| Bookmark and Share

Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Znj. Holta Zaçaj, me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij Z. Alastair King-Smith

Sot, në datën 04.04.2023, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, zhvilloi një takim zyrtar në ambientet e kësaj Gjykate me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij Z. Alastair King-Smith, i cili shoqërohej në këtë takim nga znj. Artela Mitrushi, këshilltare politike. Në takim merrte pjesë edhe znj. Elsa Toska, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë takimit, Kryetarja Zaçaj evidentoi sfidat me të përballet aktualisht Gjykata Kushtetuese, e cila ka tashmë një trupë të plotë gjyqtarësh, të zgjedhur në përputhje me kuadrin e ri kushtetues dhe ligjor, të miratuar pas reformës gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Kryetarja Zaçaj u ndal në nevojat më imediate për një sistem të menaxhimit të çështjeve në përputhje me zhvillimet e reja të teknologjisë, caktimin elektronik të çështjeve, si dhe hartimin e një dokumenti udhëzues sipas modelit të GJEDNJ-së, i cili do të shërbente për referime të standardizuara, dhe të plota të jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese jo vetëm nga Gjykata por nga të gjithë praktikantet e ligjit dhe juristët në përgjithësi. Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe lidhur me nevojën e rritjes së burimeve njerëzore dhe të kapaciteteve brenda gjykatës, me qëllim adoptimin e standardeve dhe praktikave më të mira, si dhe përballimin e ngarkesës në rritje të numrit të çështjeve që shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese.

Nga ana e tij, Ambasadori King-Smith shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Gjykatën Kushtetuese dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke u fokusuar veçanërisht në përpjekjet për forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë në vend, rritjen e llogaridhënies dhe të pavarësisë institucionale. Po ashtu, Ambasadori shprehu angazhimin e tij për ta bashkërenduar këtë mbështetje edhe me partnerë të tjerë të rëndësishëm për të qenë sa më të dobishëm dhe efektiv, duke eksploruar mundësitë e përfshirjes së Gjykatës Kushtetuese në projekte konkrete bashkëpunimi, me synim e rritjes së kapaciteteve dhe përmirësimin e veprimtarisë vendimmarrëse.

  takim i kryetares së gjykatës kushtetuese me shkëlqesinë e tij z

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.