| Bookmark and Share

Njoftim për mediet

Veprimtaria e Gjykatës Kushtetuese për vitin 2022

Gjykata Kushtetuese, si garante e Kushtetutës dhe mbrojtëse e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në veprimtarinë e saj, gjatë vitit 2022, që përkon edhe me vitin jubilar të 30-Vjetorit të krijimit të saj, është angazhuar për përmbushjen plotësisht të funksioneve kushtetuese, gjë që është arritur, para së gjithash, falë përkushtimit të të gjithë trupës së gjyqtarëve dhe stafit administrativ të kësaj Gjykate.

Viti që lamë pas ka konfirmuar edhe një herë dy realitetet e drejtësisë kushtetuese që kanë karakterizuar punën e saj ndër vite. Nga njëra anë, është rëndësia dhe roli i saj i jashtëzakonshëm në funksionimin e rendit ligjor shqiptar, të cilat reflektohen nëpërmjet kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve të tjera të pushtetit publik, si dhe nëpërmjet kontrollit të veprimtarisë së gjykatave të sistemit të zakonshëm dhe, nga ana tjetër, është tendenca në rritje e numrit të kërkesave që vijnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, veçanërisht pas ndryshimeve reformuese të vitit 2016 dhe zgjerimit të juridiksionit të saj në drejtim të ankimit kushtetues individual.

Kjo tendencë është një tregues i qartë i rritjes së besimit dhe shpresës që publiku ka te Gjykata Kushtetuese. Me qëllim respektimin e pritshmërive të publikut dhe forcimin e mëtejshëm të besimit të tij, Gjykata ka nevojë për dialog të vazhdueshëm me shtypin dhe qytetarin, për t’i bërë të kuptueshme vendimet e saj, duke e përcjellë mendimin kushtetues mbi një bazë sa më të gjerë. Për këtë arsye, publikimi i vendimmarrjeve me interes të lartë për publikun është bërë në mënyrë të menjëhershme, duke publikuar në njoftimin për shtyp, krahas dispozitivit të vendimit, edhe arsyet thelbësore për marrjen e tij.

Një arritje tjetër e Gjykatës Kushtetuese që lidhet pikërisht me perceptimin e opinionit publik dhe forcimin e besimit të publikut është edhe miratimi dhe publikimi i standardeve etike me të cilat funksionon kjo Gjykatë, të konkretizuara në Kodin e Etikës për gjyqtarët e kësaj Gjykate. Hartimi i këtij kodi erdhi si një nevojë e kohës, për vetë rëndësinë që ai mbart lidhur me pavarësinë dhe paanësinë e Gjykatës në dhënien e drejtësisë kushtetuese, mbështetur në parimet e ligjshmërisë dhe profesionalizmit të anëtarëve të saj.

Duke qenë se statistikat e detajuara mbi veprimtarinë gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese janë të publikuara edhe në faqen tonë zyrtare, dëshiroj t’ju njoh shkurtimisht me një përmbledhje të tyre si më poshtë:

Gjatë këtij viti janë paraqitur dhe regjistruar 291 kërkesa. Gjithashtu, janë marrë në shqyrtim edhe 36 çështje të mbartura nga viti 2021 (gjithsej 327), përqindja më e madhe e të cilave, përkatësisht 84 %, i përket ankimit kushtetues individual, kurse për pjesën tjetër të kërkesave (rreth 16%), Gjykata Kushtetuese është vënë në lëvizje nga deputetët, gjykatat e juridiksionit të zakonshëm (kontrolli incidental), organizatat etj.

Nga këto kërkesa:

23% e tyre ose e shprehur në shifër, 76 kërkesa, kanë kaluar për shqyrtim në seancë plenare;

60% e tyre ose e shprehur në shifër, 195 kërkesa, nga kolegjet dhe Mbledhja e Gjyqtarëve është vendosur moskalimi në seancë plenare;

17% e tyre ose e shprehur në shifër, 56 kërkesa, janë ende në fazën e shqyrtimit paraprak nga kolegjet dhe Mbledhja e Gjyqtarëve.

Gjatë ktij viti, Gjykata Kushtetuese ka marrë 238 vendime, nga të cilat 195 janë vendime moskalimi dhe 43 janë vendime përfundimtare. Për sa u përket vendimeve përfundimtare, për 14 çështje të shqyrtuara (33%) është vendosur pranimi i kërkesës; për 9 çështje të shqyrtuara (21%) është vendosur pranimi pjesërisht i kërkesës; dhe për 20 çështje të shqyrtuara (46%) është vendosur rrëzimi i kërkesës.

