| Bookmark and Share

Vizitë e delegacionit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë në Rumani, 18-21 nëntor 2015

Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë z. Augustin Zegrean, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga  Kryetari i kësaj  Gjykate, z. Bashkim Dedja, gjyqtarët z. Besnik Imeraj dhe z. Sokol Berberi, si dhe drejtori i kabinetit të Kryetarit, z. Aleksander Toma, mori pjesë në një aktivitet të përbashkët mes dy gjykatave kushtetuese. Në këtë aktivitet u trajtua tema “Jurisprudenca aktuale e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë”, si dhe u shkëmbyen përvojat respektive të viteve të fundit, që lidhen me vendimmarrjen e të dyja gjykatave kushtetuese.

Në fokus të këtyre diskutimeve ishte shkëmbimi i eksperiencave të përbashkëta ndërmjet dy gjykatave kushtetuese, në këndvështrim të  praktikës gjyqësore të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, z. Bashkim Dedja, e vuri theksin mbi sfidat me të cilat përballen sot gjykatat kushtetuese në demokracitë e reja, ndër këto edhe Shqipëria.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë, z. Augustin Zegrean, prezantoi aspekte të rëndësishme nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë.
Referimi në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së ka krijuar një ndërvarësi të vlefshme dhe të efektshme ndërmjet gjykatave kushtetuese dhe jurisprudencës së GJEDNJ-së, mbi të cilën këto gjykata orientojnë në mënyrë të vazhdueshme  vendimmarrjen e tyre.

Për nder të delegacionit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese e Rumanisë organizoi edhe një program të pasur social, ku u prezantuan vlerat historike dhe turistike të Rumanisë.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.