| Bookmark and Share

Aktivitet me temë "Hapat konkretë për hartimin e Planit Strategjik të Gjykatës Kushtetuese për periudhën 2020-2023", 20 shkurt 2020

Në kuadër të hartimit të Planit Strategjik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe në vijimësi të disa takimeve dhe tryezave të përbashkëta të organizuara më parë për këtë qëllim me përfaqësues të Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, në datën 20 shkurt 2020, u zhvillua në qytetin e Korçës aktiviteti ndërkombëtar me temë “Hapat konkretë për hartimin e Planit Strategjik të Gjykatës Kushtetuese për periudhën 2020-2023”. Në këtë aktivitet morën pjesë grupi i punës së Gjykatës Kushtetuese i ngritur për hartimin e Planit Strategjik, përfaqësuesit e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, kryesuar nga zoti Claudio Pala, kreu i Departamentit të Ligjit dhe të të Drejtave të Njeriut, përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si dhe eksperti ndërkombëtar në këtë fushë, zoti Shefqet Berisha.

Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të zonjës Vitore Tusha, anëtare me kompetencat e Kryetarit, e cila pasi shprehu falenderimet për pjesëmarrësit, theksoi rëndësinë që ka hartimi i Planit Strategjik për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, në drejtim të përcaktimit dhe realizimit të objektivave strategjikë të saj, parë kjo edhe në këndvështrimin e europianizmit të së drejtës kushtetuese dhe aspiratën së popullit shqiptar për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ky plan do të identifikojë çështjet më të rëndësishme, duke e përgatitur Gjykatën edhe për tejkalimin e sfidave të periudhës së ringritjes së saj, në përputhje me misionin që i ka dhënë Kushtetuta.

Më pas, diskutimet u fokusuan në hapat konkretë që duhen ndjekur në të gjitha fazat e procesit të përgatitjes së Planit Strategjik, përcaktimin e objektivave dhe prioriteteve strategjike, misionin dhe vizionin që ky plan synon të përmbushë, metodologjinë e punës në procesin e planifikimit të tij, zhvillimin e analizave dhe problemeve që duhen adresuar, kostot financiare etj. Nga ana e tij, grupi i punës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë shprehu angazhimin maksimal në lidhje me përmbushjen e detyrimit ligjor për përgatitjen në një kohë sa më të shkurtër të këtij plani.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si dhe delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës shprehën njëherazi vullnetin e mirë dhe gatishmërinë e tyre në ofrimin e asistencës teknike, si dhe çdo mbështetje tjetër të nevojshme në të gjitha fazat e hartimit dhe implementimit të Planit Strategjik të Gjykatës Kushtetuese për periudhën 2020-2023, në funksion të rritjes së integritetit dhe forcimit të pavarësisë institucionale.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.