Vlen të theksohet fakti se Gjykata ka respektuar të gjitha afatet procedurale të kërkesave, në përputhje me parashikimet e ligjit organik të Gjykatës, si dhe me Rregulloren për Procedurat Gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese. Shqyrtimi paraprak i kërkesave është bërë brenda afatit 3- mujor nga kolegjet dhe Mbledhja e Gjyqtarëve, përfundimi i çështjeve në seancë plenare është bërë brenda afatit 1- vjeçar, si dhe zbardhja e vendimeve përfundimtare është bërë brenda afatit 30-ditor nga marrja e vendimit. Aktualisht Gjykata Kushtetuese nuk ka të regjistruar dhe në shqyrtim asnjë çështje të prapambetur.

Për sa u përket vendimeve me impakt të marra nga kjo Gjykatë gjatë këtij viti do të doja të përmendja disa prej tyre, veçanërisht ato që kanë shënjuar jurisprudencën kushtetuese.

· Një prej tyre është çështja me të cilën Gjykata Kushtetuese, për herë të parë, u vu në lëvizje nga Kuvendi i Shqipërisë për të gjykuar kërkesën për deklarimin e shkarkimit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Rëndësia e këtij vendimi qëndron në faktin që, për herë të parë, Gjykata përcaktoi katër kriteret që duhet të vërtetohen për ta konsideruar “shkeljen e rëndë” të kryer nga Presidenti si shkak për shkarkimin nga detyra të tij, sipas parashikimit të nenit 90 të Kushtetutës. Gjithashtu, Gjykata, duke kontrolluar procedurën e ndjekur nga Kuvendi në procesin impeachment, pati rastin të shprehej rreth standardeve kushtetuese të procesit të rregullt ligjor që i garantohen Presidentit. Në kuptim të analizës së legjitimimit të Kuvendit, Gjykata u shpreh për parimin e vazhdimësisë institucionale, si dhe për momentin e konstituimit të Kuvendit, zëvendësimin e deputetëve, numrin e përgjithshëm të deputetëve, mungesën e vendimeve të organeve kompetente për të deklaruar parregullsinë ose pavlefshmërinë e zëvendësimit të mandateve dhe mundësinë e kësaj legjislature për të arritur kuorumet e nevojshme, n ë drejtim t ë vlefshm ëris ë s ë ligjeve dhe vendimeve të miratuara( vendimi nr. 1, datë 16.02.2022).

· Gjykata mori në shqyrtim ankimin kushtetues individual të një individi për konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, si rezultat i mosgjykimit të çështjes brenda një afati të arsyeshëm. Pas ndryshimeve ligjore në Kodin e Procedurës Civile, Gjykata tashmë mund t’i marrë në shqyrtim këto kërkesa, pas shterimit të mjeteve ligjore efektive në gjykatat e zakonshme. Në përfundim, pas analizës së tre kritereve të përcaktuara në drejtim të sjelljes së kërkueses; kompleksitetit të çështjes, si dhe sjelljes së autoriteteve, Gjykata konstatoi cenimin e së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, me arsyetimin se argumenti kryesor që qëndron në thelb të interpretimit ligjor të Gjykatës së Lartë për “ pamundësinë objektive” lidhet me ngarkesën e gjykatave, i cili nuk përbën argument kushtetues që mund të justifikojë kohëzgjatjen e paarsyeshme të gjykimit. Për më tepër, mbingarkesa në gjykata është një situatë e njohur dhe e zgjatur në kohë, e cila nuk varet nga kërkuesja, por vetëm nga përgjegjësit e administrimit të sistemit të drejtësisë, detyra e të cilëve është të krijojnë një sistem gjyqësor efikas dhe të pajisur me personel, në mënyrë që t’u përgjigjen më së miri kërkesave të shtetit të së drejtës, ku përfshihet edhe përfundimi i proceseve gjyqësore në përputhje me standardet që imponon e drejta për proces të rregullt, ndërkohë që ky detyrim kushtetues prej tyre nuk rezulton të jetë respektuar ( Vendimi nr. 2 datë 17.02.2022).

