| Bookmark and Share

Vizitë studimore e një delegacioni të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, 1-3 shkurt 2018

Në kuadër të promovimit të mëtejshëm të bashkëpunimit tashmë disavjeçar midis Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga z. Eugen Papandile, Sekretar i Përgjithshëm, dhe z. Ermal Tauzi, këshilltar ligjor, zhvilloi një vizitë studimore dyditore pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në datën 2 shkurt 2018, delegacioni është pritur në takime zyrtare nga znj. Arta Rama Hajrizi, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si dhe nga z. Milot Vokshi, Sekretar i Përgjithshëm. Po ashtu, delegacioni ka zhvilluar takime pune edhe me drejtorët e departamenteve të ndryshme të administratës dhe me këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Në takimin e përbashkët dy sekretarët diskutuan çështje me rëndësi për organizimin dhe funksionimin e gjykatave respektive, veçoritë dhe dallimet në organizimin e punëve në administratën e të dyja gjykatave kushtetuese, sfidat me të cilat aktualisht përballen këto institucione, si dhe përpjekjet për reforma të mëtejshme, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe transparencës në punë.

Pasi i vlerësuan si shumë të mira marrëdhëniet dypalëshe ndërinstitucionale, dy sekretarët, shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit reciprok nëpërmjet shkëmbimit të përvojave, organizimit të vizitave studimore dhe seminareve të përbashkëta, në funksion të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe përvetësimit të standardeve bashkëkohore të administrimit nga të dyja gjykatat.

Gjithashtu, pjesë e axhendës së organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës ishin edhe takimet e zhvilluara në Këshillin e Lartë Gjyqësor, me z. Shkëlzen Maliqi, Drejtor i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë dhe z. Blerim Isufaj,  Kryetar i Këshillit të Prokurorisë.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.