Me këtë rast, Gjykata Kushtetuese zhvilloi Ditën e Hapur për publikun, në të cilën morën pjesë studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhe Magjistraturës si dhe vizitorë të ndryshëm.
Në ambientet e Gjykatës u ekspozuan foto nga aktivitete, brenda dhe jashtë vendit, të anëtarëve dhe ish-anëtarëve, si dhe u transmetuan me video-projektor pamje lidhur me historikun e Gjykatës dhe të aktiviteteve të saj. Gjithashtu, u ekspozuan në një kënd të veçantë dhe botime të GJK dhe të gjyqtarëve ndër vite.
Më pas, në ambientet e Hotel Rogner, u organizua seminari me temë “Roli i Gjykatës Kushtetuese në shtetin e të Drejtës”, me pjesëmarrjen e anëtarëve dhe ish-anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarëve kushtetues të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, konstitucionalistëve dhe stafit të Gjykatës. Në seminar referuan lidhur me temën Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, z Bashkim Dedja, ish-kryetari i Gjykatës, z. Rustem Gjata, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, z. Enver Hasani, Kryetari i Gjykatës së Lartë, z.Xhezair Zaganjori, si dhe pati diskutime nga pjesëmarrësit.
Seminari u organizua në bashkëpunim me Fondacionin “Hanns Seidel”.