| Bookmark and Share
Përbërja
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë të emëruar me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Gjyqtarët kushtetues emërohen nga Presidenti [...]

Vizitë e një delegacioni të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, 9-12 Qershor 2013

 
Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Z. Bashkim Dedja, në datat 9 – 12 qershor 2013, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, i përbërë nga Z. Alparslan Altan, Zëvendëskryetar, Z.Hicabi Dursun, Gjyqtar, Z.Celal Mümtaz Akinci, Gjyqtar, dhe Z.Ayhan Kiliç, Këshilltar, zhvilloi një vizitë studimore në Shqipëri.
 
Në kuadër të kësaj vizite, në datën 10 qershor, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë u prit në një takim zyrtar në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, nga Kryetari, Z. Bashkim Dedja. Palët në takim shprehën vullnetin dhe angazhimin institucional për të kontribuar në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes dy gjykatave kushtetuese. Ky angazhim u konkretizua me nënshkrimin, në përfundim të takimit, të një memorandumi bashkëpunimi midis dy gjykatave kushtetuese, me qëllim institucionalizimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit reciprok. Delegacioni turk zhvilloi më pas, në Sallën e Bisedimeve, një takim me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Në vazhdim, në ambientet e Hotel Boutique Koton, u zhvillua një tryezë e rrumbullakët dhe bashkëbisedim për temën “Kontrolli kushtetues i akteve normative nga Gjykata Kushtetuese”, ku morën pjesë  gjyqtarët kushtetues të të dy gjykatave, si dhe këshilltarë dhe përfaqësues të stafit administrativ. Gjatë tryezës u mbajtën referime nga gjyqtarët kushtetues, Z. Sokol Berberi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Z. Celal Mümtaz Akinci, anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë, si dhe pjesëmarrësit shkëmbyen njohuritë dhe përvojat e tyre respektive.

Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese turke, u prit në një takim zyrtar dhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z.Bujar Nishani. Gjithashtu delegacioni turk zhvilloi një takim dhe në Gjykatën e Lartë, ku u prit nga Kryetari, Z.Xhezair Zaganjori, dhe nga anëtarë të tjerë të kësaj gjykate.

Për nder të delegacionit nga Gjykata Kushtetuese e Turqisë, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Z. Bashkim Dedja, shtroi një darkë zyrtare në të cilën ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, SH.T.Z. Hasan Sevilir Aşan.

Në përfundim të vizitës zyrtare në vendin tonë, delegacioni nga Turqia zhvilloi, në datat 11-12 qershor, një tur dyditor në qytetin muze të Beratit, si dhe në zonat arkeologjike të Apolonisë dhe Durrësit.
 

© 2017 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.