| Bookmark and Share

Pjesëmarrje në Forumin Gjyqësor të Barazisë Gjinore për Ballkanin Perëndimor, 1 – 2 prill 2022

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Vitore Tusha, mori pjesë në Forumin e parë të Barazisë Gjinore për Ballkanin Perëndimor, i cili u organizua nga Qendra Aire, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, dhe i zhvilloi punimet në Budva, Mali i Zi,  në datat 1 dhe 2 prill 2022.
Në këtë forum morën pjesë Kryetari i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, z. Robert Spano, Komisionerja për të Drejtat e Njeriut, znj. Dunja Mijatovic, Zëvendëspresidentja e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, znj. Siofra O’Leary, gjyqtarë dhe ish gjyqtarë të tjerë të kësaj Gjykate, të cilët mbajtën prezantime dhe moderuan në pjesën më të madhe të sesioneve. Po ashtu, në forum morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të lartë të gjyqësorit nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Kryesisht, diskutimet u përqëndruan te parimet kryesore që rrjedhin nga jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për barazinë gjinore lidhur me tema të tilla të rëndësishme si dhuna me bazë gjinore, stereotipet gjinore në gjyqësor dhe diskriminimi për shkak të seksit në kontekstin e punësimit, jeta publike, private dhe familjare.
Qëllimi i organizimit të Forumit është krijimi i një rrjeti të gjerë në vendet e Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrësit e të cilit angazhohen të çojnë përpara barazinë gjinore dhe të zhvillojnë ndërgjegjësimin për çështjet gjinore dhe rolin e gjyqësorit në mbrojtjen e këtyre të drejtave. U theksua se mënyra më e mirë për të luftuar kundër stereotipeve dhe paragjykimeve gjinore në shoqëri është fillimi i ndryshimeve nga vetë brenda gjyqësorit. Ngritja dhe funksionimi i këtij rrjeti kontribuon në komunikimin më të afërt institucional ndërmjet organeve të drejtësisë dhe jo vetëm, pasi shkëmbimi i përvojave në këtë fushë do të ndihmojë në avancimin e mëtejshëm të barazisë gjinore në funksion të një shoqërie sa më të barabartë.

2022-04-04    2022-04-04-1

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.