Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

Pjesëmarrja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në 55-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, 25 - 27 prill 2017

Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, Prof. Dr. Zühtü ARSLAN, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga z. Bashkim Dedja, Kryetari i kësaj Gjykate, znj. Vitore Tusha, gjyqtare, dhe znj. Thomaida Xhoxhaj, specialiste e nivelit të lartë në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, mori pjesë në veprimtaritë e zhvilluara në kuadër të 55-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, në Ankara (Turqi) në datat 25 - 26 prill 2017.

Pas ceremonisë solemne të cilën e nderoi me praninë e tij edhe Presidenti i Republikës së Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, u zhvilluan punimet e simpoziumit ndërkombëtar me temë “Gjykatat Kushtetuese si ruajtëset e të drejtave themelore”, i cili u organizua në tre sesione dhe ku të ftuarit, gjyqtarë, akademikë të shquar dhe ekspertë të fushës, diskutuan në lidhje me nën-temave: “Roli i Gjykatave Kushtetuese në balancimin e sigurisë dhe lirisë”; “Roli i Gjykatave Kushtetuese në mbrojtjen e të drejtave themelore në rastet e gjendjes jashtëzakonshme”; “Marrëdhëniet e Gjykatave Kushtetuese me organet legjislative, ekzekutive dhe organet e tjera gjyqësore në lidhje me mbrojtjen e të Drejtave Themelore”. Në sesionin e tretë, e mori fjalën edhe Kryetari Bashkim Dedja duke trajtuar rolin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në forcimin e të drejtave të njeriut në raport me tre pushtetet e tjera, (pushtetin gjyqësor, pushtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv).

Simpoziumi ndërkombëtar vijoi me takimin e përfaqësuesve të Gjykatave Kushtetuese të vendeve të Ballkanit në kuadër të krijimit të Shoqates së Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit që në datën 27 prill 2017 në Stamboll. Në fund të këtij takimi pjesëmarrësit nënshkruan një Deklaratë të përbashkët, e quajtur “Deklarata e Stambollit për Kooperimin e Gjykatave Kushtetuese të Vendeve të Ballkanit” sipas të cilës u ra dakord të krijohej një Forum i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit si një platformë informale me perspektivën e mundësisë së krijimit në të ardhmen të një Shoqate të të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit. Ky Forum do të mblidhet brenda dy vitesh fillimisht në Turqi dhe më pas, periodikisht, çdo dy vjet, në vende të tjera të Ballkanit.

Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë u prit në një takim zyrtar të veçantë, mjaft të ngrohtë dhe miqësor edhe nga Kryetari i Gjykatës Turke të Mosmarrëveshjeve Juridiksionale, zoti Nuri Necipoğlu.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.