| Bookmark and Share

Takimi i znj. Vitore Tusha, anëtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, me ekspertët e Komisionit të Venecias, 10 Shtator 2019

Sot, në datën 10.09.2019, zonja Vitore Tusha, anëtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, priti në një takim zyrtar në ambientet e kësaj gjykate një delegacion ekspertësh të Komisionit të Venecias, të cilët ndodhen për një vizitë dy ditore në Tiranë me kërkesë të Kuvendit të Shqipërisë, në kuadër të aktivitetit të Komisionit Hetimor Parlamentar “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.

Delegacioni i Komisionit të Venecias përbëhej nga z. Kaarlo Tuori, Anëtar i Komisionit të Venecias, znj. Grainne Mcmorrow, Anëtare zëvendësuese e Komisionit të Venecias, znj. Jutta Gutzkow, Shefe e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri, z. Schnutz Rudolf Dürr, Shefi i Divizionit për Çështjet e Drejtësisë Kushtetuese, si dhe z. Thomas Markert, Sekretar i Komisionit të Venecias.

Gjatë takimit u nënvizua bashkëpunimi mjaft i frytshëm ndër vite i Gjykatës Kushtetuese me Komisionin e Venecias. Gjithashtu, palët në takim diskutuan mbi procesin e përtëritjes së Gjykatës Kushtetuese, që ishte një nga çështjet për të cilat u shpreh interes. Më tej, u diskutua edhe për jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese lidhur me  juridiksionin e saj për sa i takon shqyrtimit të çështjeve që kanë të bëjnë me konfliktin e kompetencave midis organeve të ndryshme të pushtetit publik.

Takimi u përmbyll me vlerësimin e lartë reciprok për të dyja institucionet në lidhje me kontributin e tyre në forcimin dhe konsolidimin e shtetit demokratik dhe të së drejtës.
 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.