| Bookmark and Share

Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar nga Gjykata Kushtetuese Federale Gjermane, Berlin, 4 - 5 maj 2023

Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, Prof. Dr. Stephan Harbarth, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga znj. Holta Zaçaj, Kryetare e Gjykatës, dhe znj. Elsa Toska, gjyqtare, ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me temë: “Ndryshimet klimatike si një sfidë për të drejtën kushtetuese dhe gjykatat kushtetuese”, e cila u zhvillua në Berlin, Gjermani në datat 4-5 maj 2023.

Ky aktivitet ka mbledhur së bashku kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave kushtetuese evropiane, si dhe përfaqësues të shquar të komunitetit ligjor, për të diskutuar rreth çështjeve ligjore lidhur me këtë temë veçanërisht të rëndësishme në ditët e sotme.

Fjalët përshëndetëse të hapjes janë mbajtur nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, Prof. Dr. Stephan Harbarth, dhe nga Ministri Federal i Drejtësisë të Gjermanisë, Dr. Marco Buschmann.

Temat e trajtuara gjatë tri sesioneve të punës së kësaj konference ishin respektivisht: (1) ankimi i paraqitur në gjykatën kushtetuese lidhur me çështjet gjyqësore për klimën; (2) përgjegjësia kushtetuese: kauzaliteti, detyrimi për mbrojtjen, liritë; (3) potenciali i gjykatave kushtetuese në përballjen dhe trajtimin e ndryshimeve klimatike: mundësitë dhe kufizimet e tyre në procesin politik.

Për nder të personaliteteve të larta pjesëmarrëse në këtë Konferencë Ndërkombëtare, Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Dr. Frank-Walter Steinmeier, organizoi një pritje zyrtare në vilën presidenciale Scholl Bellevue.

3333 2222 09052023

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.