Sot, në datën 17.04.2024, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, ka pritur në ambientet e gjykatës Dr. Stefan Pürner, Shef i Divizionit për Europën Juglindore I , dhe znj. Sabrina Ahmed, Drejtuese Projekti, të Fondacionit Gjerman IRZ.
Gjatë takimit, Kryetarja Zaçaj pasi e falënderoi z. Pürner për bashkëpunimin e deritanishëm mes Gjykatës Kushtetuese dhe Fondacionit Gjerman IRZ, si dhe në vijim të takimeve të zhvilluara mes përfaqësuesve të të dyja institucioneve në kuadër të projektit të ri të IRZ-së për Shqipërinë me temë “Aksesi në Drejtësi”, ritheksoi disa prej nevojave dhe prioriteteve ku mund të fokusohet ky bashkëpunim. Duke shprehur dëshirën për vendosjen e një partneriteti afatgjatë, i cili do të mundësonte asistimin e gjykatës në disa fusha të rëndësishme bashkëpunimi, Kryetarja Zaçaj u ndal në modalitetet konkrete për implementimin e tij, me qëllim rritjen e kapaciteteve në funksion të kërkimit shkencor, rritjen e transparencës dhe aksesit të qytetarëve në drejtësinë kushtetuese, si dhe vijimësinë e bashkëpunimit me Gjykatën Kushtetuese Federale Gjermane.
Nga ana e tij, pasi bëri një përshkrim të veprimtarisë së fondacionit gjerman IRZ dhe mbështetjes së ofruar për gjykatat kushtetuese të rajonit, z. Pürner shprehu angazhimin për përcjelljen e nevojave të Gjykatës Kushtetuese shqiptare për përmbushjen si duhet të misionit të saj, konsolidimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të jurisprudencës kushtetuese.