| Bookmark and Share

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 01.03.2022 mori në shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh, çështjen me kërkues Gjykatën e Apelit Durrës, me objekt: “Shfuqizimi i togfjalëshit “për të dënuarin përsëritës për krime të kryera me dashje, si dhe” në paragrafin e tretë të nenit 64 të Kodit Penal.”.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
Çështja gjyqësore penale në shqyrtim në Gjykatën e Apelit Durrës ka mbetur pa objekt për shkak të lirimit nga burgu të të dënuarit, për rrjedhojë gjykatës referuese i mungon interesi për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues për kontrollin e kushtetutshmërisë të nenit 64, paragrafi i tretë, të Kodit Penal.
Nga ana tjetër, në lidhje me nenin 65 të Kodit Penal, për të cilin gjykata referuese ka kërkuar zgjerimin e objektit të kontrollit kushtetues, Gjykata vëren se jo vetëm që parashikimet e këtij neni nuk janë të zbatueshme në çështjen konkrete që po shqyrtonte gjykata referuese, por në këtë rast nuk plotësohen as kriteret e nenit 48, pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, për t`u marrë në shqyrtim kryesisht prej saj.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese, bazuar në nenet 145, pika 2, 131, pika 1, shkronja “a” dhe 134, pika 1, shkronja “dh”, të Kushtetutës, si dhe nenet 49, pika 3, shkronja “dh”, 68, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,

VENDOSI:

- Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.