| Bookmark and Share

Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Znj. Vitore Tusha, me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij Z. Alastair King-Smith

Në datën 07.03.2022, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Vitore Tusha, zhvilloi një takim zyrtar në ambientet e kësaj Gjykate me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij Z. Alastair King-Smith, i cili shoqërohej në këtë takim nga znj. Jennifer More, prokurore ndërlidhëse për Ballkanin Perëndimor, znj. Harriet Morgan, këshilltare për çështjet e brendshme dhe të drejtësisë, dhe znj. Artela Mitrushi, këshilltare politike.
Gjatë takimit, pasi e falënderoi Ambasadorin për bashkëpunimin e mëparshëm dhe mbështetjen e ofruar në tryezën me donatorë dhe partnerë ndërkombëtarë të zhvilluar në datën 2 mars 2022, Kryetarja Tusha vuri në dukje sfidat me të cilat është përballur Gjykata Kushtetuese që prej rifillimit të funksionalitetit të saj, si dhe përpjekjet e bëra me synimin e respektimit të praktikave më të mira në fushën e gjykimit kushtetues dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së jurisprudencës.
Nga ana e tij, Ambasadori King-Smith shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Gjykatën Kushtetuese dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke u fokusuar veçanërisht në përpjekjet për forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e rolit dhe lirisë së medias, rritjen e llogaridhënies dhe forcimin e demokracisë. Po ashtu, Ambasadori shprehu angazhimin e tij për ta bashkërenduar këtë mbështetje edhe me partnerë të tjerë të rëndësishëm për të qënë sa më të dobishëm dhe efektiv.

     photo-2022-03-08-11-56-16       photo-2022-03-08-11-56-30

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.