| Bookmark and Share

Vizitë në Gjykatën Kushtetuese e një grupi nxënësish, në kuadrin e projektit "Ndërtimi i një qytetarie aktive - faza II”, të mbështetur nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Në datën 4 Nëntor 2011, ambjentet e Gjykatës Kushtetuese u vizituan nga një grup nxënësish, të cilët ishin të shoqëruar nga Zv/Ministria e Arsimit dhe Shkencës Zj. Nora Malaj dhe nga pjesëtarë të stafit të Zyrës së OSBE-së në Tiranë.

Kjo vizitë u organizua në kuadër të projektit "Ndërtimi i një qytetarie aktive - faza II", me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, i cili synon forcimin e një qytetarie aktive përmes sistemit te arsimimit. Në këtë vizitë morën pjesë rreth 50 nxënës të klasave të 9-ta, nga tre qytete të Shqipërise, Kukës, Vlorë dhe Tiranë, ndërmjet të cilëve edhe nxënës me aftësi të kufizuara, nxënës Romë si dhe nxënës që vijnë nga familje me status ekonomik dhe social më të ulët.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Z.Bashkim Dedja i priti nxënësit dhe mësuesit në sallën e seancave të gjykatës, dhe bëri një prezantim të Gjykatës Kushtetuese, të dispozitave të Kushtetutës, mënyrës se si funksionon gjykata dhe si shqyrtohen çështjet nga gjyqtarët.
Më pas nxënësit i drejtuan pyetje Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, mbi llojet e çështjeve që zgjidhen në këtë gjykatë, kush mund t’i drejtohet gjykatës, nëse ka pasur raste të shqyrtimit të shkeljes së të drejtave të fëmijëve dhe si janë zgjidhur ato, etj.
Në mbyllje të aktivitetit, nxënësit bënë dhe fotografi me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Z. Bashkim Dedja dhe stafin e projektit.

Në kuadrin e projektit nxënësit, të shoqëruar dhe nga Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Eugen Volfart, kanë zhvilluan sot takime dhe me drejtuesit më të lartë të shtetit.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.