| Bookmark and Share

Veprimtari e përbashkët studimore mes Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, 05 - 06 dhjetor 2018

Në përputhje me synimet e Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar mes Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe në vijim të takimeve dhe tryezave të përbashkëta të organizuara që kanë si qëllim rritjen e mëtejshme të kapaciteteve profesionale të stafit administrativ dhe shkëmbimin e përvojave për tejkalimin e sfidave të përbashkëta të hasura gjatë veprimtarisë së përditshme në punë, në datat 05 – 06 dhjetor 2018, u zhvillua një veprimtari e përbashkët studimore me temë: “Shkëmbimi i përvojave dhe ideve për tejkalimin e sfidave të hartimit të Planit Strategjik të Gjykatës Kushtetuese për periudhën 2019 - 2021.”
 
Në këtë tryezë pune të përbashkët pjesëmarrësit, përfaqësues nga stafet administrative të të dy gjykatave kushtetuese të kryesuar nga Sekretarët e Përgjithshëm respektivë, dëgjuan me shumë interes përvojën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës rreth hartimit dhe zbatimit të planit strategjik institucional, si dhe diskutuan dhe shkëmbyen ide në lidhje me përmbushjen e detyrimit ligjor të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për të përgatitur në një kohë sa më të shkurtër Planin e saj Strategjik për periudhën 2019-2021.
 
Diskutimet u fokusuan në çështjet e metodologjisë së hartimit të Planit Strategjik, në analizën institucionale dhe ligjore të Gjykatës Kushtetuese në kuadër të këtij plani, në përcaktimin e prioriteteve dhe objektivave strategjike, në mënyrën e krijimit dhe zbatimit të planit të veprimit dhe gjetjen e treguesve matës të performancës.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.