| Bookmark and Share

Aktiviteti me temë “Tryeza e parë e punës për hartimin e strategjisë dhe planit të saj të veprimit”, datat 8-9 Korrik 2020.

Në përmbushje të detyrimit ligjor për hartimin e Planit Strategjik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe duke respektuar rregullat për kufizimin dhe distancimin fizik si pasojë e gjendjes së krijuar nga Covid -19, në datat 8-9 Korrik 2020, në qytetin e Durrësit, u zhvillua aktiviteti i radhës për këtë qëllim me temë: “Tryeza e parë e punës për hartimin e strategjisë dhe planit të saj të veprimit”. Në këtë aktivitet morën pjesë grupi i punës së Gjykatës Kushtetuese, i ngritur për hartimin e Planit Strategjik, përfaqësues të Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, përfaqësues të Fondacioni Konrad Adenauer Stiftung, si dhe ekspertët ndërkombëtarë të angazhuar në këtë projekt.

Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të zonjës Vitore Tusha, anëtare me kompetencat e Kryetarit, e cila pasi shprehu falenderimet për pjesëmarrësit, vlerësoi pozitivisht bashkëpunimin e deritanishëm dhe hapat që janë ndërmarrë në këtë drejtim, duke theksuar edhe një herë rëndësinë që ka hartimi i Planit Strategjik në përmbushjen e misionit të Gjykatës Kushtetuese si institucioni thelbësor në forcimin e demokracisë kushtetuese dhe forcimin e parimeve të shtetit të së drejtës.

Në vijim të aktivitetit diskutimet u fokusuan në analizat (gjetjet) e përpunuara mbi bazën e dokumentacionit të mbledhur në Gjykatën Kushtetuese gjatë takimeve informuese me gjyqtarët, këshilltarët dhe stafin administrativ, të cilët evidentuan përparësitë dhe sfidat e brendshme të Gjykatës Kushtetuese për të ardhmen.

Gjithashtu, disa nga çështjet e tjera që u diskutuan në këtë aktivitet ishin: përdorimi i analizave të ndryshme si analiza SWOT, pema e problemeve, pema e objektivave në funksion të zvogëlimit të risqeve gjatë hartimit të Planit Strategjik; metodologjia që do të përdoret në hartimin e tij, ku rol thelbësor ka hartimi i deklaratës së misionit dhe vizionit të Gjykatës Kushtetuese; formulimi i objektivave të përgjithshme e specifike për strategjinë etj.

Në hartimin dhe implementimin e Planit Strategjik për vitet 2020-2023, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mbështetet nga Zyra e Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Fondacioni Konrad Adenauer. Nëpërmjet këtij plani Gjykata synon përmirësimin e mëtejshëm të veprimtarisë së saj vendimmarrëse, rritjen e efiçencës dhe efikasitetit, si dhe rritjen e besueshmërisë së publikut te ky institucion kushtetues i pavarur.

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.