| Bookmark and Share

Vizitë studimore në Universitetin e Pisa-s, Itali, 15-16 Nëntor 2018

Në kuadër të vendosjes së marrëdhënieve të bashkëpunimit midis Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve akademike, brenda dhe jashtë vendit, me ftesë të Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Pisas, Itali, një delegacion i kësaj Gjykate kreu një vizitë studimore pranë këtij fakulteti në datat 15-16 nëntor 2018. Delegacioni përbëhej nga: z. Eugen Papandile, Sekretar i Përgjithshëm, znj. Arta Vorpsi, znj. Kaliona Nushi dhe z. Ermal Tauzi, këshilltarë të gjyqtarëve, si dhe znj. Noela Ruço, Drejtoreshë e Drejtorisë së Kërkimeve, Studimeve dhe Botimeve.
 
Qëllimi i kësaj vizite ishte vendosja e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të dobishëm mes Fakultetit të Drejtësisë në Pisa dhe Gjykatës Kushtetuese shqiptare, gjë e cila do të formalizohet me nënshkrimin e një marrëveshje dypalëshe, ku do të gjejnë vend angazhimet e secilës palë në këtë kontekst. Delegacioni u prit nga profesorët e këtij Fakulteti, Prof. Dr. Paolo Passaglia, i cili gjithashtu është i angazhuar si ekspert i jashtëm në Drejtorinë e Studimeve të Gjykatës Kushtetuese të Italisë, si dhe Prof. Dr. Rolando Tarchi, të dy profesorë të së drejtës publike. Gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë dhe hapësirat e këtij bashkëpunimi dhe u vendosën pikat kryesore që do të përmbajë marrëveshja për këtë qëllim. Në vijim të vizitës, delegacioni vizitoi bibliotekën e Universitetit dhe zhvilloi një takim me znj. Lucia Nevola, Drejtoreshë e Shërbimit të Bibliotekës, ku u diskutua mbi mundësinë e aksesit online dhe mënyrën e aksesimit të librave që gjenden në fondin e kësaj Biblioteke.
 
Në datën 16 nëntor, delegacioni u ftua nga Prof.Dr. Paolo Passaglia të merrte pjesë në një leksion të hapur për studentët e kursit të së drejtës kushtetuese, gjatë së cilit znj. Noela Ruço bëri një prezantim të organizimit, juridiksionit dhe kompetencave të Gjykatës Kushtetuese shqiptare, para dhe pas reformës kushtetuese. Studentët shfaqën mjaft interes lidhur me vendimmarrjen e GJK shqiptare si dhe me disa çështje të ndërtimit dhe të zbatimit të Kushtetutës lidhur me të drejtat e njeriut dhe integrimin evropian.
 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.