| Bookmark and Share

Takim me Ambasadorin e Republikës së Italisë në Republikën e Shqipërisë, SH.T.Z. Fabrizio Bucci, 10 dhjetor 2020

Znj. Vitore Tusha, anëtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, priti sot në një takim, në ambientet e kësaj gjykate, Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Italisë në vendin tonë, SH.T.Z. Fabrizio Bucci, shoqëruar në këtë takim nga Zëvendësambasadori, z. Alberto Petrangeli.
Gjatë takimit, znj. Tusha bëri një përshkrim të situatës aktuale në të cilën ndodhet Gjykata Kushtetuese, si dhe të veprimtarisë së institucionit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili drejtohet prej saj që prej muajit korrik 2020. Po ashtu, znj. Tusha u fokusua në rëndësinë që mbart përmbyllja me sukses e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese, proces ky i bashkërenduar dhe i mbështetur edhe nga institucionet e tjera të përfshira, me qëllim ri-ngritjen dhe bërjen e saj funksionale në një kohë sa më të shpejtë.
Pasi rikonfirmoi konsideratat për marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis vendeve tona, z. Ambasador shprehu interesin për zhvillimin e procesit të reformës në drejtësi dhe problematikat me të cilat është përballur deri më tani, si dhe për ecurinë e procedurave të plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, si një parakusht i vendosur nga Këshilli i Europës për të thirrur Konferencën e parë Ndërqeveritare me qëllim çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në përfundim të takimit, z. Ambasador theksoi gatishmërinë dhe angazhimin për vazhdimësinë e mbështetjes së ofruar për institucionet shqiptare dhe veçanërisht për Gjykatën Kushtetuese, me synim shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen e kapaciteteve të këtij institucioni.

photo-2020-12-10-14-29-34 photo-2020-12-10-14-29-42

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.