| Bookmark and Share

Cilat janë palët në proces?

Pjesëmarrësit në gjykimin kushtetues janë kërkuesi, subjektet ndaj të cilëve është paraqitur kërkesa, organi që ka nxjerrë aktin ose organet shtetërore që janë në mosmarrëveshje për kompetencë.
Në çdo rast vendos Kolegji i Gjykatës se cilat subjekte do të thirren për t’u dëgjuar në gjykim përveç kërkuesit.

Kush ka të drejtë të marrë pjesë në seancat publike?

Kërkuesi dhe subjektet e interesuara marrin pjesë në seancë plenare publike, pasi njoftohen dhe thirren nga Gjykata.
Publiku, përfaqësuesit e medias, etj., duhet të njoftojnë paraprakisht pjesëmarrjen e tyre.

Çfarë të drejtash kanë pjesëmarrësit në proces në seancën plenare?

Pjesëmarrësit në proces kanë të drejtë: të njihen me dokumentet e dosjes; të marrin ekstrakte ose fotokopje të tyre; të marrin pjesë në shqyrtimin e provave; të paraqesin prova; t’i drejtojnë pyetje njëri-tjetrit, dëshmitarëve, ekspertëve e specialistëve; të paraqesin kërkesa; të japin shpjegime me shkrim ose me gojë; të paraqesin përfundimet e tyre; të kundërshtojnë kërkesat e palëve të tjera, përfundimet dhe shpjegimet e tyre, si dhe të paraqesin pretendimet përfundimtare.

Çfarë detyrimesh ka gjatë seancës plenare publike?

Gjatë seancës publike respektohet solemniteti i Gjykatës dhe duhet të ruhet qetësia.

A mund të bëhen regjistrime audio-video gjatë seancës plenare publike?

Regjistrimet radiofonike, televizive, audio ose video nga përfaqësues të medias gjatë seancës plenare lejohen vetëm me pëlqimin e Gjykatës, në varësi të çështjes konkrete.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.