| Bookmark and Share

Ceremonia e organizuar me rastin e përfundimit të mandatit të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, prof. dr. Enver Hasani, Prishtinë, Kosovë, 16 qershor 2015.

Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë mori pjesë në Ceremoninë që u organizua me rastin e përfundimit të mandatit të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, prof. dr. Enver Hasani, në datën 16 qershor në Prishtinë, Kosovë.

Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë përbëhej nga Kryetari i Gjykatës, z. Bashkim Dedja, Sekretari i Përgjithshëm, z. Kujtim Osmani, nga Drejtori i Kabinetit të Kryetarit, z. Aleksandër Toma.

Në ceremoni, e cila u zhvillua në ambientet e hotel “Emerald” në Prishtinë, morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë të Kosovës, ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, si dhe delegacione të nivelit të lartë të Gjykatave Kushtetuese Europiane.

Të gjithë personalitetet e nderuar që morën fjalën e rastit shprehën vlerësime të shkëlqyera dhe folën me mirënjohje dhe respekt për kontributin e shquar të prof. dr. Enver Hasani në vendosjen dhe forcimin e drejtësisë kushtetuese në Republikën e Kosovës si dhe në njohjen dhe promovimin në nivel ndërkombëtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që ai drejtoi me shumë sukses.

Në fjalimin e tij përshëndetës Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Dedja, ndër të tjera tha se “emri i profesor Hasanit me lidhet me vetë Gjykatën Kushtetuese, pasi e pati fatin të jetë kryetari i parë, të hedhë bazat dhe themelet e drejtësisë kushtetuese ne shtetin e ri të Kosovës, njëkohësisht në rritjen e standardeve dhe të nivelit në gjykimin kushtetues dhe përafrimin e tyre me standardet europiane.”
 

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.