Institucioni
Përbërja
foto-e-trupes-small

[...]

Takim konsultues për Kodin e Etikës për Gjykatën Kushtetuese të ShqipërisëTiranë, 22 korrik 2022

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, organizuan sot në datën 22 korrik 2022, një takim konsultues lidhur me hartimin dhe finalizimin sa më të shpejtë të Kodit të Etikës për gjyqtarët kushtetues. Në këtë aktivitet morën pjesë trupa e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, ish-anëtarë të kësaj gjykate, avokatë të angazhuar me përfaqësimin e subjekteve të ndryshme pranë këtij institucioni, ekspertë dhe përfaqësues të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM). Po ashtu, në kuadër të marrëdhënieve shumë të mira të bashkëpunimit institucional, të konkretizuara edhe me ri-nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit mes Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, pjesë e rëndësishme e këtij takimi ishin edhe Kryetarja dhe anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ndarja e përvojave në zhvillimin e këtyre instrumenteve të rëndësishme të etikës synon jo vetëm konsolidimin e përmirësimin e sistemit të vlerave dhe parimeve që përmbajnë këto dokumenteve, por edhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes gjykatave kushtetuese respektive.
Takimi u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Vitore Tusha, të Drejtueses së Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim të Ambasadës së Suedisë në Shqipëri, znj. Petra Burcher, Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Gresa Caka-Nimani, si dhe të Drejtorit Ekzekutiv të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, z. Sotiraq Hroni, të cilët ndanë të njëjtin mendim lidhur me rëndësinë dhe qëllimet kryesore të hartimit të një Kodi Etike për Gjykatën që lidhen me forcimin dhe rritjen e besimit publik në pavarësinë dhe paanësinë e Gjykatës në dhënien e drejtësisë kushtetuese mbështetur në parimet e ligjshmërisë dhe profesionalizmit të anëtarëve të saj.
Sesioni i parë i këtij takimi konsultues vijoi me prezantimin e ekspertit të angazhuar me hartimin e këtij kodi, z. Sokol Berberi, dhe të përfaqësuesve të gjykatave kushtetuese respektive, z. Sandër Beci, anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe z. Nexhmi Rexhepi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Në vijim, të pranishmit, shkëmbyen pikëpamjet e tyre dhe bënë sugjerime në lidhje me këtë kod, i cili u cilësua si një instrument vetërregullues, këshillues dhe orientues që përmban standarde etike për gjyqtaret kushtetues, dhe synon zgjidhje pro-aktive duke ofruar në të njëjtën kohë një kulturë debati për çështjet etike.
Sesioni i dytë u zhvillua në formën e një tryeze të përbashkët me gjyqtarët e të dyja gjykatave ku u diskutua rreth pasqyrimit në kodet respektive të etikës, si instrumente të “gjalla”, edhe të risive dhe zhvillimeve më të fundit në fushën e teknologjisë së komunikimit dhe në kontekstin aktual shoqëror.

 

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.