Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 22.06.2022, mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh, kërkesën e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, për kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të nenit 52, pika 1 të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar”.

Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:

1. Shqyrtimi i çështjes i përket juridiksionit kushtetues, pasi kërkesa e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë bazohet në nenin 145, pika 2 të Kushtetutës dhe në përmbajtje parashtron argumente kushtetuese për papajtueshmërinë e ligjit në raport me parimet dhe normat kushtetuese.

2. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, në kuptim të nenit 145, pika 2 të Kushtetutës dhe jurisprudencës kushtetuese, legjitimohet për të vënë në lëvizje kontrollin kushtetues të nenit 52, pika 1, shkronja “e” të ligjit nr. 107/2014 për pjesën që kjo dispozitë parashikon dënimin me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave për strehim. Në nxjerrjen e këtij konkluzioni Gjykata ka mbajtur në konsideratë faktin se gjykata referuese po shqyrton padinë e një individi që ka kundërshtuar aktet administrative të dënimit me gjobë dhe të prishjes së objektit, që ai e ka ndërtuar pa leje për qëllime banimi pas tërmetit të vitit 2019.

3. Neni 52, pika 1, shkronja “e” i ligjit nr. 107/2014 kufizon të drejtën e pronës private, të garantuar nga neni 41 i Kushtetutës përderisa parashikon gjobë, në kushtet kur jurisprudenca kushtetuese ka theksuar se “ detyrimet financiare, duke përfshirë edhe gjobën, janë pjesë e konceptit kushtetues të pronës private, pasi pagesa e një sasie të caktuar të hollash, e barasvlershme në këtë rast me masën e gjobës, është një shumë që merret nga pasuria e individit”.

4. Kufizimi i të drejtës kushtetuese të pronës private duhet të respektojë kriteret e përcaktuara në nenin 17 të Kushtetutës. Duke e analizuar çështjen sipas këtyre kritereve, Gjykata vlerësoi se ndonëse dënimi me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje është bërë nëpërmjet një ligji të miratuar nga Kuvendi dhe i përgjigjet interesit publik për kontrollin e ligjshëm të territorit dhe frenimin/parandalimin e ndërtimeve pa leje, mënyra e llogaritjes së masës së gjobës për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave të strehimit nuk respekton kriterin e proporcionalitetit.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “a”, 134, pikat 1, shkronja “dh” dhe pika 2, nenit 145, pika 2, të Kushtetutës, si dhe neneve 68, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri,

VENDOSI:

- Pranimin pjesërisht të kërkesës.

- Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të nenit 52, pika 1, shkronja “e” të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar, në pjesën që parashikon dënimin me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave për strehim.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi 6 – muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.