| Bookmark and Share

Pjesëmarrja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në 54-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, 25 - 29 prill 2016.

Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, Prof. Dr. Zühtü Arslan, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Bashkim Dedja, i shoqëruar nga Thomaida Xhoxhaj, specialiste në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, mori pjesë në festimet e 54-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, në Ankara (Turqi) në datat 25 - 29 prill 2016.

Ceremonia solemne e përvjetorit u nderua edhe nga prania e Presidentit të Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, nga Kryetari i Parlamentit të Turqisë İsmail Kahraman, nga Kryeministri i Turqisë Ahmet Davutoğlu, dhe nga një numër i madh ministrash të qeverisë turke. 

Në simpoziumin e organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Turqisë me rastin e përvjetorit të 54 të saj, të ftuarit, gjyqtarë, akademikë të shquar dhe ekspertë të fushës, diskutuan për çështje aktuale të rëndësishme të drejtësisë kushtetuese. Fjalimet e hapjes u mbajtën nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë Prof. Dr. Zühtü Arslan, nga nën-kryetarja e GJEDNJ Işil Karakaş, dhe nga Presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio.

Tema e simpoziumit: “Efektet e vendimeve që lidhen me ankimin individual” u trajtua gjerësisht në të katër sesionet e tij. Çështja e ankimit individual u trajtua në disa aspekte: ekzekutimi i vendimeve të dhëna lidhur me ankimin individual – përvoja e GJEDNJ, Gjermanisë dhe Spanjës; rregullimet e nevojshme në ekzekutimin e vendimeve të dhëna lidhur me aplikimet individuale dhe nevoja për strukturim institucional; efektet e vendimeve që lidhen me këto aplikime individuale në praktikën gjyqësore të Gjykatave të Larta dhe në interpretimin e Kushtetutës.

Simpoziumi vijoi me një takim të veçantë me Kryetarët e Gjykatave Kushtetuese të vendeve të Ballkanit në kuadër të një projekti – propozim të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë për të krijuar “Shoqatën e Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit”. Ky takim kishte të bënte me marrjen e opinioneve dhe propozimeve të secilës gjykatë pjesëmarrëse rreth miratimit të krijimit të një organizmi të tillë dhe hapat e mëtejshëm që do të ndiqen për finalizimin e këtij projekt -propozimi.

Në përfundim të këtyre takimeve, për nder të të ftuarve pjesëmarrës në këto festime të 54-vjetorit të saj, Gjykata Kushtetuese e Turqisë organizoi një program social në Antalja në datat 27 - 28 prill 2016 për t’u njohur me vlerat historike dhe kulturore të këtij vendi.

Gjatë qëndrimit në Ankara, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Bashkim Dedja pati takime me shumë nga Kryetarët e Gjykatave Kushtetuese të pranishme në këtë përvjetor. Kryetari Dedja u prit në një takim zyrtar të veçantë, mjaft të ngrohtë dhe miqësor edhe nga Kryetari i sapo zgjedhur i Gjykatës Turke të Mosmarrëveshjeve Juridiksionale, Nuri Necipoğlu.
 
Ftesa dhe pjesëmarrja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në këtë përvjetor të Gjykatës Kushtetuese turke është një tregues i vazhdimësisë së marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të përvojave që tashmë ekzistojnë mes dy gjykatave.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.