| Bookmark and Share

Veprimtari formuese dy javore për këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese

Në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes për Bashkëpunimin Reciprok dhe Ndihmën e Ndërsjellë në Fusha me Interes të Përbashkët, të nënshkruar midis Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në datën 29 shtator 2021, z. Ermal Tauzi dhe z. Gentian Mete, këshilltarë ligjorë në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, qëndruan për një periudhë stazhi 2 javore pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me qëllim pjesëmarrjen në veprimtari me karakter formues të organizuara dhe zhvilluara nga kjo gjykatë.
Gjatë qëndrimit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, këshilltarët ligjorë u njohën më nga afër me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të saj, duke u njohur me dosje të caktuara dhe ndjekur gjykimet kushtetuese të zhvilluara, si dhe duke marrë pjesë në diskutimet e bëra ndërmjet Kryetares së Gjykatës dhe stafit administrativ, në lidhje me zbatimin dhe planifikimin e objektivave strategjikë. 
Po ashtu, këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë morën pjesë në konferencën me temë “Ndërveprimi i juridiksionit gjyqësor dhe kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës, përvoja nga Kosova, Shqipëria dhe Gjermania”, e cila u zhvillua gjatë datave të qëndrimit të tyre në Kosovë dhe u organizua me pjesëmarrjen e përfaqësueseve të gjykatave kushtetuese dhe të larta të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe me pjesëmarrjen e ekspertëve nga Gjermania.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.