| Bookmark and Share

Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Vitore Tusha, me Ambasadorin e Austrisë në Shqipëri, SH.T.Z. Christian Steiner

Sot, më datë 19.05.2021, znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e shoqëruar edhe nga z. Përparim Kalo, gjyqtar, priti në një takim kortezie në ambientet e kësaj Gjykate, Ambasadorin austriak z. Christian Steiner, dhe Këshilltarin për Evropën Juglindore në Ministrinë Federale të Drejtësisë në Republikën Austriake, z. Georg Stawa.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth sfidave me të cilat po përballet Gjykata Kushtetuese pas rifillimit të veprimtarisë së saj, si dhe gjetja e mënyrave më pragmatiste dhe efektive të mbështetjes dhe bashkëpunimit me institucione ndërkombëtare dhe donatorë të ndryshëm për t’u përfshirë dhe përfituar nga projekte që kanë për qëllim rritjen e cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë kushtetuese, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Pasi shprehu konsideratat dhe vlerësimin e saj për marrëdhëniet shumë të mira që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka me Gjykatën Kushtetuese Austriake, si dhe për mbështetjen që qeveria austriake i ka dhënë zhvillimit të reformës në drejtësi në vendin tonë, znj. Tusha evidentoi disa prej sfidave më kryesore si përballimi i ngarkesës së çështjeve të akumuluara; trupa ende jo e plotë dhe tërësisht e re e gjyqtarëve, ndjekja e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese shqiptare dhe gjykatave të tjera homologe, ringritja e besimit të publikut dhe aktorëve të tjerë te kjo gjykatë.
Nga ana e tij, Ambasadori Steiner shprehu gatishmërinë për gjetjen e mundësive për ofrimin e një mbështetjeje sa me të plotë dhe efikase me qëllim promovimin e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese, ngritjen e kapaciteteve, si dhe në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës së saj.

  foto 2021-05-19  foto2 2021-05-19

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.