· Gjykata, nëpërmjet kontrollit incidental, mori në shqyrtim kërkesën e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë për kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të nenit 52, pika 1, të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar”, duke vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës dhe shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të këtij neni, në pjesën që parashikon dënimin me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave për strehim. Gjykata argumentoi se ky nen kufizonte të drejtën e pronës private, të garantuar nga neni 41 i Kushtetutës, përderisa parashikonte gjobë, në kushtet kur jurisprudenca kushtetuese ka theksuar se “detyrimet financiare, duke përfshirë edhe gjobën, janë pjesë e konceptit kushtetues të pronës private, pasipagesa e një sasie të caktuar të hollash, e barasvlershme në këtë rast me masën e gjobës, është një shumë që merret nga pasuria e individit”. Gjykata theksoi, gjithashtu, se kufizimi i së drejtës kushtetuese të pronës private duhet të respektojë kriteret e përcaktuara në nenin 17 të Kushtetutës dhe në përfundim vlerësoi se ndonëse dënimi me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje ishte bërë nëpërmjet një ligji të miratuar nga Kuvendi dhe i përgjigjej interesit publik për kontrollin e ligjshëm të territorit dhe frenimin/parandalimin e ndërtimeve pa leje, mënyra e llogaritjes së masës së gjobës për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave të strehimit nuk respektonte kriterin e proporcionalitetit ( vendimi nr. 15 dat ë 22.06.2022).

· Gjykata mori në shqyrtim ankimin kushtetues individual të disa kërkuesve të cilët ngritën pretendime për cenimin e procesit të rregullt dhe të së drejtës së pronës, të garantuar nga neni 41 i Kushtetutës. Gjykata, në jurisprudencën e saj të deritanishme, i ka shqyrtuar pretendimet për të drejtat kushtetuese substanciale në kuadër të procesit të rregullt ligjor duke qenë se, bazuar në parimin e subsidiaritetit, gjykatat e zakonshme, në përputhje me kompetencat e tyre, kanë mundësitë të riparojnë shkeljet eventuale. Megjithatë, Gjykata, duke mbajtur në konsideratë zgjerimin e kompetencës së saj për kontrollin kushtetues dhe të të drejtave substanciale, i ka vlerësuar këto lloj të drejtash, siç është e drejta e pronës private, edhe në mënyrë autonome, pa i lidhur domosdoshmërisht me procesin e rregullt ligjor ( vendimi nr. 33, datë 14.11.2022).

· Gjykata mori në shqyrtim çështjen me kërkues Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, me objekt shfuqizimin e nenit 12, pika 5, shkronja “a”, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar me nenin 2, pika 1, të ligjit nr. 50/2021, si dhe të nenit 1, pika 7, paragrafi i dytë, shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të ligjit nr. 8097, datë 21.03.1996 “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar me nenin 1, pika 1, të ligjit nr. 166/2020, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke vendosur pranimin e kërkesës. Gjykata arsyetoi se pavarësisht hapësirës normuese që ka pushteti ligjvënës, parashikimet ligjore që prekin pagën dhe përfitimet e tjera të magjistratit duhet të jenë në përputhje me garancitë e nenit 138 të Kushtetutës, i cili lejon uljen e pagës dhe përfitimeve të tjera me efekt të përgjithshëm vetëm për interes publik, në ndryshim nga rasti konkret, ku nuk u konstatua që norma të mbartte paqartësi që sillte nevojën e ndërhyrjes për sqarimin e përmbajtjes së saj. Ajo arriti në përfundimin se për sa kohë që dispozitat e kundërshtuara kishin ndryshuar me efekt negativ pagën dhe përfitimet e tjera që buronin nga statusi i magjistratit, ato ishin të papajtueshme me nenin 138 të Kushtetutës, për rrjedhojë duhet të shfuqizoheshin ( vendimi nr. 35 datë 22.11.2022).

