Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetarja e saj, znj. Holta Zaçaj, dhe i përbërë nga trupa e gjyqtarëve të kësaj Gjykate, është duke zhvilluar një vizitë studimore në Gjykatën Kushtetuese të Turqisë.
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë u prit fillimisht në një takim zyrtar nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, z. Kadir Özkaya.
Gjatë këtij takimi, të dy Kryetarët shprehën vlerësimet për bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston mes dy gjykatave kushtetuese, duke përmendur veprimtaritë e suksesshme të zhvilluara në këtë kontekst, si vizitat studimore të gjyqtarëve, pjesëmarrjen në konferencat dhe simpoziumet ndërkombëtare të organizuara me rastin e përvjetorëve respektivë të krijimit të gjykatave, pjesëmarrjen e këshilltarëve ligjorë në Shkollën Verore të organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Turqisë.
Në mënyrë të veçantë, Kryetarja Zaçaj shprehu falënderimet për mbështetjen e ofruar nga Gjykata Kushtetuese e Turqisë për zgjedhjen e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë si kryesuese e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane.
Pas pritjes zyrtare nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, u zhvillua një tryezë diskutimesh me gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, gjatë së cilës u bë prezantim i kompetencave, funksionit dhe mënyrës së organizmit të të dy gjykatave, si dhe u shkëmbyen përvojat respektive në lidhje me çështje të kontrollit kushtetues abstrakt dhe konkret, si dhe ankimet kushtetuese individuale.
Në vijim të agjendës, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë zhvilloi takime zyrtare dhe me Kryetarin e Gjykatës së Kasacionit të Turqisë, z. Ömer Kerkez, si dhe me Zëvendëskryetarin e Këshillit të Shtetit të Turqisë, z. Mahmut Vural, ku pas prezantimit të mënyrës së funksionimit dhe organizimit të institucioneve respektive, mes gjyqtarëve pati pyetje dhe diskutime lidhur me problematikat që na bashkojnë, si dhe karakteristikat e secilit juridiksion, marrëdhëniet e Gjykatës Kushtetuese me Gjykatat e Larta në të dyja vendet, si dhe definimin e linjave të juridiksionit të zakonshëm dhe atij kushtetues.
Në të gjitha takimet zyrtare ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë, znj. Blerta Kadzadej.