| Bookmark and Share

Takim i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese me përfaqësues të Fondacionit “SLYNN”, 04 Qershor 2014

Në kuadër të bashkëpunimit me Fondacionin “SLYNN,” Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Z. Bashkim Dedja priti në datën 4 qershor 2014, në një takim zyrtar në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, përfaqësuesit e këtij Fondacioni, Sir David Latham dhe znj. Alison Fenney.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i reformave në sistemin e drejtësisë dhe konkretizimi i bashkëpunimit në të ardhmen e afërt (vitin 2014-2015) mes Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe Fondacionit Britanik SLYNN.

Duke ofruar gatishmërinë për këtë bashkëpunim, në fushën e drejtësisë kushtetuese, Z. Dedja  prezantoi disa fusha ku mund të fokusohej ndihma e Fondacionit SLYNN, konkretisht në fushën e botimeve që përfshijnë publikimin periodik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në pasurimin e bibliotekës së Gjykatës me përmbledhje të praktikave më të rëndësishme të Gjykatës së Strasburgut, apo botime të tjera të këtij Institucioni apo të Institucioneve të tjera të drejtësisë kushtetuese, me një interes të veçantë u paraqit dhe vazhdimi i trajnimit të stafit administrativ dhe i këshilltarëve ligjorë të kësaj Gjykate.

Nga ana e tij, Sir David Latham u shpreh i kënaqur për vazhdimësinë e bashkëpunimit me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë dhe i gatshëm për përmbushjen konkrete të angazhimit dhe asistencës së Fondacionit që ai përfaqëson.

Z Dedja falënderoi Sir David Latham dhe znj. Alison Fenney, për frymën pozitive të këtij bashkëpunimi.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Sh. T. Z. Nicholas Cannon OBE.
 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.