| Bookmark and Share

Aktivitet i përbashkët në kuadër të Planit Strategjik të Gjykatës Kushtetuese dhe Planit të tij të veprimit

Në datat 5 – 6 dhjetor 2022, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, me mbështetjen e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Fondacionit Konrad Adenauer, zhvilloi seminarin me temë “Sigurimi i një drejtësie kushtetuese funksionale nëpërmjet menaxhimit efektiv të cështjeve“. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të stafit administrativ të Gjykatës Kushtetuese, të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj gjykate, këshilltarë ligjorë, si dhe përfaqësues të organizatave partnere mbështetëse.

Aktiviteti u organizua me qëllim përmbushjen e objektivave strategjikë të Gjykatës Kushtetuese në kuadër të Planit të saj Strategjik dhe konkretisht të Objektivit Strategjik 1 “Sigurimi i një sistemi funksional të drejtësisë kushtetuese dhe një mjet ankimi efikas dhe efektiv“, si dhe dy objektivave specifikë të tij 1.1 – Rritja e efikasitetit dhe efektivitetit në regjistrimin, menaxhimin dhe monitorimin e shqyrtimit të cështjeve dhe 1.3 – Rritja e cilësisë së kërkimit shkencor, studimeve, si dhe ruajtja dhe zhvillimi i jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese.

Seminari u hap me fjalët përshëndetëse të Sekretarit të Përgjithshëm, z. Eugen Papandile, Drejtorit të KAS, z. Tobias Ruttershoft, dhe Këshilltares Ligjore Vendase pranë Prezencës së OSBE-së, znj. Ama Kraja. Më tej, u vijua me diskutime konkrete nga pjesëmarrësit mbi temën kryesore të aktivitetit, si dhe shkëmbime të mendimeve me qëllim evidentimin e problematikave dhe përmirësimin e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim të aktivitetit, duke u theksuar edhe një herë bashkëpunimi i shkëlqyer mes Gjykatës Kushtetuese dhe partnerëve mbështetës, u diskutua edhe vazhdimësia e këtij bashkëpunimi edhe ne të ardhmen për hartimin e Planit Strategjik të ri të Gjykatës Kushtetuese për periudhën 2024 – 2026.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.