| Bookmark and Share

Vizitë e delegacionit të Këshillit të Lartë të Magjistraturës të Republikës së Francës

Me ftesë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë ndodhet në Shqipëri për një vizitë pune disa ditore një delegacion i Këshillit të Lartë të Magjistraturës të Republikës së Francës, i përbërë nga Zoti Luc Barbier, Kryetar i formacionit të gjyqtarëve, dhe Zoti Pierre Dreno, anëtar i formacionit të prokurorëve.  

Në kuadër të kësaj vizite, sot, më 10.11.2010, ky delegacion është pritur edhe nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Zoti Bashkim Dedja, në ambientet e kësaj gjykate. Fillimisht, Kryetari Dedja bëri një paraqitje të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, si dhe të disa prej kompetencave dhe autoriteteve më kryesore ku fokusohet veprimtaria e saj.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Këshillit të Lartë të Magjistraturës theksuan nevojën që kanë organe të tilla të rëndësishme kushtetuese për shkëmbime të ideve dhe përvojave me qëllim përsosjen e vazhdueshme të veprimtarisë së ushtruar prej tyre. Ata evidentuan disa prej aspekteve më thelbësore të funksioneve të secilit prej formacioneve në përbërje të Këshillit të Lartë të Magjistraturës, duke u ndalur veçanërisht në ngjashmëritë dhe dallimet me homologun e tyre shqiptar, Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.