| Bookmark and Share

Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Forumin e dytë të Barazisë Gjinore për Ballkanin Perëndimor, 2 – 3 qershor 2023

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, po merr pjesë në Forumin e dytë të Barazisë Gjinore për Ballkanin Perëndimor, i cili organizohet nga Qendra Aire, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, dhe po i zhvillon punimet në Beograd, Serbi, në datat 2 dhe 3 qershor 2023.

Qëllimi i këtij Forumit është rritja e shkallës së të kuptuarit në radhët e atyre që punojnë në sistemin e drejtësisë në rajon lidhur me të drejtat dhe mbrojtjet që u sigurohen grave sipas KEDNJ-së dhe rolin e tyre thelbësor në mbrojtjen e këtyre të drejtave. Forumi ka aktualisht rreth 60 anëtarë gjyqtarë dhe gjatë punimeve të tij do të diskutohet edhe lidhur me hapat e mëtejshëm për forcimin e rrjetit dhe punën e përbashkët drejt një barazie më të madhe gjinore në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndër folësit kryesorë të këtij aktiviteti dy ditor janë Kryetarja e GJEDNJ-se, znj. Siofra O’Leary, ish-Kryetari i GJEDNJ-se, z. Robert Spano, si dhe gjyqtarë të tjerë që përfaqësojnë shtete të ndryshme të Evropës në GJEDNJ (Greqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja-Hercegovina, Suedia, Turqia, Republika Çeke). Diskutimet në forum janë fokusuar kryesisht te parimet kryesore që rrjedhin nga jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut për barazinë gjinore lidhur me tema të tilla të rëndësishme si dhuna me bazë gjinore, stereotipet gjinore në gjyqësor dhe diskriminimi për shkak të seksit në kontekstin e punësimit, jeta publike, private dhe familjare.

02 02 02 02

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.