| Bookmark and Share

Takim me Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, SH.T.Z. Peter Zingraf, 28 prill 2023

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, ka pritur sot në një takim zyrtar në ambientet e kësaj Gjykate, Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, SH.T.Z. Peter Zingraf. Në takim ka marrë pjesë edhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Elsa Toska.

Kryetarja Zaçaj e ka falënderuar Ambasadorin Zingraf për vizitën, si dhe për ndihmën e çmuar që shteti gjerman ka dhënë, nëpërmjet programeve ose fondacioneve gjermane, duke e mbështetur Gjykatën Kushtetuese në realizimin me sukses të disa prej projekteve të saj, si konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, seminare e tryeza bisedimesh, vizita pune pranë gjykatave homologe, aktivitete promovuese të publikimeve etj.

Kryetarja Zaçaj ka bërë gjithashtu një përshkrim të detajuar të prioriteteve aktuale dhe nevojave më imediate të Gjykatës Kushtetuese për modernizimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve dhe të shortit elektronik, digjitalizimin e arkivës së Gjykatës, hartimin e udhëzuesit të jurisprudencës se Gjykatës Kushtetuese sipas modelit të GJEDNJ-së, duke u shprehur se Gjykata Kushtetuese mirëpret çdo mbështetje të ofruar nga partnerët ndërkombëtarë për t’i realizuar këto prioritete qëllimi i të cilave është forcimi institucional, standardizimi i praktikave dhe respektimi i paanshmërisë dhe transparencës institucionale.

Ambasadori Zingraf e ka uruar Kryetaren Zaçaj për marrjen e kësaj detyre të rëndësishme dhe ka shprehur kënaqësinë për plotësimin e trupës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke evidentuar rëndësinë e këtij institucioni në forcimin e demokracisë dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, të cilat janë kriteret kryesore që duhen përmbushur në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ambasadori Zingraf ka shprehur gjithashtu angazhimin për të përcjellë mesazhin e frymës dhe të vullnetit të Gjykatës Kushtetuese për t’i realizuar dhe zbatuar këto kritere dhe parime themelore.

takim me ambasadorin e gjermanise 28 takim me ambasadorin e gjermanise 28

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.