| Bookmark and Share

Hapja e vitit gjyqësor të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Strasburg, Francë, 27 janar 2017

Me ftesë të z. Guido Raimondi, Kryetar i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga z. Bashkim Dedja, Kryetar, dhe znj. Alma Çomo, drejtore e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, mori pjesë në Seancën Solemne të Hapjes së Vitit Gjyqësor 2017 të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe në seminarin e organizuar me këtë rast, me temë: “ Mosdëbimi si parim i së drejtës ndërkombëtare dhe roli i gjyqësorit në zbatimin e tij”. Në vijim të seminarit pati edhe dy workshope me temë “Vlerësimi i besueshmërisë së azilkërkuesve: barra e provës dhe kufizimet e shqyrtimit të KEDNJ-së”, dhe “Pritja e migrantëve: garancitë materiale dhe procedurale për migrantët e vendosur”.

Gjatë vizitës së delegacionit shqiptar në Strasgurg, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, z Bashkim Dedja, u prit në një takim zyrtar të posaçëm nga Kryetari i  Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, z. Guido Raimondi. Gjatë këtij takimi,  z. Dedja bëri një përshkrim të shkurtër të zhvillimeve të fundit lidhur me reformën gjithpërfshirëse në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, ndryshimet në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese kryesisht në drejtim të zgjerimit të aksesit të individit për t’iu drejtuar kësaj gjykate, çka do të çonte në një reduktim të ndjeshëm të aplikimeve para GJEDNJ-së, vendimmarrjet më të fundit të Gjykatës Kushtetuese etj. Nga ana e tij, Kryetari Raimondi, pasi foli për rëndësinë e zbatimit efektiv të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në nivel kombëtar, evidentoi edhe rëndësinë, prioritetet dhe progresin e deritanishëm të Rrjetit të Gjykatave Superiore që synon nxitjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e informacionit lidhur me jurisprudencën e Konventës ndërmjet Gjykatës së Strasburgut dhe gjykatave superiore kombëtare.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe z. Ledi Bianku, gjyqtari i Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe z. Roderick Liddell, Regjistruesi.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.