| Bookmark and Share

Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese me Ambasadorin e Austrisë në Shqipëri, 13 prill 2023

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, priti sot në një takim zyrtar në ambientet e kësaj gjykate, Ambasadorin e Austrisë në Shqipëri, z. Christian Steiner, i shoqëruar në këtë takim edhe nga znj. Lisbeth Leitner. Në takim merrte pjesë edhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, z. Sandër Beci.

Pasi e uroi Kryetaren Zaçaj për marrjen e kësaj detyre të rëndësishme, Ambasadori Steiner shprehu sërish kënaqësinë për plotësimin e trupës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, Ambasadori evidentoi fushat kryesore të mbështetjes nga shteti austriak si konsolidimi i shtetit të së drejtës dhe reforma në sistemin e drejtësisë, duke përmendur edhe disa prej projekteve konkrete të bashkëpunimit që po implementohen aktualisht në këto fusha.

Nga ana e saj, Kryetarja Zaçaj e falënderoi Ambasadorin për vizitën dhe bëri një përshkrim të detajuar të prioriteteve aktuale të Gjykatës Kushtetuese, duke u fokusuar në nevojat më imediate për një sistem modern të menaxhimit të çështjeve dhe të shortit elektronik, digjitalizimin e arkivës së gjykatës, si dhe hartimin e një udhëzuesi sipas modelit të GJEDNJ-së, i cili do të shërbente për referime të standardizuara dhe unifikimin e vendimeve të gjykatës, duke i ardhur në ndihmë jo vetëm Gjykatës Kushtetuese, por edhe praktikantëve të ligjit dhe juristëve në përgjithësi.

Gjykata Kushtetuese do të mirëpriste çdo mbështetje të ofruar nga partnerët ndërkombëtare për të përmbushur këto nevoja dhe prioritete institucionale, me qëllim përmirësimin dhe rritjen e efikasitetit të veprimtarisë së saj dhe përballimin e volumit në rritje të ngarkesës së çështjeve.

  amabasadori austrise takim me ambasadorin e austrisë , 13 prill 2023

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.