykatës së Kasacionit, duke cënuar parimin e përgjithshëm, sipas të cilit gjykata duhet të shprehet mbi gjithçka që kërkohet dhe vetëm për atë që kërkohet, ka ndryshuar shkakun dhe objektin e padisë, nga padi për pavlefshmëri të veprimit juridik në padi për njohje bashkëpronësie. Ai ka bërë bashkëpronarë në këtë lokal ish-punonjësit në një kohë që ligji nuk ia njeh këtë të drejtë. Kolegji Civil i Gjykatës së Kasacionit ka vendosur që Shoqëria "LOXHAL" të lirojë dhe dorëzojë lokalin personave të tretë dhe të paditurve, duke mos u shprehur në dispozitiv për pavlefshmërinë e kontratës. Jo vetëm kaq por Kolegji Civil i Gjykatës së Kasacionit, duke zgjidhur në mënyrë të menjëherëshme pasojat, i ka mohuar blerësit, Shoqërisë "LOXHAL" pronësinë e objektit dhe nuk i ka dhënë mundësi të kërkojë kthimin e kundërvleftës përpara lirimit dhe dorëzimit të tij.
Të gjitha këto shkelje kanë cënuar hapur procesin gjyqësor duke i mohuar kërkuesit të drejtën e pronësisë, të cilën ai e ka fituar konformë ligjit.
I gjithë procesi gjyqësor që ka filluar me ngritjen e padisë nga Shërbimi i Kontrollit të Shtetit dhe deri në vendimin e Kolegjit Civil të Gjykatës së Kasacionit është i parregullt në aspektin kushtetues. Për rrjedhojë dhe vendimet e Gjykatës së Rrethit Tiranë, të Gjykatës së Apelit dhe të kolegjit civil të Gjykatës së Kasacionit duhet të shpallen antikushtetues dhe pa asnjë efekt juridik në kuptim të nenit 45 të Ligjit nr.8373, datë 15.07.1998 "Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese".

Votuan kundër këtij vendimi Hilmi Dakli, Hajredin Fuga e Franc Jakova
(V - GjK - 40/98 - FZ ____)

fillim i faqes

Vendimi nr.42, datë 07.10.1998
(V - 42/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Fehmi Abdiu, Kryetar dhe gjyqtarët Franc Jakova, Alfred Karamuço, Hajredin Fuga, Zija Vuci, Kujtim Puto, Kristofor Peçi, Sokol Sadushi, Hilmi Dakli - relator i çështjes,

më datat 08.09.1998, 14.09.1998 dhe 07.09.1998 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen me kërkues: ISMET TELI, me objekt: "Deklarimi antikushtetues i vendimeve nr.2981, datë 09.12.1997 i Gjykatës së Apelit Tiranë dhe nr.851, datë 26.06.1998 i Gjykatës së Kasacionit".
Kërkuesi parashtroi këto shkaqe:
1. I është mohuar e drejta e bërjes së ankimit nga pala kundërshtare, pasi nuk i është komunikuar nga Gjykata e Rrethit Durrës duke u shkelur kërkesat e nenit 447 të Kodit të Procedurës Civile, duke iu hequr mundësia e paraqitjes në gjyq dhe mbrojtjen para gjykatës.
2. Gjykimi në Gjykatën e Apelit është zhvilluar në mungesën e tij duke mos u zbatuar nenet 128 deri në nenin 133 të Kodit të Procedurës Civile si dhe kërkesën e nenit 460 të atij Kodi.
3. Gjykata e Kasacionit pa të drejtë e quan të panevojshme gjykimin e ankimit tim në seancë duke u mbështetur në nenin 471 të Kodit të Procedurës Civile.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, unanimisht, vendosi rrëzimin e kërkesës,

