| Bookmark and Share

Seminar i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë me mbështetjen e fondacionit gjerman “Për bashkëpunim ligjor dhe ndërkombëtar”, 16-17 nëntor 2017

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, me mbështetjen e fondacionit gjerman “Për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar, IRZ”, në vijim të bashkëpunimeve të shumta organizoi seminarin me temë “Ankimi kushtetues në teori dhe praktikë”, i cili u zhvillua në Tiranë në datat 16-17 nëntor 2017.
 
Në seminar morën pjesë këshilltarët ligjorë dhe stafi administrativ i Gjykatës Kushtetuese. Lektor i seminarit ishte Prof. Dr. Jan Bergmann, kryetar i Senatit pranë Gjykatës Administrative të landit Baden-Würtemberg, Gjermani dhe profesor i së drejtës europiane.
 
Ditën e parë në seminar u trajtuan tema të ndryshme, si: dogmatika europiane e të drejtave të njeriut; konkurrenca e të drejtave themelore dhe përplasja e të drejtave; kategoritë e të drejtave të njeriut; parakushtet e pranueshmërisë së një ankimi kushtetues në Gjermani; skema e verifikimit në rastin e të drejtave themelore të barazisë; mundësitë e referencave në gjendjen ligjore në Shqipëri.

Ditën e dytë u bë prezantimi i manualit “Ankimi kushtetues individual, përvoja gjermane dhe perspektiva shqiptare” me autorë Prof. Dr. Jan Bergmann dhe Dr. Arta Vorpsi. Fjalën përshëndetëse e mbajti gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, zonja Vitore Tusha, kurse një përshkrim më të detajuar për ankimin kushtetues individual nga këndvështrimi gjerman dhe ai shqiptar e bënë Prof. Dr. Jan Bergmann dhe zonja Arta Vorpsi.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.