| Bookmark and Share

20 vjetori i krijimit të Komisionit të Venecias

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Dr. Vladimir Kristo, mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 20 vjetorit të krijimit të Komisionit të Venecias që u zhvillua në Venecia, Itali. Në këtë veprimtari morën pjesë Kryetarë të Gjykatave Kushtetuese dhe organeve me juridiksion ekuivalent, anëtarë të Komisionit të Venecias, disa Kryetarë Shtetesh, përfaqësues të tjerë të organeve të Këshillit të Europës,  si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare me të cilat bashkëpunon Komisioni i Vencias. Të pranishmit në këtë veprimtari u përshëndetën nga Z. Gianni Buquicchio, President i Komisionit të Venecias, Z. Mevlüt Çavušoğlu, President i Asamblesë Paralamentare të Këshillit të Europës, Z. Thorbjørn Jagland, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës etj.

Gjatë kësaj veprimtarie, Kryetari Kristo zhvilloi takime me Z. Gianni Buquicchio dhe anëtarë të tjerë të Komisionit të Venecias, si dhe me disa Kryetarë të Gjykatave Kushtetuese simotra: të Italisë, Z. Francesco Amirante, të Kroacisë, Znj. Jasna Omejec, të Maqedonisë, Z. Trendafil Ivanovksi, të Malit të Zi, Z. Milan Marković, të Hungarisë, Z. Peter Paczolay, të Gjerorgjisë, Z. George Papuashvili etj. Në këto takime u nënvizua dëshira e përbashkët për vazhdimësinë dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë në fushën e drejtësisë kushtetuese dhe gjykimit kushtetues.

Komisioni Europian për Demokracinë nëpërmjet Ligjit – i njohur më gjerësisht si Komisioni i Venecias i Këshillit të Europës – është një organizatë ligjore e pavarur që e ka filluar veprimtarinë e saj me ndihmesën e dhënë për hartimin e kushtetutave të demokracive të reja në përputhje me kulturën kushtetuese europiane. Sot, Komisioni identifikon, zhvillon dhe promovon standardet ligjore për institucionet demokratike, të drejtat e njeriut, ligjin zgjedhor dhe drejtësinë kushtetuese. Komisioni jep opinione ligjore për kushtetutat dhe ligjet. Ai harton opinione amicus curiae për Gjykatat Kushtetuese dhe Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (Shqipëria është shtet anëtar i Komisionit të Venecias që prej 14.10.1996) e ka vënë disa herë në lëvizje Komisionin e Venecias dhe ka marrë prej tij opinione amicus curiae për çështje të rëndësishme që lidhen me kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.