| Bookmark and Share
Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

Vizitë e delegacionit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, 19 – 21 dhjetor 2024.

Në zbatim të Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar mes Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i kryesuar nga Kryetarja e kësaj gjykate, znj. Gresa Caka – Nimani, dhe i përbërë nga trupa e gjyqtarëve, Sekretari i Përgjithshëm, si dhe përfaqësues të stafit administrativ, është duke zhvilluar një vizitë pune në Tiranë, në datat 19 – 21 dhjetor 2024.

Në kuadër të veprimtarive të planifikuara me rastin e kësaj vizite, në datën 20 dhjetor 2024, u organizua dhe një tryezë pune mes përfaqësuesve të të dyja gjykatave, me qëllim prezantimin dhe diskutimin e çështjeve më të spikatura të shqyrtuara nga secila gjykatë gjatë vitit 2024. Tryeza u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, dhe Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, të cilat vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera institucionale të ndërtuara mbi parimet e ndërsjellta të respektit, shkëmbimit të eksperiencave dhe avancimit të praktikave më të mira që ndihmojnë në përballimin e sfidave të përbashkëta.

Punimet e tryezës u zhvilluan në dy sesione – në sesionin e parë referuan prezantimet e tyre Kryetarja Holta Zaçaj dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Mariana Semini, si dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Remzije Istrefi – Peci dhe Nexhmi Rexhepi ( Kryetar i zgjedhur, mandati i të cilit fillon më 31 dhjetor 2024). Në sesionin e dytë referuan gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Ilir Toska, dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Jeton Bytyqi.

Në përfundim të aktivitetit pjesëmarrësit shprehën vlerësimin se tryezat e punës të kësaj natyre ofrojnë mundësinë jo vetëm për të përfituar nga ndarja e eksperiencave dhe jurisprudencave respektive, por edhe kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve të qëndrueshme mes dy institucioneve kushtetuese.

20 20 20

20 20 20

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.