| Bookmark and Share

Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese me përfaqësuesit e gjykatave te Maltës , 12 prill 2023.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, e shoqëruar nga gjyqtarja Marjana Semini, priti sot në një takim në ambientet e kësaj gjykate, një delegacion nga Malta Law Courts (Gjykatat e Ligjit të Maltës), i cili është duke zhvilluar një vizitë tri ditore në Shqipëri, në kuadër të mundësisë së zhvillimit të marrëdhënieve më aktive mes vendeve të Mesdheut dhe të diskutimeve mbi një plan bashkëpunimi mes strukturave homologe të të dy vendeve.

Delegacioni i gjykatave të Maltës përbëhej nga gjyqtarë të gjykatës kushtetuese, gjykatave civile e penale, përkatësisht, Dr. Lawrence Mintoff (gjykatat civile dhe kushtetuese); Dr. Toni Abela (gjykata civile dhe kushtetuese); Dr. Consuelo Scerri Herrera (gjykatat penale); znj. Pamela Seychell, (koordinatore). Delegacioni shoqërohej në këtë takim nga Shkëlqesia e Tij, Dr. Anthony Licari, Ambasador i Maltës për Shqipërinë.

Gjatë takimit Kryetarja Zaçaj bëri një prezantim të shkurtër të funksionimit dhe organizimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe të mënyrës së zgjedhjes së gjyqtarëve të kësaj gjykate pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016. Në vijim, gjyqtarët e delegacionit maltez bënë një përshkrim të detajuar të organizimit të pushtetit gjyqësor dhe organeve kryesore të sistemit të drejtësisë, duke evidentuar edhe disa prej ngjashmërive mes sistemeve dhe kushtetutave respektive të të dy vendeve.

Po ashtu, Ambasadori i Maltës për Shqipërinë shprehu angazhimin e tij për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën e integrimit të saj në BE, si dhe asistimin e një bashkëpunimi të mundshëm me gjykatat homologe malteze.

takim me gjykatat malteze_copy_1

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.