| Bookmark and Share

Konferencë ndërkombëtare me temën “Roli ligjor dhe rëndësia e vendimeve të Gjykatave Kushtetuese lidhur me çështjet e konsolidimit të kushtetutshmërisë së shtetit”, Yerevan, Armeni, 4 – 9 tetor 2011

Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Armenisë, Z. Gagik Harutyunyan, në datat 4 – 9 tetor 2011, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga Z.Bashkim Dedja, kryetar, Zj. Vitore Tusha, gjyqtare dhe Zj.Elsa Toska, këshilltare e Kryetarit, morën pjesë në konferencën ndërkombëtare organizuar në Yerevan, e cila i dedikohej 15 vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Armenisë. Kjo konferencë u fokusua në temën “Roli ligjor dhe rëndësia e vendimeve të Gjykatave Kushtetuese lidhur me çështjet e konsolidimit të kushtetutshmërisë së shtetit”.

Gjatë qëndrimit në Armeni, në datën 4 tetor 2011, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë u prit në një takim zyrtar në ambientet e Gjykatës Kushtetuese së Republikës së Armenisë nga Kryetari i kësaj gjykate, Z. Gagik Harutyunyan. Në këtë takim, Kryetari, Z. Bashkim Dedja, prezantoi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Nga të dy homologët u diskutua mbi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve mes dy gjykatave kushtetuese dhe problemet që mund të adresohen në çështje të kontrollit kushtetues.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.