| Bookmark and Share

24-26 shtator 2008

Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të  Republikës së Shqipërisë, nga data 24-26 shtator, ka ardhur në Shqipëri një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi, kryesuar nga kryetari i kësaj gjykate, Dr.Millan Markoviç. Vizita është pjesë e bashkëpunimit mes gjykatave kushtetuese.

Gjatë vizitës u zhvillua seminari me temë: “Subjektet që vënë në lëvizje gjykatën kushtetuese”. Seminari u fokusua sidomos në vënien në lëvizje të gjykatës kushtetuese nga subjekte politike dhe nevojën e rritjes dhe përsosjes së gjykimit kushtetues. U vlerësua se vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese në çështjet që vijnë nga subjekte të tilla si Presidenti i Republikës, grup deputetësh apo autoritete të tjera publike dhe lokale, janë shumë të rëndësishme për jurisprudencën e secilit vend dhe respektimi i autoritetit të Gjykatës Kushtetuese është i domosdoshëm në kuadër të ndërtimit të shtetit të së drejtës.

Vizita ishte e rëndësishme dhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal. “Jurisprudenca kushtetuese bëhet përherë e më ndërkombëtare- tha në fjalën e tij Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Dr. Vladimir Kristo. Kjo, por dhe objektivat e njëjta që ka Shqipëria dhe Mali i Zi për të qenë pjesë e Evropës së bashkuar, e bëjnë bashkëpunimin mes gjykatave kushtetuese pjesë të rëndësishme që ndihmon sidomos, në përqasjen e legjislacioneve me standardet e BE”.

Kurse Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi, Dr. M.Markoviç e quajti vizitën zyrtare”... jo vetëm të suksesshme, por dhe të rëndësishme në ballafaqimin me sfidat e përbashkëta që kanë dy vendet tona”.
 

Delegacioni malazez u prit në takime zyrtare nga Kryetarja e Kuvendit znj. Josefina Topalli dhe Ministri Drejtësisë z. Enkelejd Alibeaj. Vizita u mbështet nga fondacioni “Hans Siedel”.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.