Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Kongresin e 4 të Konferencës Botërore për Drejtësinë Kushtetuese, në Vilnius, Lituani, 11-14 shtator 2017.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë zoti Bashkim Dedja, i shoqëruar nga zonja Thomaida Xhoxhaj, specialiste në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë të kësaj gjykate, mori pjesë në Kongresin e 4 të Konferencës Botërore për Drejtësinë Kushtetuese, që i zhvilloi punimet në Vilnius, Lituani, nga 11 deri 14 shtator 2017.

Konferenca Botërore për Drejtësinë Kushtetuese, në të cilën Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është anëtare me të drejta të plota, është një organizatë që bashkon institucionet e kontrollit kushtetues nga e gjithë bota (Evropa, Afrika, Amerika, Azia dhe Australia) me qëllim që të promovojë dialogun mes institucioneve të drejtësisë kushtetuese në nivel ndërkombëtar, në funksion të forcimit të drejtësisë kushtetuese e cila është një element kyç për demokracinë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Shtetin e së Drejtës.

Kongresi i 4-të u organizua nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Lituanisë së bashku me Komisionin Evropian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës). Ky i fundit kryente funksionin e Sekretariatit të Kongresit.

Në hapjen e Kongresit fjalimet përshëndetëse u mbajtën nga Presidentja e Republikës së Lituanisë SH. S. Dalia Grybauskaitė, nga Nënkryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut Linos-Alexandre Sicilianos, nga Presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio dhe nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Lituanisë Dainus Žalimas.

Tema e Kongresit të 4 ishte "Shteti i së Drejtës dhe Drejtësia Kushtetuese në Botën Moderne".

Kongresi i katërt përfshinte takimet e 10 grupeve rajonale dhe gjuhësore të gjykatave kushtetuese dhe organeve ekuivalente, një takim të Byrosë së Konferencës Botërore, më pas punimet e Asamblesë së 2-të të saj të Përgjithshme si dhe një seancë të veçantë për të shqyrtuar pavarësinë e 111 Gjykatave Anëtare të Konferencës Botërore.

Gjatë sesioneve, pjesëmarrësit diskutuan konceptet e ndryshme të Shtetit të së Drejtës në vende të ndryshme, sfidat e reja me të cilat përballet Shteti i së Drejtës, marrëdhëniet ligj – shtet dhe ligj - individ, rolin e gjykatave kushtetuese në sigurimin e Shtetit të së Drejtës, mbrojtjen e të drejtave njerëzore kushtetuese dhe pavarësinë e gjykatave kushtetuese.

Në fund të punimeve, më 13 shtator, u miratua edhe Komunikata e Vilniusit sipas të cilës, Kongresi i ardhshëm i Konferencës Botërore do të organizohet në Algjeri në vitin 2020.

Që nga viti 2009, kongreset e Konferencës Botërore për Drejtësinë Kushtetuese janë mbajtur çdo tre vjet në një kontinent te ndryshëm, respektivisht në Cape Town (Republika e Afrikës së Jugut), në Rio de Janeiro (Brazil) dhe në Seul (Republika e Koresë).

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.