· Gjykata mori në shqyrtim kërkesën e shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, me objekt konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 25.04.2021 dhe deklarimin e urdhrit nr. 219, datë 19.04.2021 “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia, si i papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”. Gjykata, pasi trajtoi çështjen e juridiksionit të saj në këtë rast, si dhe legjitimimin e kërkueses, vendosi konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor, detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti dhe pushimin e gjykimit për urdhrin 219/2021. Gjykata argumentoi se formulimi i nenit 184 të Kodit Zgjedhor nuk plotësonte kërkesat e nenit 118 të Kushtetutës, i cili përcaktonte se aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në Kushtetutë dhe se ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte. Në këtë kuptim, nisur nga fakti se ligjvënësi tashmë kishte zgjedhur të pranonte në ligj të drejtën për të votuar të shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në zgjedhjet për Kuvendin, Gjykata çmoi se paqartësia e normave të Kodit Zgjedhor në drejtim të afatit, organit kompetent dhe parimeve, në bazë të të cilave duhet të nxirren aktet nënligjore për këtë çështje, jo vetëm cenon parimin e sigurisë juridike, por, në fakt, përbën boshllëk ligjor, që cenon të drejtën kushtetuese të votës. Me fjalë të tjera, e drejta kushtetuese e votës së kësaj kategorie për shkak të boshllëkut ligjor ka mbetur thjesht një parashikim deklarativ, i pazbatueshëm efektivisht në praktikë, duke mbetur në thelbin e saj iluzive ( vendimi nr. 38 datë 09.12.2022).

Është e rëndësishme të përmendim disa nga veprimtaritë kryesore të realizuara në zbatim të “Strategjisë së Gjykatës Kushtetuese 2021 – 2023” dhe Planit të saj të Veprimit, si dhe në kuadër të 30 -Vjetorit të krijimit të saj, në datat 20 – 21 tetor 2022.

Me rastin e 30-Vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese u organizua Konferenca Ndërkombëtare me temë “Roli i Gjykatave Kushtetuese në Demokracitë e Reja”, në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, profesorë dhe akademikë të fushës, si dhe një numër i konsiderueshëm delegacionesh të huaja – kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave kushtetuese homologe dhe institucioneve të tjera me juridiksion ekuivalent, jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë. Gjatë kësaj konference pati diskutime dhe prezantime shumë profesionale, duke e kthyer atë në një platformë dialogu mes gjyqtarëve, të cilët shkëmbyen idetë dhe përvojat e tyre më të mira, me qëllim konsolidimin e drejtësisë kushtetuese, të prekshme për të gjithë qytetarët.

Po kështu, me qëllim forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me jashtë, Gjykata ka arritur të realizojë disa vizita studimore të gjyqtarëve të saj pranë gjykatave dhe institucioneve kushtetuese homologe, ndër të cilat mund të përmenden vizitat e gjyqtarëve pranë Gjykatës Kushtetuese të Austrisë dhe Këshillit të Shtetit të Greqisë, pjesëmarrja në Kongresin e V-të të Konferencës Botërore për Drejtësinë Kushtetuese dhe në Kongresin e XIX-të të Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese Frankofone, si dhe shkëmbimet e përvojave në kuadër të zbatimit të Memorandumeve të Bashkëpunimit të nënshkruara nga kjo Gjykatë me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe Zyrën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Gjithashtu, një element tjetër që vlen për t’u përmendur është edhe realizimi në total i buxhetit të Gjykatës Kushtetuese në masën 99.5%. Kështu, në zbatim të ligjit nr. 115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022” sipas programit të vetëm “Veprimtaria gjyqësore kushtetuese”, buxheti përfundimtar i alokuar për vitin 2022 ishte në vlerën totale prej 166,762,330 lekësh. Kjo vlerë përbëhet nga shpenzimet korrente prej 147,762,330 lekësh, të cilat gjatë vitit 2022 u realizuan në masën 99.7%, si dhe nga investimet kapitale prej 19,000,000 lekësh, të cilat u realizuan në masën 98%.

Në mbyllje të këtij prezantimi të shkurtër, theksoj edhe njëherë angazhimin e Gjykatës Kushtetuese për të ushtruar funksionet e saj me integritet dhe qëndrueshmëri, që me ndihmën dhe marrjen e përgjegjësive nga secili prej aktorëve të pushtetit publik, të përmbushë në mënyrë efektive dhe të vazhdueshme thelbin e misionit të saj kushtetues: krijimin e standardeve precedente të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe garantimin e rendit kushtetues shqiptar. Përfitoj nga ky rast, për të uruar një mbarëvajtje sa më të suksesshme të veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese edhe për këtë vit që ka hyrë, që të vazhdojë të ecë e sigurt në rrugëtimin e saj në krah të gjykatave të tjera kushtetuese, për të kontribuar në forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Vitore Tusha

Kryetare

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.