duke arsyetuar:
Padia e Bashkim Lleshit kundër kërkuesit dhe Fatlum Bajraktarit është regjiatruar në gjykatën e rrethit Tiranë, më datë 31.03.1995. Në mbështetje të nenit 618 të Kodit të Ri të Procedurës Civile që ka hyrë në fuqi më 1 qershor 1996, çështjet që ishin në gjykim në ditën e hyrjes në fuqi të tij do të gjykohen sipas Kodit të mëparshëm, derisa vendimi të marrë formën e prerë. Kështu, që dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, të cilave u referohet ankuesi nuk zbatohen për çështjen. Nga aktet e dosjes del se atij i është nxjerrë nga Gjykata e Rrethit Durrës dy herë tesë në banesë, por ato janë kthyer të pakomunikuara me shënimin se shtëpia me këtë adresë figuron e shitur. Gjykata ka bërë edhe shpallje në adresë të tij, e cila figuron në dosje. Pra, shkaku i parë i ngritur prej tij se nuk është njoftuar nuk qëndron, sepse rregullat e parashikuara nga nenet 97, 98 e 99 të Kodit të Procedurës Civile të mëparshëm, rezultojnë të respektuara. Gjithashtu nuk qëndron pretendimi i moszbatimit të neneve 128-133 të Kodit të Procedurës Civile, sepse sipas nenit 165 e Kodit të Procedurës Civile të mëparshëm, njoftimi për ditën dhe orën e shqyrtimit të çështjes bëhet me shpallje të listës e jo me ftesë. Nga ana tjetër rekursi është rivendosur në afat dhe është paraqitur prej tij në Gjykatën e Kasacionit, e cila duke e gjykuar në dhomën e këshillimit, ka vendosur mospranimin e rekursit me vendimin nr.851, datë 26.06.1998, sipas nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile, mbështetur në nenin 619 të Kodit të Ri të Procedurës Civile.
Nga sa më sipër nuk konstatohen shkelje të një procesi të rregullt ligjor.

(V - GjK - 42/98 - FZ. ____)

fillim i faqes

Vendimi nr.47, datë 14.10.1998
(V - 47/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga Fehmi Abdiu, Kryetar dhe gjyqtarët Hilmi Dakli, Zija Vuci, Franc Jakova, Hajredin Fuga, Kristofor Peçi, Kujtim Puto, Sokol Sadushi dhe Alfred Karamuço - relator i çështjes,

më datë 05.10.1998 me sekretare Arta Palushi, mori në shqyrtim në seancë gjyqësor çështjen me kërkues: ENTI I BANESAVE DURRES, me objekt: "Shpallja antikushtetues e vendimit nr.653, datë 15.05.1998 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Kasacionit".

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, njëzëri, vendosi rrëzimin e kërkesës.

duke arsyetuar:
Kërkesa nuk është paraqitur nga Enti i Banesave Durrës, por nga avokati Aldo Zadrima, i cili nuk ka pasur tager për të përfaqësuar Entin para Gjykatës Kushtetuese.
Përfaqësuesi i Entit të Banesave Durrës shpjegoi para Gjykatës Kushtetuese së avokatit i ishte dhënë prokurë vetëm për të përfaqësuar këtë institucion në Gjykatën e Kasacionit dhe se për kërkesën drejtuar në Gjykatën Kushtetuese drejtori i Entit nuk kishte asnjë dijeni.
Në këto kushte, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është drejtuar nga subjekti që legjitimohej sipas dispozitave kushtetuese e për pasojë duhet të rrëzohet.

(V - GjK - 47/98 - FZ.26/98

fillim i faqes

Vendimi nr.48, datë 14.10.1998
(V - 48/98)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Fehmi Abdiu, Kryetar dhe gjyqtarët Hilmi Dakli, Zija Vuci, Hajredin Fuga, Franc Jakova, Kujtim Puto, Kristofor Peçi dhe Alfred Karamuço - relator i çështjes,

