| Bookmark and Share

27 Shtator 2010

Sot, në datën 27.09.2010, pas takimit të zhvilluar në Zyrën e Presidentit të Republikës për dorëzimin te zoti Bashkim Dedja të dekretit të emërimit si Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, detyrë e cila është kryer nga Zoti Vladimir Kristo për një mandat tre vjeçar në periudhën 2007 – 2010, ish Kryetari zoti Kristo dhe Kryetari i ri i kësaj gjykate zoti Dedja zhvilluan një takim të përbashket edhe me administratën e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë takim, ish Kryetari Kristo bëri një vlerësim të veprimtarisë dhe punës së kryer nga kjo administratë në periudhën e drejtuar prej tij, duke e cilësuar atë si shumë serioze dhe me një shkallë të lartë profesionalizmi që i përgjigjet më së miri pozicionit të Gjykatës Kushtetuese në hierakinë e institucioneve kushtetuese të vendit.

Po ashtu, zoti Kristo vuri në dukje vlerësimet pozitive që janë bërë për veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka njohur rritje dhe zhvillim që prej momentit të krijimit të saj, si dhe për pavarësinë që gëzon ky institucion, duke ia atribuar këto vlerësime pozitive, pa dyshim, edhe punës së administratës së kësaj gjykate. Nga ana e tij, zoti Dedja u shpreh se është një nder dhe privilegj, por njëkohësisht edhe përgjegjësi e lartë, të jesh në krye të institucionit të Gjykatës Kushtetuese, duke shprehur edhe angazhimin e tij maksimal për konsolidimin e mëtejshëm të jurisprudencës dhe imazhit të këtij institucioni si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.