| Bookmark and Share

Takim i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë Bashkim Dedja me Ministrin e Drejtësisë të Republikës së Turqisë Abdulhamit Gül, 08 nëntor 2017.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë zoti Bashkim Dedja, priti në një takim në selinë e kësaj gjykate në datën 08 nëntor 2017, Ministrin e Drejtësisë të Republikës së Turqisë zotin Abdulhamit Gül, në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri.

Pasi bëri një prezantim të shkurtër të veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Kryetari Dedja foli për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe që ekzistojnë me Gjykatën Kushtetuese të Turqisë, me të cilën është nënshkruar edhe një Memorandum Bashkëpunimi.

Në vazhdim, Kryetari Dedja foli për procesin e reformimit të të gjitha institucioneve të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, ku përfshihet edhe Gjykata Kushtetuese. Ai e vlerësoi procesin e vetting-ut si një proces me rëndësi jetike për integrimin e vendit në BE.

Nga ana e tij, Ministri turk i Drejtësisë z. Gül e vlerësoi reformën në gjyqësorin shqiptar si një proces të vështirë, por të domosdoshëm, dhe inkurajoi vazhdimin e saj.

Ministri turk shprehu konsideratat e tij tejet pozitive në lidhje me bashkëpunimin e deritanishëm mes dy gjykatave kushtetuese dhe ministrive përkatëse të drejtësisë të të dy vendeve si dhe bindjen e tij se ky bashkëpunim duhet të vazhdojë dhe të forcohet akoma më shumë për të shkëmbyer përvojat më të mira.

Në këtë takim Ministri turk i Drejtësisë shoqërohej edhe nga Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Turqisë në Shqipëri zoti Hidayet Bayraktar.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.