| Bookmark and Share
Përbërja
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë të emëruar me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Gjyqtarët kushtetues emërohen nga Presidenti [...]

Takim i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Z. Bashkim Dedja me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Austrisë Dr. Gerhart Holzinger

Në datën 20 maj 2014, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Z. Bashkim Dedja, priti në një takim zyrtar në ambientet e kësaj Gjykate, Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Austrisë Dr. Gerhart Holzinger, cili shoqërohej në këtë takim edhe nga Z. Stefan Leo Fran, Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm.

Dr. Holzinger ishte pjesë e delegacionit të nivelit të lartë të kryesuar nga Presidenti i Republikës së Austrisë, Z. Heinz Fischer, i cili po zhvillon një vizite shtetërore në vendin tonë me ftesë të Kryetarit të Shtetit shqiptar.

Gjatë takimit Kryetari Bashkim Dedja bëri një prezantim të detajuar të organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe të problematikës së veprimtarisë së saj, si dhe kërkoi intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh me Gjykatën Kushtetuese të Austrisë, si një prej Gjykatave Kushtetuese më të vjetra në Europë dhe me një legjislacion të konsoliduar, modelit të të cilit i janë referuar kryesisht ekspertët shqiptarë për të përmirësuar legjislacionin vendas.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Austrisë  Gerhart Holzinger konstatoi që mes problemeve që hasin të dy gjykatat nuk ka ndryshime të mëdha, madje ka edhe shumë ngjashmëri edhe përsa i përket kompetencave.

Në këtë kuadër, të dy Kryetarët u angazhuan që të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit konkret, me anë të shkëmbimit të delegacioneve dypalëshe të institucioneve që ata drejtojnë.

Në takim ishin gjithashtu të pranishëm Znj. Vitore Tusha, anëtare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe Znj. Valbona Paja – këshilltare ligjore.
 

© 2017 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.