| Bookmark and Share

Forumi i nëntë rajonal i Shtetit të së Drejtës për Evropën Juglindore, Tiranë 25 nëntor 2022

Në vijim të një tradite të krijuar tashmë nga AIRE Centredhe Civil Rights Defenders, është duke u zhvilluar në Tiranë, në ambientet e Hotel Rogner, Forumi i nëntë rajonal i Shtetit të së Drejtës për Evropën Juglindore me temë: “Të drejtat e njeriut në kohë emergjencash – roli i gjyqësorit sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”, në të cilin merr pjesë edhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, znj. Vitore Tusha.

Qëllimi i forumit të shtetit të së drejtës është promovimi i zbatimit të Konventës Evropiane itë Drejtave të Njeriut në nivel vendi, inkurajimi i bashkëpunimit rajonal në kuadër të zhvillimit të vazhdueshëm të shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, dhe ofrimi i ndihmës për vendet e rajonit në procesin e integrimit në BE.

Në sesionin e hapjes të këtij aktiviteti, përshëndeti edhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Vitore Tusha, e cila pasi falënderoi organizatorët e evenimentit, u shpreh se " Ky forum do të na shërbejë për të shkëmbyer eksperiencat tona, nuancat e legjislacionit të brendshëm, standardet mbi të cilat ato janë zhvilluar dhe mbi të gjitha trajtimet e të drejtave në balancë me proporcionalitetin e ndërhyrjeve legjislative."

Në takim, fjalimin kryesor me temë “Për demokracinë përfshirëse dhe shtetin e së drejtës në kohë krize” e mbajti ish-Kryetari i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, z. Robert Spano. Gjithashtu, aktiviteti u përshëndet edhe nga z. Darian Pavli, gjyqtari i GjEDNj për Shqipërinë, si dhe përfaqësues të organizatorëve dhe mbështetësve të këtij forumi.

Në ditën e parë të aktivitetit, punimet e të cilit do të vijojnë edhe ditën e nesërme, po diskutohet për rëndësinë e shqyrtimit gjyqësor efektiv dhe kuptimin e shqyrtimit gjyqësor gjatë kohës së emergjencës – kriteret sipas të drejtave të tjera të KEDNj-së; kufijtë e këqyrjes gjyqësore dhe nevoja për mekanizma të tjera efektive për shqyrtimin e masave ekzekutive; kriteri i ligjshmërisë dhe përdorimi i një “procedure në përputhje me ligjin” për të futur masat e emergjencës dhe gjendjet e jashtëzakonshme, proporcionaliteti dhe hapësira e vlerësimit që u lejohet qeverive gjatë kohës së emergjencës; masat e mbylljes brenda – analizë e praktikësgjyqësore relevante evropiane.

Dita e dytë e punimeve të Forumit të 9-të rajonal të Shtetit të së Drejtës për Evropën Juglindore, 26 nëntor 2022.

 Forumi i 9-të rajonal i Shtetit të së Drejtës për Evropën Juglindore “Të drejtat e njeriut në kohë emergjencash – roli i gjyqësorit sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”, zhvilloi sot, më 26 nëntor, punimet e ditës së dytë të tij ku pjesëmarrësit pasi raportuan sipas grupeve punuese, diskutuan për temën “Mësimet e dala – ngritja e mbrojtjeve të ardhshme për gjyqësorin dhe garantimi i reagimeve në përputhje me Konventën në kohë emergjencash”.

 Gjatë aktivitetit, z. Ledi Bianku, ish-gjyqtari i GjEDNj-së për Shqipërinë, referoi fjalimin me temë “Politikat e vaksinimit (përvojat nga rajoni dhe analizë e praktikës gjyqësore relevante vendase dhe evropiane)”. Gjithashtu, edhe znj. Mirjana Lazarova Trajkovska, ish-gjyqtare e GjEDNj-së për Maqedoninë e Veriut, prezantoi temën e saj “Masat praktike të marra nga gjykatat për të garantuar vazhdimësinë e operimit të tyre gjatë pandemisë – mësimet e nxjerra dhe praktikat më të mira për t’u zbatuar në kontekstin e emergjencave dhe jo vetëm”.

Zhvillimi i këtij Forumi u mbështetet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Qeveria e Suedisë dhe Fondacioni Konrad Adenauer.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.