më datë 08.09.1998 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen me kërkues: JANI CIKO, me objekt: "Deklarimi antikushtetues i vendimit nr.6019, datë 29.11.1994 i Gjykatës së Rrethit Tiranë; nr.167, datë 18.01.1995 i Gjykatës së Apelit Tiranë dhe nr.928, datë 04.07.1996 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Kasacionit", duke parashtruar këto shkaqe:
1. Procesi gjyqësor për pavlefshmërinë e kontratës së shitjes është inicuar nga Shërbimi i Kontrollit të Shtetit, i cili nuk legjitimohej.
2. Padia e Shërbimit të Kontrollit të Shteti mbështetej mbi një udhëzim pa numër e datë, i cili ishte antikushtetues etj.
3. Në shqyrtimin e çështjes gjyqtarët nuk janë bazuar në ligj, por në një vendim të Këshillit të Ministrave, që vjen në kundërshtim me ligjin.
4. Gjykatat kanë bërë interpretimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave në kundërshtim me sa ka sqaruar organi administrativ kompetent, Agjencia Kombëtare e Privatizimit.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, me shumicë votash, vendosi të shpallë të papajtueshëm me Ligjn "Për dispozitat kryesore kushtetuese" vendimin nr.6019, datë 29.11.1994 të Gjykatës së Rrethit Tiranë; nr.167, datë 18.01.1995 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe nr.928, datë 4.07.1996 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Kasacionit.


