| Bookmark and Share

Vizitë e një delegacioni të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut

Një delegacion i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, i përbërë nga Baronesha Françoise Tulkens, Zv. Kryetare e GJEDNJ dhe Kryetare e Seksionit të II, Z. Christos Rozakis, ish gjyqtar dhe Zv.Kryetar, dhe Z.Ledi Bianku, gjyqtari i zgjedhur në emër të Shqipërisë në Gjykatën e Strasburgut, zhvilluan një vizitë zyrtare disa ditore në Shqipëri, në datat 7 – 10 korrik 2011.

Në kuadër të kësaj vizite, Gjykata Kushtetuese organizoi një tryezë të përbashkët me temë “Rihapja e procedurave gjyqësore kombëtare pas dhënies së vendimit nga GJEDNJ”.
Punimet e këtij takimi u hapën me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Z.Bashkim Dedja, i cili pasi vuri në dukje progresin e arritur nga Gjykata Kushtetuese dhe pasurimin e vazhdueshëm të jurisprudencës së saj, nënvizoi rolin mjaft të rëndësishëm të vendimeve të Gjykatës Europiane të Strasburgut. Më tej fjalën e mori Z. Ledi Bianku i cili mbajti një referat me temë “Kur thërret Strasburgu: çështje të rihapjes së procedurave gjyqësore kombëtare pas vendimit të Strasburgut në çështjet shqiptare”.

Në vijim referuan gjyqtarët e Strasburgut, duke trajtuar çështjet e rihapjes së procedurave gjyqësore kombëtare, ku Baronesha Françoise Tulkens u fokusua në mënyrë të hollësishme në aspektin penal dhe Z. Christos Rozakis në çështjet civile dhe administrative.

I pranishëm në seminar ishte dhe Z. Kristaq Traja, avokat dhe ish gjyqtari shqiptar në Strasburg, i cili bëri një panoramë të përgjithshme të legjislacionit dhe jurisprudencës shqiptare lidhur me rihapjen e procedurave gjyqësore kombëtare.

Gjithashtu lidhur me temën referoi edhe Z. Xhezair Zaganjori, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.