Përbërja
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë të emëruar me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Gjyqtarët kushtetues emërohen nga Presidenti [...]

NJOFTIM PËR MEDIAN

Gjykata Kushtetuese vëren se në kronikat televizive të datës 31.01.2017 është njoftuar dorëheqja nga detyra e gjyqtarit Vladimir Kristo. Ky lajm është reflektuar më tej edhe në gazetat dhe portalet on line.

Në këtë situatë Gjykata Kushtetuese vlerëson të informojë si më poshtë vijon:

Gjyqtari Kushtetues Vladimir Kristo nuk ka paraqitur doreheqjen nga detyra.

Sipas nenit 127 të Kushtetutës një nga rastet e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues është përfundimi i mandatit 9-vjeçar.

Mandati 9–vjeçar i gjyqtarit Vladimir Kristo, sipas nenit të lartpërmendur, ka përfunduar në datën 25 prill 2016.
Ndërkohë sipas nenit 125, pika 7, të Kushtetutës, gjyqtari i kësaj Gjykate vazhdon të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit së tij. Gjykata në jurisprudencën e saj ka vlerësuar (vendimi nr.24/2011) se rregulli i vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të gjyqtarit kushtetues është parashikuar për të garantuar, mbi të gjitha, funksionimin normal të Gjykatës në rast të krijimit të vendeve vakante si pasojë e mosveprimit të ndonjërit prej organeve, të cilave Kushtetuta u njeh një rol të veçantë në këtë moment për zëvendësimin e gjyqtarëve të vjetër me gjyqtarë të rinj. Nisur edhe nga natyra kolegjiale e këtij organi të pavarur kushtetues, çdo mosveprim do të kishte pasoja në funksionimin e Gjykatës.

Këto parashikime janë reflektuar edhe në dispozitat kalimtare të Kushtetutës, më konkretisht në nenin 179/1, sipas të cilit anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vazhdojnë veprimtarinë e tyre si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese sipas mandatit të mëparshëm.

 Me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, pra zëvendësimin e   gjyqtarëve të cilëve u ka mbaruar mandati kushtetues, bazuar në nenet 149/d dhe 179/11 të Kushtetutës, në datën 27.01.2017 janë zgjedhur me short anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që do të thotë se automatikisht fillojnë procedurat edhe për zëvendësimin e gjyqtarit Vladimir Kristo.

Bazuar në sa sipër, gjyqtari Vladimir Kristo vazhdon të qëndrojë në detyrë në përputhje me parashikimet kushtetuese.

© 2016 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.