duke arsyetuar:
Vendimet gjyqësore objekt shqyrtimi janë rezultat i një procesi të parregullt ligjor duke u shkelur neni 38 i Ligjit Kushtetues "Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut", e për pasojë ato duhet të shpallen antikushtetuese.
Procesi gjyqësor për të shpallur të pavlefshme kontratën e shitjes së Repartit të Pllakave në Ndërmarrjen e Prodhimit të Pllakave Shtresë Tiranë, në kuadrin e privatizimit, është inicuar nga kërkesë-padia nr.35/1, datë 23.03.1994 e Shërbimit të Kontrollit të Shtetit (Drejtoria e Tiranës). Në bazë të dispozitave ligjore të asaj kohe, Shërbimi i Kontrollit të Shtetit nuk ka pasur të drejtë të ngrejë padi në gjykatë për probleme të privatizimit. Në bazë të Ligjit nr.7597, datë 31.08.1992 "Për shërbimin e Kontrollit të Shtetit", ky organ ka pasur të drejtë vetëm të kontrollojë problemet e privatizimit të pronës shtetërore, por kurrësesi jo të ngrejë padi në gjykatë për këto raste. Vetëm me Dekretin nr.7949, datë 14.06.1995, i cili hyri në fuqi më 02.08.1995 Shërbimit të Kontrollit të Shtetit i është dhënë e drejta të ngrejë padi në gjykatë për problemet e privatizimit dhe kthimit të pronave ish-pronarëve.
Në këto kushte pranimi për shqyrtimin gjyqësor i një padie nga një subjekt që nuk legjitimohej si dhe zhvillimi i gjykimit në të tri shkallët mbi këtë bazë, duke e pranuar si paditës këtë subjekt, i bën këto procese të parregullta në kuptimin kushtetues e për rrjedhim edhe vendimet përkatëse antikushtetuese.
Veç sa sipër, Gjykata Kushtetuese nuk mund të mos vërë në dukje edhe shkelje të tjera me karakter kushtetues të vërtetuara gjatë shqyrtimit të çështjes në të tri shkallët e gjykimit, e lidhur kjo edhe me pretendimet që kërkuesi ngriti para kësaj Gjykate.
Qysh në gjykimin në shkallë të parë, përfaqësuesi i kërkuesit ka ngritur si prapësim faktin se vendimi i Këshillit të Ministrave nr.248, datë 27.05.1993 "Për disa masa për shpejtimin e privatizimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme" ku bazohej kërkesë-padia, vinte në kundërshtim me Ligjin nr.7512, datë 10.08.1991 "Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit". Gjykata nuk e ka marrë në shqyrtim këtë pretendim të të paditurit e për pasojë në vendimin përkatës nuk i ka dhënë përgjigje. Ndodhur para një pretendimi të tillë, Gjykata Kushtetuese e pa me vend ta shqyrtonte atë nga ku rezultoi se paligjshmëria e vendimit të lartpërmendur ka qenë evidente e veçanërisht në pikat 2 e 22 të tij.
Vendimi nr.248, datë 27.05.1993 që ishte në fuqi në atë kohë, në pikën 2 caktonte si formë të vetme të privatizimit ankandin, ndërsa autorizonte "bordet" të bënin përjashtime. Por në bazë të nenit 22 të Ligjit nr.7512, datë 10.08.1991 organi kompetent që shpallte formën e privatizimit caktonte kohën, radhën dhe jepte autorizimet përkatëse ka qenë Agjencia Kombëtare. Këshilli i Ministrave mund të nxjerrë akte në bazë e për zbatim të ligjeve, por pa prekur ato raporte që ligji i rregullon konkretisht e për pasojë ai nuk mund të delegojë për vetë kompetencën që ligji i ka caktuar një organi tjetër. Veç kësaj, Këshilli i Ministrave nuk mund të kufizojë zbatimin e normave të ligjit siç ka ndodhur në rastin në fjalë ku privatizimi, sipas vendimit, kufizohej në formë vetëm me ankandin (me disa përjashtime për subjekte të caktuara) në një kohë që ligji lejonte një sërë formash të privatizimit veç ankandit.
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.248, datë 27.05.1993 në pikën 22 parashikon që procedurat për shitjen me ankand nëpërmjet bordeve etj., do të zbatoheshin edhe për ndërmarrjet që ishin në proces shitje.
Me fjalë të tjera, për rastin e kërkuesit, i cili mbi bazën e vendimit nr.177, datë 16.04.1993 të Ministrave të Ndërtimit dhe atij të Financave dhe Ekonomisë ishte pajisur me autorizimin përkatës nga Agjencia Kombëtare e për më tepër kishte paguar edhe një pjesë të vlerës së objektit, do të thoshte që të gjitha këto veprime të anulloheshin e privatizimi të fillonte nga e para nëpërmjet "bordeve".
Dhënia në këtë mënyrë e fuqisë prapavepruese këtij vendimi vinte në kundërshtim të hapur me frymën e përmbajtjen e dispozitave kushtetutese. Në radhë të parë sepse cenohen (apo mohohen) të drejta të fituara në rrugë ligjore dhe se dyti shfuqizohen "de facto" akte të ministrave e të institucioneve të tjera, ç'ka përbënte shkelje të nenit 37 të Ligjit nr.7491, datë 29.04.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese".
Në kushtet kur kërkuesi ka pretenduar se vendimi nr.248, datë 27.05.1993 (që i janë referuar të tria gjykatat), vjen në kundërshtim me ligjin, se, ashtu siç u analizua më lart, kundërligjshmëria e antikushtetutshmëria e këtij vendimi kanë qenë evidente, ka qenë detyra e gjykatave që pavlefshmëria e kontratës së shitjes, në zbatim të nenit 8 të Ligjit Kushtetues nr.7561, datë 29.04.1992 dhe të neni 17 të Kodit Civil ta shqyrtonin në radhë të parë në raport me ligjin bazë dhe nëse do të konkludonin për papajtueshmëri të Vendimit të Këshillit të Ministrave me këtë ligj, duhej të pezullonin çështjen e t'ia kalonin për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese.
Ashtu si mungesa e legjitimitetit edhe injorimi i këtyre kërkesave kushtetuese, dhënia përparësi absolute aktit nënligjor pa iu drejtuar ligjit bazë, i bën këto procese gjyqësore të parregullta, vendimet përkatëse antikushtetues e për rrjedhim pa efekte juridike (në kuptim të nenit 45 të Ligjit nr.8373, datë 16.07.1998 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë".

Votoi kundër këtij vendimi Hilmi Dakli.

(V - GjK - 48/98 - FZ.26/98)