| Bookmark and Share

Takim me përfaqësues të Fondacionit “Hanns Seidel”, 5 mars 2022

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Vitore Tusha, priti sot në një takim zyrtar në ambientet e kësaj gjykate z. Klaus Fiesinger, Drejtor Rajonal për Europën Juglindore i Fondacionit gjerman “Hanns Seidel”, i cili shoqërohej në këtë takim nga znj. Nertila Mosko, Drejtuese e Zyrës së Projektit Tiranë. Në fokus të këtij takimi ishte bashkëpunimi shumë i frytshëm i deritanishëm ndërmjet Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Fondacionit “Hanns Seidel,” si dhe thellimi i këtij bashkëpunimi në të ardhmen, në kuadër edhe të organizimit të veprimtarive me rastin e 30 vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese.  

Gjatë takimit, Kryetarja Tusha shprehu mirënjohjen për ndihmesën dhe mbështetjen e vazhdueshme të ofruar nga Fondacioni “Hanns Seidel”, të cilat kanë konsistuar jo vetëm në thellimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit midis Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera të larta brenda vendit, si dhe me homologet e saj në rajon, por edhe në kualifikimin e vazhdueshëm profesional të këshilltarëve ligjor dhe stafit administrativ të gjykatës. Z. Fiesinger nga ana e tij e siguroi Kryetaren Tusha për vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi edhe në ardhmen, duke e cilësuar atë si një partner shumë të rëndësishëm, si dhe duke evidentuar se sa e rëndësishme është për Fondacionin “Hanns Seidel” mbrojtja e kushtetutshmërisë dhe shtetit të së drejtës.

05     05

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.